Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot realizoi takim me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në RMV.
Siç njoftojnë nga kabineti i Gashit, ai shprehu kënaqësinë për realizimin e vizitës zyrtare së kryetares Albulena Haxhiu, e cila është sipas tij, është konfirmim i përkushtimit të ndërsjellë për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut parlamentar dhe bashkëpunimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
“Ai theksoi se bashkëpunimi parlamentar midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës karakterizohet nga dinamika intensive dhe shprehu bindjen se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Theksoi se të dy vendet ndajnë një vizion të përbashkët për një rajon paqësor, të qëndrueshëm, të sigurt dhe ekonomikisht të begatë, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në këtë drejtim, është e rëndësishme të vazhdohet me dialogun dhe koordinimin e hapur për çështjet me rëndësi rajonale”.
“Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, u angazhua për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit konstruktiv midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe theksoi se kjo është vizita e saj e parë zyrtare në një vend të huaj si Kryetare e Kuvendit, që është konfirmim i fortë i rëndësisë së marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunimit të frytshëm midis dy vendeve mike”.
“Ajo shprehu mirënjohje që Republika e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht qëndrim afirmativ për aderimin e Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat shumëpalëshe dhe rajonale. Në takim u bë fjalë edhe për procesin e integrimit evropian, ku bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi i ndërsjellë duhet të synojë krijimin e kushteve për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjithë rajonit, bazuar në meritat, përmbushjen e kritereve dhe zbatimin konsekuent të reformave”, thuhet në njoftim./Telegrafi/