Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin nga 6 vite burg, në 5 vite e 6 muaj ish-togerit të Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, i akuzuar për spiunazh, ndërsa ka vërtetuar dënimin me gjobë në shumën prej 2,000 euro për veprën penale – armëmbajtje pa leje.
“Të pandehurit Bojan Jevtiq, për veprën penale – spiunazhi për të cilën është shpallur fajtor, i shqipton dënim me burg në kohëzgjatje prej 5 vite e 6 muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 17.07.2025 e deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, ndërsa dënimin me gjobë për veprën penale – Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve në shumë prej 2,000.00 € e merr si të vërtetuar.”- thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.
Fillimisht, Gjykata e Prishtinës në muajin maj të vitit 2026 pas aprovimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë për veprën penale të spiunazhit të akuzuarin Bojan Jevtiq e kishte dënuar me 6 vite burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje me 2,000 euro gjobë.
Gjykata të njejtit i kishte shqiptuar edhe dënim plotësues si: “Ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike” për 5 vite.
Gjykata e Apelit ka konstatuar se aktgjykimi i Themelores nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se nuk është konstatuar as shkelje e ligjit penal në dëm të të pandehurit.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtësit të të pandehurit lidhur me sanksionin penal janë të bazuara për faktin se Gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë rrethanat relevante që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit konkret.
Në aktgjykim thuhet se kolegji i Gjykatës së Apelit ka konstatuar se pretendimet e mbrojtësit të të pandehurit në ankesë për një dënim me të butë janë të bazuara.
Tutje, Gjykata e Apelit ka thënë se Gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka vlerësuar rëndësinë e veprës penale dhe pasojat e saj serioze, duke pasur parasysh faktin se ka të bëjë me një vepër penale që hyn në kategorinë e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Mirëpo kolegji i kësaj Gjykate ka vlerësuar se në rastin konkret duke pasur parasysh rrethanat e çështjes, dënimi i shqiptuar nga Gjykata e shkallës së parë prej 6 vite burgim për veprën penale – spiunazhi rezulton se është dënim i rëndë, duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë qysh në fazën e hershme të hetimit.
Sipas Apelit, kësaj rrethane nga Gjykata e shkallës së parë nuk i është dhënë rëndësia e duhur me rastin e caktimit të dënimit ndaj të pandehurit Bojan Jevtiq.
“Dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë prej 6 vite burgim për veprën penale ‘Spiunazhi’ rezulton se është dënim i rëndë, duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë qysh në fazën e hershme të hetimit, rrethanë kjo të cilës nuk i është dhënë rëndësia e duhur me rastin e caktimit të dënimit ndaj të pandehurit Bojan Jevtic, e që në ndërlidhje edhe me rrethanat e tjera lehtësuese si bashkëpunimi me organet shtetërore, mungesa e dënimeve të mëparshme, rrethanat personale dhe familjare, fakti se i njëjti është baba i tre fëmijëve, pendimi i thellë për veprën e kryer, në tërësinë e tyre tregojnë se edhe me një dënim më të ulët, të caktuar tani si në dispozitiv të këtij aktgjykimi mund të arrihet qëllimi i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK-së.”- thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit ndaj Bojan Jevtiqit.
Në fund të aktgjykimit thuhet se kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar duhet të ndryshohet vetëm në pjesën që ka të bëjë me dënimin e shqiptuar për veprën penale të spiunazhit, ndërsa në pjesët e tjera aktgjykimi i Themelores mbetet i pandryshuar.
Vendimi për këtë rast është marrë nga gjyqtarët: Valon Kurtaj (kryetar), Albina Shabani-Rama (gjyqtare referuese) dhe Vaton Dërguti (anëtar).
Kujtojmë se seanca në Gjykatën e Apelit për këtë rast ishte mbajtur më 06.10.2026. Në këtë seancë i akuzuari për spiunazh, Bojan Jevtiq, kishte shprehur pendesë për veprimet e tij.
“Jam pendu për veprimet e mia, siç e keni pa, pranimin e fajësisë e kam bo para se me fillu hetimet. Në Policinë e Kosovës punoj prej kur është formu Policia e Kosovës, në atë kohë prej popullit tem kam duru shumë nënçmime.”- kishte thënë Jevtiq.
Bojan Jevtiq është i akuzuar nga Prokuroria Speciale për veprën penale të spiunazhit dhe për armëmbajtje pa leje.
Prokuroria Speciale përmes një njoftimi kishte bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj Bojan Jevtiqit për spiunazh e armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit të PSRK-së, këto dokumente janë klasifikuar që ndërlidhen me siguri kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B. J. për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve. Sipas aktakuzës, B. J., në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger, nga një periudhë kohore e pacaktuar deri më 17 korrik 2025, dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme dhe me dashje ka mbledhur dhe u ka dërguar zyrtarëve të Shërbimit Inteligjent të Serbisë dokumente zyrtare të klasifikuara që ndërlidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.”- thuhej në njoftimin e plotë të Prokurorisë Speciale më 08.05.2026.
Dosja e Prokurorisë
Në dosjen e Prokurorisë, të cilën e kishte siguruar Kallxo.com, thuhej se togeri Bojan Jevtiq duke përdorur pozitën e tij zyrtare dyshohet se mblodhi informacione dhe të njëjtat i dërgoi te inteligjenca serbe, e këto të dhëna përfshinin edhe përmbajtje dhe veprime policore në lidhje me sigurinë e shtetit.
Ndërsa, në kërkesën e Gjykatës së Prishtinës për caktimin e paraburgimit thuhej se Jevtiq, si zyrtar policor (toger) dhe shef i sektorit të Operatives në pikën kufitare me Serbinë “Dheu i Bardhë’ në Kamenicë, i ka siguruar qasje një agjenti të BIA-s në kompjuterin e tij përmes ‘TeamViewer’.
Gjithnjë, siç shkruhej në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, Jevtiq ka mbledhur informacione dhe dokumente me përmbajtje të veprimeve dhe planeve operative të Policisë së Kosovës, në lidhje me sigurinë e shtetit. Të njëjtat pastaj ua ka komunikuar zyrtarëve të BIA-s, duke përfshirë këtu zyrtarin Sasha Ciriq, i njohur me nofkën “Çira”. Atij i ka mundësuar qajse në kompjuterin zyrtar të Policisë së Kosovës, i cili gjendet në stacionin policor tek “Dheu i Bardhë” përmes programit ‘Teamviewer”, prej të cilit thuhet se është monitoruar nga distanca situata në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.
*TeamViewer është një program kompjuterik që mundëson kontrollin në distancë të pajisjeve, ndërlidhjen mes pajisjeve, ndihmën teknike dhe shkëmbimin e dokumenteve përmes internetit.
“Me këto veprime, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me interesat shtetërore të Republikës së Kosovës, duke dëmtuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare, si dhe ka rrezikuar drejtpërdrejtë jetën e zyrtarëve shtetërorë dhe qytetarëve të saj”- thuhej në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.
Po ashtu, thuhej se gjatë bastisjes së shtëpisë së babait të tij në fshatin Berivojcë i janë gjetur pa autorizim një armë e llojit “Zastava”, e kalibrit 7.65 milimetër, 60 fishekë të kalibrit 7.65 milimetër dhe 30ë fishekë të kalibrit 9×19 milimetër, për të cilat thuhet se i janë sekuestruar në vendin e ngjarjes, raporton Kallxo.