Gruaja gjendet pa shenja jete në shtëpi në Vitomiricë, kunati i dyshuar për vrasjen ndodhet në arrati

Gruaja gjendet pa shenja jete në shtëpi në Vitomiricë, kunati i dyshuar për vrasjen ndodhet në arrati

Written by

in

Një grua është gjetur pa shenja jete të shtunën mbrëma në fshatin Vitomiricë të Pejës, pasi më herët gjatë ditës Policia ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë ishte njoftuar për rastin e dhunës në familje. Viktima ishte shoqëruar në stacion policor, ku ishte intervistuar.

Për këtë rast ishte arrestuar dhe intervistuar edhe bashkëshorti i saj, i cili ishte ndaluar për 48 orë.

Ndërkaq, viktima, me vullnetin e saj, ishte dërguar në shtëpinë e saj në Vitomiricë.

Rreth orës 21:10, policia është njoftuar se gruaja ishte gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e saj.

Sipas të dhënave fillestare të policisë, dyshohet se vdekja e gruas ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.

Për rastin e dytë, policia ka bërë të ditur se i dyshuari, i cili dyshohet të jetë kunati i viktimës, ndodhet në arrati.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori i Shtetit, ndërsa policia ka bërë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të lokalizuar e arrestuar të dyshuarin.

Vrasje në Vitomericë të Pejës, në vendin e ngjarjes dalin Policia dhe Prokuroria

Burimi: Dukagjini