Një grua është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e së dielës në fshatin Vitomiricë të Pejës, ndërsa dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje në këtë fshat.
“Viktima është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar. Po ashtu, është arrestuar dhe intervistuar edhe personi i dyshuar (bashkëshorti i viktimës), i cili është ndalur në mbajtje për 48 orë. Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Rreth orës 21:10, policia është njoftuar se gruaja është gjetur pa shenja jete.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet tutje në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se, bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë.
“Personi i dyshuar për rastin e dytë (i cili dyshohet se është kunati i saj) ndodhet në arrati”, ka njoftuar policia.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes.
Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.
Burimi: RTKLive
