Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka nisur zbatimin gradual të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), i cili do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të kryejnë transferta të menjëhershme të mjeteve financiare, në çdo kohë të ditës dhe të javës.
Nisja e këtij procesi u bë në kuadër të funksionalizimit të platformës TIPS Clone në pesë vendet pjesëmarrëse, në një ceremoni zyrtare të organizuar nga Banka e Italisë në Romë.
Në këtë ceremoni mori pjesë guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatori Dardan Fusha dhe bashkëpunëtorë të tjerë të institucionit.
Sipas BQK-së, me zbatimin e sistemit TIPS-K, qytetarët dhe bizneset në Kosovë do të mund të realizojnë transferta bankare në kohë reale, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë dhe 365 ditë në vit.
Banka Qendrore ka bërë të ditur se zbatimi i sistemit ka nisur sipas planit të përcaktuar dhe se tashmë janë realizuar me sukses edhe transferet e para të menjëhershme.
Funksionalizimi i këtij sistemi konsiderohet një hap i rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës financiare të Kosovës, pasi pritet të rrisë efikasitetin e transaksioneve, të përmirësojë qarkullimin e mjeteve financiare dhe të mbështesë aktivitetet ekonomike.
Po ashtu, sistemi synon të zgjerojë përdorimin e pagesave elektronike, duke mundësuar që transferet ndërmjet llogarive bankare të realizohen pa pritur orarin tradicional të punës së bankave.
BQK-ja ka vlerësuar bashkëpunimin me Bankën e Italisë, Bankën Qendrore Evropiane, Bankën Botërore dhe institucionet e tjera partnere që kanë kontribuar në realizimin e projektit.
Mirënjohje i është shprehur edhe bankave komerciale dhe ekipeve profesionale të përfshira në këtë proces.


