
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vizitës së Jakup Krasniqit në familjen e tij në Prishtinë.
Ajo ka thënë se me shumë dhimbje po e përcjellim ardhjen e tij në Kosovë.
Sipas saj, ai është kthyer për pak ditë, për të qenë pranë bashkëshortes, gjendja shëndetësore e së cilës është rënduar.
“Zëri i UÇK-së gjatë luftës, Kryetari i Kuvendit që drejtoi seancën historike të shpalljes së Pavarësisë dhe atë të miratimit të Kushtetutës, një nga figurat e rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës. Sot, Jakup Krasniqi po kalon ditë të vështira, larg lirisë dhe në rrethana të rënda familjare, por jo i vetëm.”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se qëndrimi i saj për procesin dhe aktgjykimin ndaj tij dhe të tjerëve është i njohur.
“Tani që çështja ndodhet në Apel, do ta vazhdojmë betejën për drejtësi dhe për lirimin e plotë të krerëve të UÇK-së. Jam pranë Jakup Krasniqit, bashkëshortes dhe gjithë familjes së tij. Atyre u uroj forcë dhe që këto ditë, sado të vështira, t’i kalojnë bashkë e në qetësi.”, ka thënë Haxhiu në një postim në Facebook. /Klankosova.tv