Hoxhaj për Ligjin për Specialen: S’do të lëmë gurë pa lëvizur deri në miratimin e tij

Hoxhaj për Ligjin për Specialen: S'do të lëmë gurë pa lëvizur deri në miratimin e tij

Written by

in

Hoxhaj për Ligjin për Specialen: S'do të lëmë gurë pa lëvizur deri në miratimin e tij

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se miratimi i ligjit për Gjykatën Speciale mbetet çështje që kërkon dakordim të të gjitha subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës.

Para nisjes së seancës plenare, Hoxhaj ka bërë të ditur se drafti i ligjit është diskutuar në takimin e grupit strategjik, ndërsa ka paralajmëruar se çështja pritet të procedohet në një nga seancat e ardhshme të Kuvendit.

Ai ka theksuar se ligji nuk është më vetëm iniciativë e PDK-së, pasi sipas tij, atë e kanë votuar 88 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

“Ligji më nuk është vetëm i Partisë Demokratike të Kosovës, e kanë votuar të 88 deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe si i tillë duhet ta kemi konsensusin e të gjitha subjekteve politike që të votohet në një seancë kur të arrijmë që të ketë një dakordim të plotë”, ka deklaruar Hoxhaj, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.

Duke folur për përmbajtjen e draftit dhe dallimet me versionin e mëparshëm, ai nuk ka dhënë detaje konkrete, duke thënë se këto çështje duhet të diskutohen me të gjitha subjektet politike.

Hoxhaj ka ritheksuar qëndrimin e tij për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe procesin gjyqësor në Hagë.

“Lufta jonë ka qenë e drejtë, lufta jonë ka qenë e pastër, liria jonë nuk është krim, pavarësia e Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe ne nuk do të lëmë gurë pa lëvizur për ta miratuar këtë ligj në Kuvend të Kosovës”, ka thënë ai.

I pyetur për kërkesën e Bashkimit Evropian që Kosova të konsultohet me ta lidhur me këtë çështje, Hoxhaj ka thënë se do të ketë takime me përfaqësuesit evropianë, por ka theksuar se vendimmarrja i takon Kuvendit të Kosovës.

“Bashkimin Evropian ne do ta takojmë, do të konsultohemi, kemi pasur edhe 10 takime, do të kemi edhe sot takime, do t’i takojmë, por kjo nuk do të thotë që do t’i dëgjojmë”, është shprehur Hoxhaj.

Ai ka shtuar se, sipas tij, Kuvendi duhet të ketë të drejtën e monitorimit të Gjykatës Speciale, duke kërkuar transparencë dhe mbikëqyrje të plotë.