
Një mosmarrëveshje për një vend parkingu dyshohet se çoi në vrasjen e Sylë Dakës sot në Suharekë.
60-vjeçari Rrahman Hoti dyshohet se qëlloi dy herë me armë zjarri ndaj 59-vjeçarit Daka, i cili në momentin e sulmit ndodhej në veturë bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tij të vogël, raporton Klan Kosova.
Nga të shtënat, Daka mori plagë në pjesën e sipërme të trupit, të cilat rezultuan fatale.
Hetuesit policorë dhe Prokuroria kanë kryer ekzaminimet në vendin e ngjarjes, ku janë mbledhur dhe dokumentuar prova të ndryshme. Në mesin e veprimeve hetimore ishte edhe ekzaminimi i veturës në të cilën ndodhej viktima në momentin e sulmit.
Ndërkohë, paralelisht me ekzaminimet në vendin e ngjarjes, policia zhvilloi aksion për arrestimin e të dyshuarit, Rrahman Hoti.
Gjatë arrestimit, atij iu sekuestrua edhe arma me të cilën dyshohet se kreu vrasjen. Sipas pretendimeve, Hoti e posedonte atë me leje.
Rasti merr një dimension tjetër edhe për shkak të së kaluarës së të dyshuarit. Sipas informacioneve të deritanishme, Hoti kishte vrarë edhe bashkëshorten e tij në Zvicër, në vitin 2011.
Për këtë vrasje ishte dënuar me 19 vjet burgim, por kishte vuajtur 13 vjet, para se të kthehej në Kosovë.
Detajet i gjeni në videon më poshtë: