
Të dielën e 15 nëntorit, u shënua një skandal i Bashkimit Evropian, karshi Republikës së Kosovës.
Melodia e një kënge serbe që përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës u interpretua në hapjen e Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, duke nxitur reagime të forta gjithandej.
Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos shprehu keqardhje e shtoi se kënga nuk pasqyron në asnjë mënyrë as qëndrimin e Komisionit Evropian, as qëndrimin e saj personal ndaj Kosovës dhe historisë së saj.
Ngjarja me këngën nacionaliste serbe që Brukseli mohon ta ketë miratuar luajtjen e saj në ngjarjen e madhe, është veç incidenti më ri në raportet e BE-së me Kosovën.
Më 2021, Klan Kosova, zbuloi se emisari i atëhershëm për dialogun, Miroslav Lajçak, mbante në zyrën e tij në Bruksel, një hartë në të cilën nuk figuronte qartë vija kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, madje harta s’kishte as ndërprerjet kufizuese, sipas Rezolutës 1244.
Pas këtij skandali, BE-ja ndërroi pamjen e zyrës së emisarit, duke hequr hartën në fjalë. E vetë i dërguari për dialogun mundohej të arsyetohej.
Ndërkaq, në korrik të 2020-ës, derisa po e takonte presidentin serb, në misionin e këtij shteti në Bruksel, komisionari për Zgjerim i kohës, hungarezi Oliver Varhelyi, u fotografua me nikoqirin pranë një libri me përmbajtje shoveniste, e pretendime territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.
BE-ja pati thënë atëhere se takimi I komisionerit me serbin nuk ndodhi në zyrën e zyrtarit evropianë, kurse nga Prishtina zyrtare thanë se ky ishte skandal diplomatik.