
Një zyrtar policor që shërbente në Stacionin Policor në Ferizaj është arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme.
Polici me inicialet L.R. dyshohet për organizim të skemave piramidale, bixhoz të paligjshëm, posedim të paautorizuar të armëve, si dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, raporton Klan Kosova.
Arrestimi i tij u bë nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Sipas dyshimeve, zyrtari policor kishte edhe armë me të cilat dyshohet se ka shtënë në një lokacion malor.
Ndërkohë, me urdhër të Prokurorisë janë realizuar bastisje në lokale dhe banesa të të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.
Në komunikatën e lëshuar nga Inspektorati Policor i Kosovës është bërë e ditur se, me vendim të prokurorit, zyrtarit policor i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Po ashtu, në kuadër të këtij rasti janë intervistuar edhe gjashtë qytetarë në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale “Shitblerja e armëve”.
Ndaj tyre, sipas njoftimit, hetimet do të vazhdojnë në procedurë të rregullt.