“I kam gati dy milionë litra, duhet me i shkarku me letra” – Dosja e mashtrimit të naftës me ujë, Insajderi sjell përgjimet nga bisedat e të akuzuarve

“I kam gati dy milionë litra, duhet me i shkarku me letra” – Dosja e mashtrimit të naftës me ujë, Insajderi sjell përgjimet nga bisedat e të akuzuarve

Written by

in

“I kam gati dy milionë litra, duhet me i shkarku me letra” – Dosja e mashtrimit të naftës me ujë, Insajderi sjell përgjimet nga bisedat e të akuzuarve

Përgjimet telefonike dhe incizimet e bisedave mes të dyshuarve në rastin e kontrabandimit të derivateve të naftës zbulojnë detaje për mënyrën se si dyshohet se funksiononte skema, përfshirë manipulimin me cisternat, lëshimin e faturave dhe organizimin e transportit të derivateve.

Gazeta Insajderi ka siguruar aktakuzën në të cilën Prokuroria Speciale ka përfshirë një sërë bisedash të përgjuara mes Faruk Mazrekut, Fariz Mazrekut dhe personave të tjerë që dyshohet se ishin të përfshirë në këtë skemë.

Në njërën prej bisedave, të zhvilluar më 19 dhjetor 2023, në orën 20:50, Farizi e pyet Shasivarin nëse i kanë nxjerrë kofat nga cisterna. Shasivari i përgjigjet se janë nxjerrë 63 të zbrazura nga Naseri.

Farizi e pyet më pas se sa kanë dalë, ndërsa Shasivari i përgjigjet se kanë dalë 6 mijë. Në vazhdim të bisedës, Farizi përmend shifrën 5 mijë e 900 euro dhe diskuton për nxjerrjen e tyre nga cisterna.

Një tjetër bisedë, e zhvilluar më 11 janar 2024, lidhet drejtpërdrejt me zbrazjen e cisternave. Farizi e pyet Shasivarin nëse i ka zbrazur, ndërsa ky i përgjigjet se po. Farizi i thotë se duhet të mbushen prapa me diçka, duke e pyetur nëse mbushja është bërë si duhet.

Në një komunikim tjetër, më 19 dhjetor 2023, Shasivari e njofton Farizin se nafta që po e marrin me kofë po del me ngjyrë pak më ndryshe dhe me turbullirë.

Aktakuza përmban edhe komunikime për shuma të konsiderueshme parash dhe fatura që dyshohet se ishin fiktive.

Më 15 janar 2024, Farizi kontakton Skender Kelmendin dhe i kërkon që të flasë me Faikun për të mbyllur një çështje. Skenderi i përgjigjet se mund të bëhet një faturë në emër të një kompanie, duke i thënë se duhet të blihen 50 mijë euro në shifra.

Farizi e pyet nëse bëhet fjalë për një punë prej 55 mijë eurosh në një vend, ndërsa Skenderi i përgjigjet se nuk është punë që kryhet me para të gatshme, por duhet të bëhet siç është paraparë.

Në një bisedë tjetër, më 21 shkurt 2024, Faruk Mazreku e pyet Skender Kelmendin nëse mund t’ia bëjë një dokument të tillë. Ky i përgjigjet se nuk mundet, pasi e ka një problem tjetër me një faturë 25-mijë eurosh.

Prokuroria përfshin edhe një komunikim të 8 korrikut 2024, ku Faruku i thotë Skenderit se i ka dy milionë e më shumë dhe e pyet nëse mund t’i ndihmojë me dokumentacion, duke përmendur edhe mundësinë e përfshirjes së inspektimit. Skenderi i përgjigjet që të shkruajë, ndërsa Faruku i thotë se nuk mund të bëjë asgjë nëse nuk e ndihmon.

Dy milionë litra që duhej të shkarkoheshin me letra

Një prej bisedave më domethënëse në aktakuzë është ajo mes Faruk Mazrekut dhe Nisret Bajraktarit, të cilin Prokuroria e lidh me lëshimin e faturave përmes biznesit “Seticommerc SH.P.K.”, kinse për blerjen e derivateve nga “PO Petrol Fariz”.

Komunikimi është zhvilluar më 14 qershor 2024, në orën 19:22.

Nisreti e pyet Farukun se çfarë i nevojitet, ndërsa ky i përgjigjet: “Të shkarkohen me letra, se ma kanë zënë një kamion dhe duhet me u shkarku, se i kam gati dy milionë litra”.

Faruku shton se këtë punë do ta kryejë gjatë atij muaji dhe muajit pasues, për ta anuluar më pas dhe për të marrë sërish një pjesë të saj.

Nisreti i përgjigjet: “Mos ta nin, buni zgjidhje, veç më trego çka ke ba”.

Më vonë, në orën 19:31, Faruku i thotë: “Merre vulën edhe hajde shpejt te pompa”.

Sipas aktakuzës, këto komunikime ndërlidhen me dyshimet për lëshimin e faturave fiktive.

Bisedat për modifikimin e autoboteve dhe mbushjen me ujë

Pjesë tjetër e përgjimeve lidhet me modifikimin e cisternave që përdoreshin për transportin e derivateve.

Në komunikimet mes Faruk Mazrekut dhe vëllait të tij, Muhamet Mazrekut, të zhvilluara më 24 mars 2024, diskutohet për rregullimin e një ventili në autobotet e derivateve dhe mbushjen me ujë.

Më 25 korrik 2024, Faruku i thotë Muhametit se duhet të bëhet një sistem i plotë për cisternën. Në këtë bisedë përmenden kapakët që duhet të priten dhe rrjetat që duhet të vendosen, ndërsa Faruku kërkon që i gjithë sistemi të përfundojë si duhet.

Në një komunikim të 11 nëntorit 2024, Muhamet Mazreku bisedon me personin që në aktakuzë identifikohet si Haxhi Baba, për çmimin e modifikimit të autoboteve. Haxhiu i thotë se ka kërkuar 350 euro për dy prej tyre, ndërsa për dy të tjerat 700 euro.

Një ditë më vonë, në një tjetër bisedë, Muhameti diskuton sërish me Haxhiun për cisternën dhe mënyrën se si duhet të mbyllen pjesët e saj.

Prokuroria pretendon se Gazmen Quni, në bashkëpunim me Faruk dhe Muhamet Mazrekun, kishte modifikuar mjetet transportuese për t’i përdorur në transportin e derivateve të naftës.

Në një bisedë të 17 tetorit 2024, Faruku diskuton me Gazmenin për modifikimin e një cisterne me kapacitet prej 3 mijë litrash, duke dhënë udhëzime për saldimin dhe sigurimin që të mos ketë përzierje.

Në përgjime përmenden edhe shuma të mëdha financiare. Në një komunikim të 3 tetorit 2024, Faruku kërkon nga personi i identifikuar si PPM që t’i dorëzojë Muhametit 67 mijë euro për nevojat e doganës.

Në një tjetër bisedë, më 17 tetor 2024, përmendet edhe një transferim prej 200 mijë eurosh.

“Krejt është spiunazh, si i panë tabelat e Kosovës”

Në një bisedë të zhvilluar më 25 tetor 2024, Faruku diskuton me Naserin për kontrollet dhe transportin e derivateve.

Naseri i thotë: “Krejt është spiunazh, si i panë tabelat e Kosovës”.

Faruku i përgjigjet se nuk e di se çfarë po ndodh, por shton se nuk po mund të flasë lirshëm për këtë çështje.

Në vazhdim, Faruku përmend një person të quajtur Paulin dhe thotë se njëri nga shefat atje është i tij. Ai gjithashtu përmend se kishte paguar 12 mijë euro përmes Muhametit.

Në një bisedë tjetër, më 4 tetor 2024, Faruku i tregon Naserit se dokumentet i kishte rregulluar ligjërisht, pasi fillimisht kishte menduar se po bënte diçka të paligjshme, por kishte frikë se mund të zbulohej.

Në bisedën e 19 shtatorit 2024, Faruk Mazreku diskuton me Naser Morinën për transportin e derivateve, pagesat dhe rreziqet gjatë operimit, duke përmendur edhe masat për shmangien e kontrolleve doganore. Në një komunikim të 25 tetorit, Naseri i thotë se nuk e mban mend nëse janë kontrolluar, ndërsa Faruku i përgjigjet: “Hajt se flas me P., se njëri nga shefat aty është njëri i Paulinit”. Në të njëjtën bisedë, Faruku përmend edhe 12 mijë euro që thotë se ia kishte dhënë Muhameti. /Insajderi.org/

Burimi: Insajderi