Policia e Ferizajt ka identifikuar një 19-vjeçar, i cili ishte incizuar duke drejtuar veturën me shpejtësi prej 170 kilometrash në orë në një zonë të banuar, ku kufizimi i shpejtësisë ishte 40 km/h.
Sipas policisë, i riu po drejtonte një veturë të tipit BMW në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj. Videon e kundërvajtjes ai e kishte publikuar edhe në rrjetet sociale.
Gjatë verifikimeve, policia ka konstatuar se 19-vjeçari nuk posedonte patentë shoferi. Ai e ka pranuar se ishte personi që ndodhej në timon në momentin kur ishte realizuar incizimi.
Ndaj tij janë ndërmarrë veprimet ligjore dhe është iniciuar procedurë kundërvajtëse në gjykatë.