Sarah Huckabee Sanders, guvernatorja aktuale e Arkansasit dhe ish-zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së Donald Trumpit, është bërë virale në rrjetet sociale për një arsye jo fort të këndshme.
Sanders, e cila ishte zëdhënëse e Trumpit nga viti 2017 deri më 2019, po promovon librin e saj të ri “UNAPOLOGETIC”.
“Besimi im nuk ndikon vetëm tek unë – ai më përcakton”, deklaroi ajo, duke shtuar se libri flet për identitetin dhe bindjet që, sipas saj, duhet të jenë themeli i së ardhmes.
Problemi nisi me fotografinë promovuese të librit.
Në kopertinë duhej të shkruhej: “Clarity and Conviction in a World Gone Crazy”, por përdoruesit e rrjeteve sociale vunë re menjëherë disa gabime të çuditshme.
Fjala “clarity” ishte shkruar gabimisht si “clerity”, ndërsa në fjalën “crazy” shkronja “z” ishte zëvendësuar me një simbol që i ngjante numrit 3 të kthyer mbrapsht.
Kjo nxiti dyshime se fotografia promovuese mund të ishte krijuar me Al.
Postimi u shpërnda me shpejtësi, ndërsa përdorues të shumtë e kritikuan Sanders për faktin se, nëse imazhi ishte vërtet gjeneruar me AI, askush nuk i kishte kontrolluar gabimet para publikimit.
Situata u bë edhe më ironike pasi kopertina e librit e publikuar në Amazon nuk përmban të njëjtat gabime.
Kjo ka ngritur pyetje se përse u përdor një imazh i tillë për promovimin e librit dhe si kaloi pa u vënë re një gabim kaq i dukshëm. /Telegrafi/