JD Vance distancohet nga Trumpi?

JD Vance distancohet nga Trumpi?

Written by

in

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, duket se ka nisur përpjekjet për t’u distancuar politikisht nga presidenti Donald Trump, pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, me synimin për të ruajtur shanset e tij për të qenë kandidat i partisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Në një reagim të publikuar të mërkurën në platformën X, Vance kritikoi strategjinë zgjedhore të republikanëve dhe mesazhet e tyre ekonomike, duke argumentuar se partia kishte humbur kontaktin me shqetësimet e qytetarëve për rritjen e kostos së jetesës.

Deklarata më e drejtpërdrejtë e tij ishte “arsyeja pse humbëm është lufta”, duke iu referuar konfliktit në Iran dhe ndikimit të tij në rritjen e çmimeve të karburanteve, shkruan cnn.

Vance paraqiti edhe katër hapa që, sipas tij, mund t’i rikthejnë votuesit në anën e republikanëve – përfundimin e luftës, përqendrimin te kostoja e jetesës dhe inflacioni, vendosjen e interesave amerikane në plan të parë dhe ndryshimin e marrëdhënieve me Izraelin.

Reagimi i tij shihet edhe si një përpjekje për t’iu afruar krahut izolacionist të lëvizjes MAGA, të përfaqësuar nga komentatori Tucker Carlson, i cili mbështeti Trumpin pikërisht për shkak të premtimeve për t’i dhënë fund përfshirjes amerikane në luftëra të huaja.

Ndërkohë, pas humbjes së republikanëve, mbetet e paqartë nëse Vance dhe zyrtarët e tjerë të administratës Trump, përfshirë sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, do të arrijnë të distancohen nga lufta në Iran gjatë fushatës presidenciale të vitit 2028.

Reagimi i Vance vjen në një kohë kur kanë nisur diskutimet për garën e ardhshme presidenciale, ndonëse kanë mbetur edhe dy vjet deri në zgjedhjet e vitit 2028. /Telegrafi/