
Një aksion i Policisë në lagjen Ulpiana të Prishtinës ka përfunduar me arrestimin e një 49-vjeçari, ndaj të cilit ishte aktive një urdhëresë për arrestim. Ai kërkohej për ekzekutimin e një dënimi prej 90 ditësh burgim, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Senad Rexhepin, rreth 49 vjeç.
Arrestimi është realizuar të mërkurën, më 18 nëntor, rreth orës 21:00, gjatë një operacioni të Njësisë për Realizimin e Urdhëresave të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.
Zyrtarët policorë po kërkonin persona ndaj të cilëve kishte urdhërarreste aktive, kur kanë lokalizuar Rexhepin në lagjen Ulpiana.
Pas identifikimit, ai është arrestuar në zbatim të urdhëresës përkatëse.
Sipas informacioneve të siguruara, ndaj tij ishte caktuar një dënim prej 90 ditësh burgim, për ekzekutimin e të cilit është dërguar në institucionin korrektues.
Në informacionin policor nuk specifikohet vepra penale për të cilën është shqiptuar dënimi.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali