Në fshatin Siqevë të Klinës po realizohen dy projekte infrastrukturore, shtrirja e rrjetit të ndriçimit publik dhe rrethimi i varrezave të fshatit.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, përmes një postimi në Facebook, duke njoftuar se të dy projektet financohen nga buxheti komunal dhe realizohen në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjente.
Elezaj ka bërë të ditur se, së bashku me nënkryetarin Fadil Gashi, drejtorin e Shërbimeve Publike, Qendrim Millaku, dhe anëtaren e Kuvendit Komunal, Marigona Racaj, kanë vizituar vendpunishtet për të parë nga afër ecurinë e punimeve.
Sipas tij, këto projekte kanë qenë kërkesa të banorëve të Siqevës dhe tashmë po realizohen.
Kryetari i Klinës ka bërë të ditur se komuna do të vazhdojë zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik edhe në fshatra të tjera, me synimin për të rritur sigurinë dhe për të përmirësuar kushtet për qytetarët.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu vazhdimin e projekteve për rregullimin dhe rrethimin e varrezave edhe në fshatra të tjera të komunës. /Telegrafi/