Përfaqësueset e Ambasadës së Republikës së Kosovës kanë zhvilluar një takim me drejtoreshën e ERIAC-ut, Anna Mirga, ku është diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mbështetje të komuniteteve dhe avancimit të të drejtave të tyre.
Gjatë takimit, është vlerësuar përvoja e Kosovës në avancimin e të drejtave të komuniteteve dhe përfshirjen e tyre në jetën institucionale, duke e cilësuar vendin si një shembull në rajon në këtë drejtim.
Palët kanë diskutuar mundësitë për shkëmbimin e përvojave, mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile dhe zhvillimin e nismave të përbashkëta që synojnë fuqizimin e komuniteteve, shkruan Telegrafi.
Në kuadër të takimit, përfaqësueset e Ambasadës së Kosovës kanë ftuar drejtuesit e ERIAC-ut që të vizitojnë Kosovën, me qëllim të njohjes nga afër me përvojën e vendit dhe identifikimit të mundësive konkrete për bashkëpunim.
Sipas përfaqësuesve të Kosovës, partneritetet e qëndrueshme dhe shkëmbimi i përvojave janë thelbësore për forcimin e organizatave, mbështetjen e aktivizmit dhe avancimin e të drejtave të komuniteteve, si në Kosovë ashtu edhe në rajon.
Takimi synon të kontribuojë në krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim dhe në forcimin e përpjekjeve të përbashkëta për përfshirje dhe barazi./Telegrafi/