Kosova dhe Gjermania thellojnë bashkëpunimin, mbi 2 milionë euro për aftësimin profesional dhe projekte të reja

Kosova dhe Gjermania thellojnë bashkëpunimin, mbi 2 milionë euro për aftësimin profesional dhe projekte të reja

Written by

in

Kosova dhe Gjermania kanë zhvilluar konsultimet zyrtare për Bashkëpunimin për Zhvillim, duke diskutuar projektet e realizuara, prioritetet e ardhshme dhe investimet në disa sektorë me rëndësi për vendin.

Takimet janë mbajtur nga 26 deri më 30 tetor, ndërsa bashkëpunimi mes dy vendeve përfshin tri fusha kryesore: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, energjinë dhe klimën, si dhe qeverisjen e mirë.

Delegacioni gjerman udhëhiqej nga Dr. Micong Klimes, përfaqësuese e Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).

Në përbërje të tij ishin edhe Daniel Alker, drejtor i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën Gjermane, Markus Delfs, drejtor i GIZ-it për Kosovën, dhe Moritz Remé, shef i zyrës së KfW-së, së bashku me përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve.

Gjatë vizitës, delegacioni gjerman zhvilloi takime me ministritë partnere të Kosovës, ku u diskutua për projektet aktuale, mundësitë e reja të bashkëpunimit dhe prioritetet për periudhën e ardhshme.

Një nga fushat ku është konkretizuar mbështetja gjermane është zhvillimi i aftësive profesionale.

Përmes Fondit Rajonal të Sfidave janë ndarë 2.1 milionë euro për pesë projekte të trajnimit profesional në sektorë si teknologjia e informacionit dhe komunikimit, siguria kibernetike dhe përpunimi i ushqimit, shkruan Telegrafi.

Në kuadër të projekteve për punësim dhe sipërmarrje, 99 pjesëmarrës janë trajnuar në fushën e agrobiznesit dhe energjisë diellore, ndërsa pesë prej tyre kanë përfituar grante për zhvillimin e ideve të tyre të biznesit.

Mbështetja gjermane përfshin edhe sektorin e energjisë, përmes forcimit të Fondit të Efiçiencës së Energjisë së Kosovës dhe zgjerimit të investimeve në kursimin e energjisë dhe burimet e pastra.

Një tjetër projekt përfshin pesë komuna të rajonit të Dukagjinit, të cilat po mbështeten në zhvillimin e një sistemi të integruar dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave.

Përveç takimeve institucionale, përfaqësuesja e BMZ-së mori pjesë edhe në Forumin e Tretë Ekonomik Kosovaro-Gjerman, ku u diskutua për rolin e diasporës së biznesit kosovar në Gjermani dhe potencialin e saj për të nxitur investimet dhe për të forcuar lidhjet ekonomike ndërmjet dy vendeve.

Në përfundim të konsultimeve, pala gjermane riafirmoi përkushtimin për vazhdimin e partneritetit me Kosovën, me fokus në përmirësimin e kushteve të jetesës, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e rrugës së vendit drejt Bashkimit Evropian./Telegrafi/