
Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me rezultatin e bardhë 0-0.
“Dardanët” shfaqën një lojë të nivelit të lartë dhe dominuan plotësisht 45 minutat e para, duke krijuar disa raste ideale shënimi, por fati nuk ishte në anën e tyre, ndërsa izraelitët u fokusuan kryesisht në fazën defensive.
Që në startin e takimit, Kosova mori iniciativën dhe rrezikoi dy herë brenda dhjetë minutave të para:
Minuta e 3-të: Pas një topi të kthyer në zonë nga Vedat Muriqi, Kreshnik Hajrizi pati rastin e parë të mirë, por gjuajtja e tij përfundoi mbi portë.
Minuta e 8-të: Edon Zhegrova u shfaq mjaft i rrezikshëm me një goditje të fuqishme nga zona, por topi kaloi ngjitur me shtyllën pingule.
Minuta e 17-të: Milot Rashica testoi reflekset e portierit Daniel Peretz me një gjuajtje nga distanca me të majtën, por gardiani izraelit bëri një ndërhyrje vendimtare.
Minuta e 25-të: Izraeli regjistroi goditjen e parë dhe të vetmen serioze në kornizën e portës përmes Oscar Gloukh, mirëpo portieri Amir Shaipi ishte i vëmendshëm dhe nuk lejoi të mposhtej.
Minuta e 41-të: Rasti më i mirë i pjesës së parë erdhi në fund, kur debutuesi Lindrit Kamberi u tregua i pafat. Pas një harkimi të saktë nga Veldin Hoxha, Kamberi goditi bukur me kokë, por topi u ndal në traversë.
Pavarësisht epërsisë së dukshme dhe rasteve të njëpasnjëshme të Kosovës, të dyja skuadrat shkuan në pushim me rrjetat e paprekura, ndërsa në pjesën e dytë pritet që “Dardanët” të kërkojnë me ngulm golin e fitores para tifozëve të tyre.
Burimi: Sinjali