Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit ka shprehur mirënjohjen për rolin e Francës në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e vendit.
“Biseduam për stabilitetin e plotë institucional e politik pas zgjedhjes së presidentes, planet e Qeverisë në këtë mandat të ri, të përqëndruara në infrastrukturën hekurudhore e atë sportive, ndërtimin e digave dhe industrinë e mbrojtjes, por edhe mundësitë konkrete të zgjerimit të bashkëpunimit dhe thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se kanë diskutuar edhe për reformat në drejtësi, arsim dhe administratë publike, si dhe për përparimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Kurti ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Francës për avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO.
“Roli mbështetës i Francës për avancimin e Republikës sonë në këtë proces është i rëndësishëm, sikurse në atë të anëtarësimit në NATO, që do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës”, ka shkruar ai.
Burimi: RTKLive
