Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta kombëtare për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe të gjitha gratë e vrara do të vazhdojë edhe sot, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen protestës, duke kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës ndaj grave dhe përgjegjësi institucionale për rastet e trajtuara.
Kolektivi ka paralajmëruar se protestat dhe bllokimi i institucioneve do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar. Për siguri e liri për gratë e gjalla, e drejtësi për gratë e vrara”, thuhet në thirrjen e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.
Protesta vjen pas tubimit të së mërkurës në Prishtinë, ku protestuesit kërkuan llogaridhënie për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Burimi: Dukagjini
