LEX – Nëntë të dyshuarit për mashtrim përmes call center-ave iu caktohet një muaj paraburgim

LEX – Nëntë të dyshuarit për mashtrim përmes call center-ave iu caktohet një muaj paraburgim

Written by

in

LEX – Nëntë të dyshuarit për mashtrim përmes call center-ave iu caktohet një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim për nëntë të dyshuarit për mashtrim dhe mashtrim kompjuterik, të cilët dyshohet se kanë vepruar përmes qendrave të thirrjeve (Call Center), duke mashtruar shtetas të huaj me investime të rreme financiare.

Siç ka raportuar më parë Gazeta Sinjali, në mesin e të dyshuarve janë Toni Salihu, rreth 27-vjeçar, Durim Morina, rreth 36-vjeçar, Diamant Hasani, rreth 25-vjeçar, Rea Hashani, rreth 23-vjeçare, Përparim Reka, rreth 36-vjeçar, Dorent Hajredini, rreth 27-vjeçar, Faik Zuka, rreth 19-vjeçar, Ariana Plakici, rreth 32-vjeçare dhe Bidaim Emini, rreth 23-vjeçar.

Sipas vendimit të gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbajtjes së seancës dëgjimore.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që të dyshuarit të arratisen, veçanërisht duke marrë parasysh se tre prej tyre janë shtetas gjermanë dhe se janë evidentuar udhëtime të shpeshta jashtë vendit.

Po ashtu, sipas gjykatës, ekziston rreziku që të dyshuarit të ndikojnë në rrjedhën e procedurës penale, të fshehin, ndryshojnë ose asgjësojnë prova materiale, si dhe të ndikojnë te të dëmtuarit, dëshmitarët apo bashkëpjesëmarrësit e mundshëm.

Sipas dyshimeve të paraqitura në vendim, gjatë vitit 2026 deri më 23 tetor, në lokacione të ndryshme në Prishtinë, të dyshuarit kanë vepruar në mënyrë të organizuar, me role të ndara, përmes qendrave të thirrjeve të përshtatura për këtë qëllim.

Ata dyshohet se, duke u paraqitur rrejshëm si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare, kanë vënë në lajthim shtetas të huaj dhe i kanë nxitur të kryejnë veprime që dëmtonin pasurinë e tyre, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm financiar.

Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali