Manuel Neuer paralajmëron pensionimin: Ky mund të jetë viti im i fundit i karrierës

Manuel Neuer paralajmëron pensionimin: Ky mund të jetë viti im i fundit i karrierës

Written by

in

Manuel Neuer pritet t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist në fund të këtij sezoni, duke i dhënë fund një prej karrierave më të suksesshme të një portieri në historinë e futbollit.

Portieri 40-vjeçar i Bayern Munichut ka pranuar se nuk pret të vazhdojë të luajë pas përfundimit të sezonit, ndërsa aktualisht po përballet me probleme fizike, pasi ka pësuar një çarje të pjesshme të tendinit në këmbë.

“Unë supozoj se gjërat nuk do të vazhdojnë për mua gjatë verës. Tani po përpiqem ta shijoj kohën që më ka mbetur”, deklaroi Neuer për “Sky Sports Germany”.

Kontrata aktuale e gjermanit me Bayernin skadon në qershor të vitit 2027, por deklarata e tij lë të kuptohet se vendimi për t’u pensionuar mund të vijë më herët.

Neuer iu bashkua gjigantit bavarez në vitin 2011, kur u transferua nga Schalke, dhe që atëherë është shndërruar në një prej figurave më të rëndësishme në historinë e klubit.

Gjatë kësaj periudhe, ai ka fituar 13 tituj të Bundesligës dhe dy trofe të Ligës së Kampionëve, duke lënë gjurmë të jashtëzakonshme me paraqitjet e tij.

Edhe me Kombëtaren e Gjermanisë ka pasur një karrierë të shkëlqyer, duke regjistruar 128 paraqitje. Kulmi ishte triumfi në Kupën e Botës 2014 në Brazil, ku u shpall edhe portieri më i mirë i turneut, duke fituar çmimin “Golden Glove”.

Neuer fillimisht ishte tërhequr nga Kombëtarja në vitin 2024, por më pas e kishte ndryshuar vendimin për t’u rikthyer për Kupën e Botës të këtij viti. Gjatë turneut kishte konfirmuar se pas përfundimit të tij do të tërhiqej sërish nga futbolli ndërkombëtar.

Ndërkohë, Bayerni aktualisht renditet në vendin e dytë në Bundesligë, pas Borussia Dortmundit./Telegrafi/