Gjatë takimit, ministri Maqedonci ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të gjeneralmajor Osbornit dhe mbështetjen e dhënë në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së.
“Shprehëm mirënjohjen tonë për angazhimin e vazhdueshëm dhe kontributin e çmuar në mbështetje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe në avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Ajovës”, thuhet në njoftimin e ministrit Maqedonci.
Medalja “Shërbim i Shquar” iu nda gjeneralmajor Osbornit për shërbimin e tij të dalluar, përkushtimin dhe kontributin në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së.
Maqedonci ka vlerësuar gjithashtu rëndësinë e partneritetit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, duke theksuar rolin e tij në procesin e transformimit, profesionalizimit dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale të ushtrisë së Kosovës.
“Partneriteti me Gardën Kombëtare të Ajovës ka luajtur rol të rëndësishëm në procesin e transformimit, profesionalizimit dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale të FSK-së”, thuhet në deklarimin e ministrit.
Ai ka theksuar se ky bashkëpunim është dëshmi e marrëdhënieve të fuqishme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat mbeten partneri strategjik dhe aleati kryesor i vendit në zhvillimin dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të Ajovës është një nga shtyllat e rëndësishme të partneritetit të mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve dhe përgatitjen profesionale të FSK-së.
Burimi: RTKLive
