MASh shfuqizon vendimin për zgjedhjen e Agron Bajraktarit rektor të UShAF-it

MASh shfuqizon vendimin për zgjedhjen e Agron Bajraktarit rektor të UShAF-it

Written by

in

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka shfuqizuar vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), përmes të cilit Agron Bajraktari ishte zgjedhur rektor i këtij universiteti.

Sipas MASh-it, vendimi është marrë pas konstatimit të shkeljeve ligjore në procedurën e zgjedhjes së rektorit, të evidentuara në një opinion të Zyrës Ligjore të ministrisë.

Në këtë opinion janë identifikuar dy shkelje: mosrespektimi i detyrimit ligjor për intervistimin e kandidatëve nga të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues, si dhe zgjedhja e Bajraktarit për një mandat të tretë, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Ministria ka bërë të ditur se Këshilli Drejtues, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të saj, për muaj të tërë ka refuzuar ta shqyrtojë opinionin ligjor dhe të ndërmarrë veprime për adresimin e shkeljeve të konstatuara.

Pas shfuqizimit të vendimit, MASh i ka kërkuar Këshillit Drejtues që brenda tri ditëve të emërojë një ushtrues detyre të rektorit, me konsensusin e të gjithë anëtarëve, si dhe të nisë përgatitjet për shpalljen e konkursit të ri për këtë pozitë.

Sipas ministrisë, arritja e konsensusit për emërimin e ushtruesit të detyrës do të përbënte një hap drejt rikthimit të bashkëpunimit dhe funksionimit të rregullt institucional në universitet.

Në fund, MASh u ka bërë thirrje anëtarëve të Këshillit Drejtues, stafit akademik dhe atij administrativ të UShAF-it që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës, duke vendosur interesin e universitetit mbi interesat personale.

Ministria ka theksuar se do të vazhdojë të angazhohet për garantimin e ligjshmërisë, respektimin e autonomisë universitare dhe stabilitetin institucional të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj./Telegrafi/