
Kosova ka shpenzuar rreth 1 miliard e 544 milionë euro për ndërtimin e autostradave R6 “Arbën Xhaferi” dhe R7 “Ibrahim Rugova”, pa përfshirë shpronësimet dhe shpenzimet e tjera shtesë.
Megjithatë, në këto dy autostrada mungojnë pompat e karburantit, ndërsa hapësirat e parapara për pushimore nuk janë funksionalizuar.
Kiks Kosova e përshkoi autostradën R7, nga Prishtina deri në Vërmicë, rreth 102 kilometra, pa hasur në asnjë pompë karburanti brenda saj. Edhe në autostradën R6, në drejtim të Ferizajt dhe Hanit të Elezit, nuk u gjetën pushimore të funksionalizuara në hapësirat e dokumentuara.
Kjo, pavarësisht se në Kosovë janë të licencuara rreth 750 pompa të derivateve, shumë prej të cilave gjenden pranë hyrje-daljeve të autostradave.
Eksperti i komunikacionit, Liridon Shahini, thotë se ndërtimi i pompave dhe pushimoreve brenda autostradave është çështje që trajtohet përmes Ministrisë së Infrastrukturës.
Ndërkaq, Xhevat Tahiri, ideator i autostradës “Ibrahim Rugova”, vlerëson se ministria duhet të hartojë një plan dhe të shpallë tenderë për shfrytëzimin e këtyre hapësirave nga kompanitë private.
Sipas Shahinit, funksionalizimi i tyre do t’u mundësonte udhëtarëve të furnizoheshin me karburant, të blinin ushqim dhe të pushonin gjatë rrugës.
Kiks Kosova i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për të marrë informacione lidhur me lokacionet e parapara, procedurat e tenderimit dhe planet për funksionalizimin e tyre.
Zëvendësministri Zef Morina ka thënë se aktualisht nuk është planifikuar ndonjë hap konkret për vendosjen e tarifave në autostrada dhe funksionalizimin e pushimoreve, por kjo mund të ndodhë në të ardhmen e afërt.
Ndërkaq, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka deklaruar se aktet normative të këtij institucioni nuk parashohin kufizime të veçanta për hapjen e pompave përgjatë autostradave, duke e orientuar çështjen te Ministria e Infrastrukturës.
Sipas të dhënave të Shoqatës Evropiane të Operatorëve të Autostradave, ASECAP, në fund të vitit 2024, Kroacia kishte 73 zona shërbimi me karburant, Serbia 65, ndërsa Sllovenia 54.
Në anën tjetër, eksperti i sektorit të naftës, Fadil Berjani, vlerëson se Kosova nuk ka nevojë për pompa brenda autostradave, për shkak të gjatësisë së tyre dhe numrit të madh të pikave të karburantit në vend.
Përveç mungesës së pompave dhe pushimoreve, në autostrada janë të vendosura edhe tabela me mbishkrimin “PAY TOLL”, të cilat janë të mbuluara.
Ekspertët Shahini dhe Tahiri vlerësojnë se vendosja e tarifave mund të ndihmojë në mbulimin e shpenzimeve të mirëmbajtjes së autostradave, por institucionet ende nuk kanë paralajmëruar ndonjë hap konkret.
Pavarësisht investimeve milionëshe, funksionalizimi i hapësirave të shërbimit dhe vendimi për tarifat mbeten çështje të pazgjidhura për autostradat e Kosovës.