Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se shtesat për fëmijë do të rriten gradualisht në katër faza, me synimin që deri në janar të vitit 2030 të dyfishohen/
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka njoftuar se rritja e parë prej 25 për qind do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, ndërsa rritjet e tjera do të realizohen në fillim të viteve 2028, 2029 dhe 2030.
“Në linjë me premtimin tonë për dyfishim të shtesave për fëmijët përgjatë mandatit, kemi paraparë dhe buxhetuar rritjen graduale të shtesave në katër faza, me nga 25% çdo vit mbi shumën aktuale. Pra, nga 1 janari 2027, shtesat për fëmijë rriten 25%, pastaj edhe më 1 janar të vitit 2028 përsëri 25%, në janar 2029 përsëri 25% dhe në janar 2030 kompletohet rritja graduale, duke rezultuar në dyfishimin e shtesave për fëmijë brenda mandatit”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka dhënë edhe shembuj konkretë të përfitimeve pas rritjes së parë. Sipas tij, një familje me dy fëmijë, që aktualisht merr 60 euro, nga janari do të përfitojë 75 euro në muaj. Ndërsa një familje me katër fëmijë, që merr 180 euro, do të marrë 225 euro.
Burimi: Dukagjini
