Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, beson se Lamine Yamal ende nuk e ka arritur nivelin e tij më të mirë, pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer në fitoren 6-1 ndaj Alavesit. Megjithatë, ai u shpreh i kënaqur me lojën e sulmuesit të krahut, të cilin e aktivizoi në pjesën e dytë.
Talenti i Barcelonës shënoi dy gola pasi u inkuadrua nga banka rezervë, duke ndihmuar skuadrën të regjistrojë një fitore bindëse në “Camp Nou” dhe të rikthehet në krye të La Ligës.
Flick shpjegoi se kishte biseduar me Yamal gjatë pushimit mes pjesëve dhe se synimi i tij ishte ta ndihmonte lojtarin të rikthente vetëbesimin, veçanërisht në situatat një kundër një.
“Kur shënon dy gola, është më e lehtë të futesh nga banka rezervë. Kam biseduar me të në pushim të pjesëve. Ai duhet ta rikthejë vetëbesimin, veçanërisht në situatat një kundër një. Është e rëndësishme që të pushojë. Ai zhvilloi një ndeshje shumë të mirë”, deklaroi Flick.
Trajneri gjerman theksoi gjithashtu rëndësinë e menaxhimit të ngarkesës së talentit të ri, duke lënë të kuptohet se pushimi është pjesë e procesit në rrugën drejt formës së tij më të mirë.
Flick u shpreh i kënaqur edhe me paraqitjet e Fermín Lópezit dhe Raphinhas, duke vlerësuar cilësinë që kanë në fazën ofensive.
“Niveli i tij është fantastik, sikurse edhe i Fermínit dhe Raphinhas. Kjo është ajo që dëshiroja të shihja pas humbjeve. Reagimi ynë ka qenë i mirë”, përfundoi trajneri i Barcelonës. /Telegrafi/