Kompania Rockstar Games ka konfirmuar se në videolojën GTA 6 lojtarët nuk mund të paguajnë më për shërbimet e prostitutave, duke hequr kështu një nga veçoritë më jetëgjata të serisë.
Kjo mundësi ishte pjesë e videolojërave Grand Theft Auto që nga GTA 3, ku lojtarët mund të merrnin në makinë punonjëse seksi gjatë vozitjes nëpër qytetin imagjinar Liberty City.
Rockstar e konfirmoi largimin e kësaj veçorie në një intervistë për Shacknews, duke shpjeguar se vendimi lidhet me drejtimin e ri të historisë dhe përqendrimin te marrëdhënia mes personazheve kryesore, Jasonit dhe Lucias.
Në një deklaratë, kompania e përshkroi GTA 6 si një histori për një çift që ndodhet në vështirësi dhe për dy të dashuruar që janë në arrati.
“Edhe pse kemi bartur shumë elemente nga lojërat e mëparshme të serisë GTA, gjithçka që kemi përfshirë në pjesën e gjashtë është menduar për të mbështetur frymën e historisë që kemi dashur të tregojmë dhe sistemet e lojës që kemi synuar t’i zhvillojmë më tej, si sistemi i kërkimit nga policia, radiot, grabitjet dhe vjedhja e veturave”, thuhet në deklaratën e Rockstarit.
Kompania shtoi se shumë veçori nga lojërat e mëparshme nuk janë përfshirë në GTA 6, ndërsa ato që kanë mbetur janë përzgjedhur për t’iu përshtatur historisë së Jasonit dhe Lucias.
Rob Nelson, një nga drejtuesit e studios Rockstar North, dha më shumë hollësi për mënyrën se si është ndërtuar marrëdhënia mes dy personazheve.
Ai shpjegoi se ekipi synoi që Jasoni dhe Lucia të dukeshin si çift edhe jashtë misioneve kryesore. Për këtë arsye, loja përfshin ndërveprime të përditshme, si shikimi i televizorit së bashku, vallëzimi apo përgatitja e kafesë për njëri-tjetrin.
Madje, lojtarët kanë edhe një buton të veçantë për t’u mbajtur për dore.
Nelson theksoi se lojtarët do të vendosin vetë se sa kohë dëshirojnë t’i kushtojnë marrëdhënies së dy personazheve. Kur janë të ndarë, ata mund të telefonojnë ose t’i dërgojnë mesazhe njëri-tjetrit.
Megjithatë, largimi i kësaj veçorie nuk nënkupton se GTA 6 nuk përmban elemente të tjera të argëtimit për të rriturit, pasi në lojë vazhdojnë të jenë të pranishme klubet e striptizmit dhe vallëzimet private.
Kjo është hera e parë që një lojë tredimensionale e serisë Grand Theft Auto nuk u mundëson lojtarëve të paguajnë për shërbimet e prostitutave. /Telegrafi/