
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (SRKEK) ka bërë thirrje publike për të gjithë punëtorët e divizioneve të KEK-ut që të bashkohen nesër në një protestë masive para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit Drejtues në Toskanë.
Protesta e cila është caktuar të mbahet nesër, më 12 nëntor, në orën 11:00, vjen si rrjedhojë e mospërgjigjes pozitive nga ana e menaxhmentit dhe bordit ndaj kërkesave të drejtuara më parë nga përfaqësuesit e punëtorëve.
Përmes një komunikate për media të nënshkruar nga kryetari i Sindikatës së Re, Xhelal Jashari, theksohet se punëtorët po përballen çdo ditë me kushte të vështira pune në miniera e termocentrale — përfshirë pluhurin, temperaturat ekstreme dhe rrezikshmërinë e lartë — pa marrë vlerësimin e merituar financiar.
Kërkesat kryesore të punëtorëve përfshijnë:
- Caktimin e një page të dinjitetshme për të gjithë punonjësit;
- Ekzekutimin e pagës së 13-të;
- Përmirësimin e kushteve të punës dhe vlerësimin e rrezikshmërisë në vendin e punës.
Nga SRKEK u është bërë thirrje të gjithë punonjësve nga DPQ, TC Kosova A, TC Kosova B dhe Siguria Fizike që të bëhen bashkë në këtë përbalje për të drejtat e tyre.
“Nuk kërkojmë lëmoshë e as privilegje, por dinjitetin që na takon për punën që bëjmë. Nesër nuk dalim për inat të askujt, por për veten dhe familjet tona,” thuhet ndër të tjera në thirrjen e sindikatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali