Blog

  • Kosova renditet e dyta në Evropë për inovacionin kundër korrupsionit

    Kosova renditet e dyta në Evropë për inovacionin kundër korrupsionit

    Kosova është renditur në vendin e dytë në Evropë me një nismë për parandalimin e korrupsionit, të realizuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) në bashkëpunim me organizatën D+.

    Projekti “Shkolla për Integritet dhe Parandalim të Korrupsionit: Fuqizimi i të Rinjve për të Ndërtuar një Kulturë të Integritetit” është përzgjedhur ndër pesë nismat më inovative në Evropë, nga gjithsej 114 institucione pjesëmarrëse në këtë proces.

    Sipas njoftimit të APK-së, pas procesit të votimit nga institucionet pjesëmarrëse të rrjetit, projekti është renditur në vendin e dytë.

    Rezultati u bë i ditur në kuadër të Konferencës së 25-të Vjetore Profesionale dhe Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit Evropian kundër Korrupsionit (EPAC) dhe Rrjetit Evropian të Pikave të Kontaktit kundër Korrupsionit (EACN), të mbajtur nga 5 deri më 7 tetor 2026 në Budva të Malit të Zi.

    Në këtë konferencë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit u përfaqësua nga delegacioni i kryesuar nga drejtori Yll Buleshkaj, së bashku me udhëheqësin e Divizionit për Sinjalizim, Milot Shala.

    Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve kundër korrupsionit, organeve të mbikëqyrjes së policisë, institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare, për të diskutuar bashkëpunimin në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së, përdorimin e inteligjencës artificiale dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.

    Gjatë Asamblesë së Përgjithshme u miratua edhe Deklarata e Budvës, e cila thekson rëndësinë e bashkëpunimit praktik në luftën kundër korrupsionit.

    Deklarata shpreh gjithashtu shqetësimin për tendencat e kufizimit të pavarësisë së institucioneve për parandalimin e korrupsionit në disa vende, duke vënë në pah nevojën për ruajtjen e autonomisë së tyre operacionale dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.

    Përmes kësaj nisme, APK-ja synon të theksojë rolin e edukimit të të rinjve në parandalimin e korrupsionit dhe në ndërtimin e një kulture të integritetit në shoqëri.  

    Burimi: Dukagjini

  • Britania dërgon avionë luftarakë për mbrojtjen e Arabisë Saudite nga Huthët

    Britania dërgon avionë luftarakë për mbrojtjen e Arabisë Saudite nga Huthët

    Britania e Madhe do të dërgojë avionë luftarakë RAF Typhoon në misione mbrojtëse për të ndihmuar Arabinë Saudite në përballimin e sulmeve të rebelëve Huthi, raportoi të martën Bloomberg, duke cituar zyrtarë britanikë të njohur me çështjen.

    Sipas raportimit, avionët do të angazhohen në mbrojtjen e qyteteve dhe infrastrukturës saudite nga sulmet ajrore të rebelëve Huthi, të cilët mbështeten nga Irani.

    Përveç avionëve luftarakë, Britania planifikon të ofrojë edhe një avion transporti ushtarak Atlas A400M, si dhe këshilltarë ushtarakë, në kuadër të mbështetjes për mbrojtjen e Arabisë Saudite.

    Burimi: Dukagjini

  • Ministria e Drejtësisë humb betejën ligjore me Odën e Avokatëve – Supremja konfirmon ligjshmërinë e Rregullores së OAK-së

    Ministria e Drejtësisë humb betejën ligjore me Odën e Avokatëve – Supremja konfirmon ligjshmërinë e Rregullores së OAK-së

    Ministria e Drejtësisë humb betejën ligjore me Odën e Avokatëve – Supremja konfirmon ligjshmërinë e Rregullores së OAK-së

    Gjykata Supreme e Kosovës i ka dhënë të drejtë Odës së Avokatëve të Kosovës në kontestin me Ministrinë e Drejtësisë, duke refuzuar kërkesëpadinë për shfuqizimin e Rregullores që përcakton mënyrën e pranimit dhe trajtimit të thirrjeve për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare.

    Me Aktgjykimin P.A.nr.18/2026, të datës 17 shtator 2026, Gjykata Supreme ka refuzuar si të pathemeltë kërkesëpadinë e Qeverisë së Kosovës – Ministrisë së Drejtësisë, e cila kishte kërkuar shfuqizimin në tërësi të Rregullores nr.90/2026 të Odës së Avokatëve të Kosovës.

    Lajmin e ka bërë të ditur OAK-ja, e cila e ka cilësuar vendimin si një sukses të rëndësishëm institucional dhe konfirmim të ligjshmërisë së rregullave për administrimin e sistemit të mbrojtjes sipas detyrës zyrtare.

    Sipas komunikatës së Odës, Gjykata Supreme ka konstatuar se Rregullorja është nxjerrë nga organi kompetent, brenda autorizimeve ligjore dhe në përputhje me Ligjin për Avokatinë dhe Kodin e Procedurës Penale.

    Gjykata, sipas OAK-së, ka vlerësuar se akti i kontestuar nuk tejkalon kompetencat e Odës, nuk cenon hierarkinë e akteve juridike dhe përbën ushtrim të ligjshëm të autonomisë së saj organizative dhe funksionale.

    Por një nga konstatimet më të rëndësishme të aktgjykimit lidhet me mungesën e provave konkrete për pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë.

    Sipas njoftimit, Ministria kishte pretenduar se zbatimi i Rregullores mund të pengonte zhvillimin e procedurave penale dhe të cenonte të drejtën e personave për mbrojtje.

    Megjithatë, Gjykata Supreme ka vlerësuar se këto pretendime nuk ishin mbështetur në raste konkrete.

    Ministria nuk kishte identifikuar asnjë rast në të cilin, për shkak të zbatimit të nenit 6 të Rregullores, një person kishte mbetur pa avokat, ishte vonuar ndonjë veprim procedural apo ishte penguar zhvillimi i procedurës penale.

    Një tjetër çështje që ka marrë përgjigje nga Supremja është e drejta e OAK-së për të vendosur rregulla për komunikimin dhe administrimin e kërkesave të institucioneve për caktimin e mbrojtësve.

    Sipas komunikatës, Gjykata ka konfirmuar se autonomia e Odës përfshin të drejtën e nxjerrjes së akteve të përgjithshme, të nevojshme për përmbushjen e detyrave të saj ligjore.

    Po ashtu, është vlerësuar se kërkimi i të dhënave për identifikimin e personit dhe verifikimin e konfliktit të interesit nuk krijon kushte të reja për ushtrimin e së drejtës për mbrojtje, por i shërben caktimit të ligjshëm dhe transparent të avokatëve.

    Gjykata ka sqaruar gjithashtu se në rastet urgjente, mungesa e të dhënave dytësore që mund të verifikohen më vonë nuk duhet të pengojë caktimin e menjëhershëm ose të përkohshëm të mbrojtësit.

    Për Odën e Avokatëve të Kosovës, vendimi ka rëndësi përtej Rregullores së kontestuar, pasi konfirmon hapësirën ligjore të institucionit për të administruar në mënyrë të pavarur sistemin e caktimit të avokatëve sipas detyrës zyrtare.

    Në reagimin e saj, OAK-ja ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat, duke kërkuar respektimin e ndërsjellë të kompetencave dhe përgjegjësive institucionale.

    “Autoriteti institucional ndërtohet përmes ligjshmërisë, profesionalizmit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarit”, është mesazhi me të cilin OAK-ja ka përmbyllur qëndrimin e saj.

    Me këtë aktgjykim, sipas njoftimit të Odës, Gjykata Supreme ka lënë në fuqi Rregulloren nr.90/2026, duke rrëzuar përpjekjen e Ministrisë së Drejtësisë për shfuqizimin e saj në tërësi.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • ATLS Kosova pavarësohet, synon standarde të reja në trajtimin e traumave

    ATLS Kosova pavarësohet, synon standarde të reja në trajtimin e traumave

    Kursi ATLS, i zhvilluar nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve, u mundëson mjekëve të vlerësojnë shpejt gjendjen e pacientëve të lënduar rëndë, të identifikojnë dëmtimet që rrezikojnë jetën dhe të përcaktojnë ndërhyrjet prioritare. Në Kosovë, trajnimet kanë nisur në vitin 2023, në bashkëpunim me Sanford Medical Center në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Mentor Ahmeti, nënkryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës,i cili ka drejtuar kursin ATLS, tha se Kosova ka resurse profesionale për ta kthyer këtë kurs,ndër kurset më të të mira të ATLS-it në Ballkan.

    “Jemi shumë të lumtur që kemi resurse njerëzore lokale, kaq të forta, që ta bëjmë një nga kurset më të forta në Ballkan të ATLS-it, edhe një nga kurset e vetme në Ballkan të ATLS-it. Është një arritje shumë e madhe e Shëndetësisë së Kosovës, që ka kalibër kaq të lartë të mjekëve dhe të administratorëve ta themelojë një kurs të tillë”, tha ai.

    Pavarësimi i programit vjen pas punës shumëvjeçare të profesionistëve shëndetësorë, të cilët kanë kontribuar në organizimin e trajnimeve dhe ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e protokolleve të trajtimit të traumave.

    Baton Kelmendi, i cili nga sot është drejtor i ATLS Kosova, tha se kjo ditë shënon përmbylljen e një procesi të gjatë dhe fillimin e një etape të re, nga e cila pritet të përfitojnë edhe pacientët.

    “Arritëm në ditën kur po pavarësohet ATLS-i dhe po krijohet ATLS Kosova. Kjo më bën krenar mua, kolegët e mi, edhe është një hap i madh për Shëndetësinë e Kosovës, për shkak se për ata të cilët nuk janë në fushën e mjekësisë, aplikimi i hapave të ATLS-it në trajtimin e çfarëdo traume do të thotë jetë”, shtoi Kelmendi.

     

    Rëndësinë e këtij zhvillimi për mjekësinë në vend e theksoi edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili vlerësoi se programi krijon mundësi që mjekët kosovarë të punojnë sipas të njëjtave standarde profesionale me kolegët e tyre ndërkombëtarë.

    “Sot është një ditë e veçantë, për traumën, por përgjithësisht për mjekësinë në Kosovë. Me promulgimin e këtij kursi, mjekët tanë do të flasin të njëjtën gjuhë me kolegë kudo në botë, ku shpëtohet jeta e atyre që janë të lënduar”, tha Latifi.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e cilësoi pavarësimin si rezultat të përkushtimit të profesionistëve dhe institucioneve të përfshira, duke theksuar përgjegjësinë për të krijuar mundësi të reja për zhvillimin e ekspertizës vendore.

    “Ky është një sukses i pamohueshëm i shëndetësisë kosovare, i cili nuk ishte arritur pa përkushtimin e të gjithë aktorëve, për të cilët, sinqerisht, dua t’i falënderoj secilin personalisht e institucionalisht për angazhimin e punën e madhe që e kanë bërë për realizimin e këtij hapi”, tha Vitia.

     

    Për zhvillimin e programit ka kontribuar edhe Komuna e Prishtinës, e cila ka vënë në dispozicion hapësirat për mbajtjen e trajnimeve dhe ka mundësuar pjesëmarrjen pa pagesë të stafit të saj shëndetësor. Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, tha se mbështetja për nisma të tilla do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

    Me pavarësimin e ATLS Kosova, synohet që trajnimet të vazhdojnë të udhëhiqen nga profesionistët vendorë dhe që njohuritë e fituara të kontribuojnë në reagim më të shpejtë e më të strukturuar në rastet e traumave, ku ndërhyrja në kohë mund të jetë vendimtare për jetën e pacientit.

    Burimi: RTKLive

  • LEX | Goditi për vdekje 20-vjeçarin Auron Ferizi në Viti – Egzon Shallti dënohet me 25 vjet burgim

    LEX | Goditi për vdekje 20-vjeçarin Auron Ferizi në Viti – Egzon Shallti dënohet me 25 vjet burgim

    LEX | Goditi për vdekje 20-vjeçarin Auron Ferizi në Viti – Egzon Shallti dënohet me 25 vjet burgim

    Egzon Shallti është dënuar me 25 vjet burgim për rastin tragjik në Viti, ku humbi jetën 20-vjeçari Auron Ferizi, pasi u godit nga një veturë.

    Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 8 shtator 2025, pranë parkut “Bafti Haxhiu” në Viti, ku sipas raportimeve, Shallti dyshohej se me veturën e tipit “Opel Insignia” kishte goditur pesë persona.

    Si pasojë e plagëve të rënda, Auron Ferizi, vetëm 20 vjeç, kishte ndërruar jetë më 10 shtator në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po trajtohej pas incidentit.

    Rasti kishte shkaktuar reagime të shumta, ndërsa familja e të ndjerit kishte kërkuar drejtësi për humbjen e djalit të tyre.

    Babai i viktimës, Arton Ferizi, kishte kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarin.

    Tashmë, sipas informacionit për aktgjykimin, ndaj Egzon Shalltit është shqiptuar dënimi prej 25 vjetësh burgim.

    Nuk është konfirmuar ende nëse aktgjykimi është i formës së prerë.

    Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Parlamenti francez pritet të hapë hetim për protestat dhe dhunën

    Parlamenti francez pritet të hapë hetim për protestat dhe dhunën

    Parlamenti francez pritet të shqyrtojë hapjen zyrtare të një hetimi për protestat dhe aktet e dhunës të ditëve të fundit, përfshirë edhe masat e ndërmarra nga forcat e rendit gjatë reagimit ndaj tyre, raporton The Guardian, duke iu referuar televizionit francez BFMTV.

    Sipas raportimeve, për këtë çështje është arritur një marrëveshje politike, ndërsa pritet që në vijim të ketë më shumë detaje lidhur me procedurat dhe fushëveprimin e hetimit.

    Ndërkohë, kryeministri i Francës, Sébastien Lecornu, do të mbledhë liderët e partive politike të enjten, në një kohë kur po rritet presioni politik për shkak të protestave dhe trazirave.

    Takimi pritet të përqendrohet te situata e krijuar nga protestat, por edhe te mënyra se si autoritetet kanë menaxhuar situatën. Kritikat janë drejtuar ndaj reagimit fillestar të policisë, i cili nga kundërshtarët është vlerësuar si tepër i ashpër.

    Duke komentuar dhunën e së shtunës, një analizë e publikuar nga The Guardian e përshkruan atë si të jashtëzakonshme, madje edhe sipas standardeve franceze, duke theksuar se në disa qytete dhe qyteza janë sulmuar institucione.

    Sipas analizës, nëse dhuna vazhdon, kjo mund të ndikojë edhe në qëndrimet e një numri gjithnjë e më të madh të votuesve francezë.

    Burimi: Dukagjini

  • “Në cilën gjykatë ndërkombëtare gardiani bëhet prokuror?”, Syla sfidon Trendafilovën

    “Në cilën gjykatë ndërkombëtare gardiani bëhet prokuror?”, Syla sfidon Trendafilovën

    Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, e ka cilësuar “qesharake” deklarimin e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, se Gjykata Speciale është e “fokusuar në përmbushjen e mandatit për drejtësi të pavarur”.

    “Këto deklarata janë qesharake të zonjës Trendafilova dhe çfarëdo që thotë ajo është tepër e parëndësishme, sepse ne e kuptojmë qasjen e saj, e kemi kuptuar që nga fillimi”, tha Syla.

    Ai madje ia ka listuar disa pyetje kryegjykatëses së Speciales, duke i kërkuar sqarime për shkeljet e shumta që i ka bërë ky institucion i drejtësisë.

    “Dhe i shtrojmë pyetje zonjës Trendafilova. Pyetjet tona janë shumë të thjeshta. Le të na tregojë se në cilin shtet evropian ndodh që të ketë paraburgim gjashtëvjeçar për të akuzuarit, në këtë rast për bashkëluftëtarët tanë, ish-krerët e UÇK-së, pa u marrë një vendim përfundimtar. Le të na tregojë se në cilën gjykatë ndërkombëtare gardiani mund të bëhet prokuror gjatë procesit, pra të kualifikohet nga gardian në prokuror. Le të na tregojë se sa shkelje të rënda kanë ndodhur atje, të cilat i kemi evidentuar jo vetëm ne, por edhe shumë ekspertë të tjerë të fushës së drejtësisë, siç kanë qenë avokatët nga Anglia, të cilët kanë gjetur shkelje të shumta. Le të na tregojë, duke iu referuar deklaratës së zotërinjve Misetiq dhe Lukashuk, avokatëve mbrojtës të zotit Thaçi, se mbrojtja i ka dërguar trupit gjykues 48 kërkesa, të cilat të gjitha janë refuzuar, ndërsa kërkesat e prokurorisë janë aprovuar dhe janë marrë në trajtim”, shtoi Syla për Ekonomia Online.

    Po ashtu, ai i bëri me dije Trendafilovës se Gjykata Speciale është themeluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    “Ajo duhet ta kuptojë qartë se, në fund të fundit, kjo gjykatë është themeluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Këtu e ka marrë dritën e gjelbër dhe prej këtu e ka filluar punën e saj”, potencoi Syla.

    Ndryshe, Trendafilova ka thënë se rishikimi i vendimeve gjyqësore bëhet përmes apelimeve. Ajo po ashtu ka thënë se “askush nuk mund t’u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin”.

    “Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara ushtrojnë mandatin e tyre pa konsiderata, preferenca, ndikim ose ndërhyrje politike. Dhomat e Specializuara i përmbahen me vendosmëri angazhimit për ruajtjen e standardeve ndërkombëtare më të larta gjatë kryerjes së mandatit që u është besuar, me pritshmërinë se të gjitha palët e angazhuara do të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse për të garantuar sundimin e ligjit”, ka shtuar ajo.

    Reagimi i Trendafilovës pasoi vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndryshime në Ligjin për Specialen, me qëllim të kufizimit të mandatit në kohë, territor e në lëndë.

    Kuvendi e mori vendimin pas dënimit të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, me 81 vjet burgim nën akuzat për krime lufte.

    Burimi: Dukagjini

  • Vitia për rastin e ngatërrimit të foshnjave: Nuk do të tolerohet asnjë lëshim

    Vitia për rastin e ngatërrimit të foshnjave: Nuk do të tolerohet asnjë lëshim

    Vitia ka bërë të ditur se disa zyrtarë të përfshirë në inspektimin e rastit janë proceduar për Komision Disiplinor, ndërsa ndaj tyre janë shqyrtuar edhe masa të tjera, për shkak të shkeljeve të supozuara gjatë inspektimit.

    “Dje ka pasur një takim të kryeinspektorit dhe janë proceduar për Komision Disiplinor dhe vërejtje të tjera disa nga ata që për momentin supozohet se kanë bërë shkelje gjatë inspektimit. Kështu që të gjitha masat do të merren, nuk do të tolerohet asnjë lëshim nga asnjë institucion”, ka deklaruar Vitia.

    Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rastet kur janë të pakënaqur me veprimet ose vendimet e Inspektoratit Shëndetësor, t’i drejtohen edhe Ministrisë së Shëndetësisë.

    Ministri ka theksuar se inspektorët shëndetësorë kanë përgjegjësi të mbikëqyrin si institucionet publike, ashtu edhe ato private, por ka pranuar se kontrollimi i të gjitha institucioneve në kohë reale është i pamundur.

    “E rëndësishme është që, kur bëhet kontrolli dhe identifikohen shkeljet, kudo që ato janë, të merren masat adekuate, konform legjislacionit në fuqi”, ka thënë Vitia.

    Sa u përket sqarimeve për veprimet e inspektorëve dhe masat e ndërmarra, ai ka thënë se për më shumë detaje mund të pyetet kryeinspektori shëndetësor.

    Ngatërrimi i foshnjave në “Spitalin Amerikan 2” raportohet se ka ndodhur më 18 mars 2026. Sipas ankesës së familjes, foshnja është marrë nga stafi mjekësor dhe të nesërmen nënës i është dorëzuar një foshnjë tjetër. Pas insistimit të prindërve dhe verifikimeve të mëvonshme, është konstatuar ngatërrimi.

    Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate ka bërë të ditur se lidhur me rastin e foshnjave në Spitalin Amerikan 2 në Graçanicë, Inspektorati Shëndetësor ka inspektuar rastin e ndërrimit të foshnjave, të ndodhur më 18 mars 2026. Sipas MSH-së, inspektimi ka evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna.

    “Nga kontrolli i dokumenteve është konstatuar gjithashtu se infermierja, ndonëse posedon licencë të vlefshme pune, nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit (DLA). Pas shqyrtimit të mënyrës së trajtimit të rastit, janë evidentuar mangësi edhe në veprimet e zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor. Për këtë, Kryeinspektori Shëndetësor ka ndërmarrë këto masa: • Inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar. • Zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim. • Përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është shqiptuar vërejtje me gojë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

    Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka shprehur keqardhje për shqetësimin dhe pasigurinë e shkaktuar familjes së prekur.

    Burimi: RTKLive