Blog

  • Dalin në shitje biletat për “Shqip Up Comedy Festival” në Frankfurt

    Dalin në shitje biletat për “Shqip Up Comedy Festival” në Frankfurt

    Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Cyrih dhe atmosferës së krijuar në Koln, “Shqip Up Comedy Festival” po vjen në Frankfurt për të sjellë një ditë të mbushur me humor, energji dhe të qeshura për publikun shqiptar në Gjermani.

    Komuniteti shqiptar në Frankfurt dhe rrethinë do të ketë mundësinë të bëhet pjesë e një eventi të veçantë të ‘stand-up comedy’, teksa biletat tashmë kanë dalë në shitje.

    Pas pesë edicionesh në Zvicër dhe atij në Koln, festivali po zgjeron rrugëtimin e tij në Gjermani, me synimin për t’i bashkuar shqiptarët përmes humorit dhe për të sjellë një përvojë ndryshe argëtimi.

    Foto: Screenshot/Instagram

    Në skenën e “Shqip Up Comedy Festival – Frankfurt Edition” do të ngjiten po ashtu: Ernesti, Drilona, Hasimi dhe T -Ronimo, të cilët do të sjellin performancat e tyre para publikut shqiptar.

    Mbrëmja vlen të ceket se do të moderohet nga aktori Avni Shkodra.

    Eventi mbahet më 5 dhjetor 2026, në Saalbau Gallus në adresën Frankenallee 111 duke filluar nga ora 12:00.

    Drejtuesit e festivalit synojnë që edhe kjo ndalesë të kthehet në një takim të veçantë për shqiptarët në Gjermani, ku humori shërben si mënyrë për t’u bashkuar, për të ndarë emocione dhe për të kaluar momente të paharrueshme.

    Biletat mund t’i blini online këtu:

    /Telegrafi/

  • Takim urgjent për Prishtina 2030, Qeveria pritet t’i përgjigjet ICMG-së

    Takim urgjent për Prishtina 2030, Qeveria pritet t’i përgjigjet ICMG-së

    Zhvillime të reja ka në procesin e përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, pas vërejtjeve të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) për hapat që duhet të ndërmerren në funksion të organizimit të këtij eventi sportiv.

    KosovaPress mëson nga burimet e veta se sot është mbajtur një takim urgjent ndërmjet ministrit të Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, dhe drejtuesve të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), ku është diskutuar për situatën e krijuar dhe veprimet që duhet të ndërmerren në vazhdim.

    Sipas burimeve të KosovaPress-it, në këtë takim është vendosur që Qeveria e Kosovës t’i kthejë përgjigje ICMG-së deri nesër, të mërkurën, lidhur me vërejtjet e adresuara për procesin e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.

    Ky zhvillim vjen pas publikimit të letrës së ICMG-së nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në të cilën evidentohen shqetësimet e këtij institucioni ndërkombëtar lidhur me përmbushjen e hapave dhe obligimeve financiare që lidhen me organizimin e Lojërave Mesdhetare.

    Çështja e Prishtinës 2030 pritet të jetë sërish në fokus më 19 dhjetor, kur ICMG-ja do të mbajë takimin e radhës, në të cilin do të diskutohet konkretisht për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare në Kosovë.

    Përgjigjja e Qeverisë së Kosovës dhe hapat që do të ndërmerren në vijim pritet të jenë ndër elementet kryesore në këtë proces, në prag të takimit të dhjetorit, ku do të shqyrtohet ecuria e përgatitjeve për organizimin e Prishtina 2030.

  • Egzon Shallki dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit

    Egzon Shallki dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit

    Egzon Shallki është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e Auron Ferizit, i cili humbi jetën vitin e kaluar pasi u godit nga një veturë që drejtohej nga i akuzuari.

    Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndërsa lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj gjykate, Sabit Shkorda.

    Shkorda ka bërë të ditur se, përveç dënimit me burgim, ndaj Shallkit është shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

    “25 vjet burgim edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në ndalim, e cila masë do të ekzutohet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë”, ka konfirmuar Shkorda.

    Auron Ferizi kishte humbur jetën pasi ishte goditur nga vetura që drejtohej nga Shallki. Rasti ishte trajtuar nga organet e drejtësisë si vepër penale e vrasjes. /Telegrafi/

  • Ministria e Kulturës: Biblioteka “Koço Racin” – Tetovë bëhet bibliotekë universitare

    Ministria e Kulturës: Biblioteka “Koço Racin” – Tetovë bëhet bibliotekë universitare

    Qeveria e RMV-së, me propozim të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për zgjerimin e veprimtarisë së Institucionit Nacional Biblioteka “Koço Racin” – Tetovë dhe shndërrimin e saj në Bibliotekën Universitare “Koço Racin” – Tetovë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

    “Vendimi përbën hap të rëndësishëm për Tetovën si qendër universitare dhe kontribut të çmuar në avancimin e arsimit të lartë, shkencës dhe shërbimeve të bibliotekës.

    Si institucion nacional në fushën e kulturës, Biblioteka “Koço Racin” – Tetovë ka rol të rëndësishëm në përmbushjen e nevojave kulturore, informative dhe arsimore të qytetarëve të Tetovës dhe të rajonit të Pollogut.

    Me zgjerimin e veprimtarisë, biblioteka do t’u sigurojë studentëve, profesorëve dhe studiuesve qasje më të gjerë në fondet dhe shërbimet e saj.

    Ministria e Kulturës dhe Turizmit vazhdon të punojë për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e veprimtarisë së bibliotekës, duke njohur rëndësinë e bibliotekave si qendra të dijes, arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit kulturor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës./Telegrafi/

  • Mungesa e çerdheve dhe qendrave për të moshuar po e lë gjysmën e popullsisë jashtë tregut të punës - çfarë thotë raporti i GAP-it?

    Mungesa e çerdheve dhe qendrave për të moshuar po e lë gjysmën e popullsisë jashtë tregut të punës – çfarë thotë raporti i GAP-it?

    Pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës në Kosovë vazhdon të mbetet një nga ngulfatjet kryesore të zhvillimit socio-ekonomik të vendit. Ndonëse korniza ligjore deklarative promovon barazi, në praktikë mungesa e infrastrukturës thelbësore të kujdesit shoqëror — si çerdhet për fëmijë dhe qendrat për të moshuarit — po i detyrohet gratë të mbajnë barrën e rëndë të punës së papaguar, duke ua prerë çdo mundësi për qasje në punësim formal.

    Këto janë përfundimet alarmante që ngre raporti më i ri i Institutit GAP, i titulluar “Institucionet e kujdesit në Kosovë: Kapacitetet dhe shpërndarja gjeografike në kontekstin e punësimit të grave”.

    Pabarazia urbane-rurale: Vetëm 26% e fëmijëve të përfshirë në edukimin e hershëm

    Sipas të dhënave të analizuara në raport, rreth 74% e grave në moshë pune në Kosovë ishin ekonomikisht joaktive përgjatë vitit 2024. Ky tregues i zymtë lidhet ngushtë me mungesën e shërbimeve të përballueshme të kujdesit për fëmijët.

    Në shkallë vendi figurojnë të regjistruara 278 institucione parashkollore, por rreth 81% e tyre janë të përqendruara ekskluzivisht në zonat urbane, duke lënë familjet rurale në një izolim total institucional.

    • Përfshirja minimale: Vetëm 26% e fëmijëve të moshës 0 deri nën 6 vjeç ndjekin edukimin parashkollor dhe parafillor, ndërsa për grupmoshën 0–4 vjeç ky regjistrim zbret në vetëm 13%.
    • Gjeografia e pabarazisë: Prishtina udhëheq me 41% të përfshirjes së fëmijëve dhe me raportin më të lartë prej 5.2 institucioneve për 1,000 fëmijë. Në krahun e kundërt, komuna si Dragashi (11%) dhe Obiliqi (15%) shënojnë shifrat më të ulëta në vend.
    • Krahasimi rajonal: Me një shkallë pjesëmarrjeje prej 37.8% për fëmijët mbi 3 vjeç, Kosova renditet e treta nga fundi në Evropë, shumë larg Shqipërisë (82.9%) dhe mesatares së Bashkimit Evropian prej 91.8%.

    Boshllëku institucional: Qytetet e mëdha pa asnjë qendër publike për të moshuarit

    Përtej kujdesit për fëmijët, barra e të moshuarit rëndon po aq rëndë mbi supet e familjeve. Me një popullsi prej rreth 177,915 individësh mbi moshën 65-vjeçare (11% e popullsisë), vendi færballëzohet me një mungesë drastike të strukturave mbështetëse.

    Analiza e GAP-it zbulon se në 27 komunat e përfshira në hulumtim funksionojnë vetëm 15 institucione publike dhe me bazë në komunitet (8 shtëpi rezidenciale dhe 7 qendra për qëndrim ditor).

    • Qendra të rëndësishme rajonale si Peja, Gjakova, Mitrovica e Jugut, Podujeva dhe Vushtrria nuk kanë asnjë qendër publike për kujdesin ndaj të moshuarve.
    • Në mungesë të alternativave institucionale, kjo përgjegjësi transformohet në punë të papaguar shtëpiake, e cila kufizon drejtpërdrejtë lirinë e lëvizjes dhe karrierën e grave.

    Çerdhet si motor i punësimit të grave

    Gjetjet e raportit dëshmojnë se ekziston një lidhje e qartë statistikore mes pranisë së çerdheve dhe treguesve të tregut të punës. Komunat me më shumë institucione parashkollore për kokë fëmije regjistrojnë shkallë më të ulëta të papunësisë dhe joaktivitetit tek gratë.

    Puna e papaguar e kujdesit në Kosovë llogaritet të ketë një vlerë kolosale prej 2.8 miliardë eurosh në vit (rreth 33% e BPV-së), ku gratë shpenzojnë mesatarisht 6 orë në ditë në punë shtëpiake të papaguara – rreth 44% më shumë se burrat. Ndërkaq, vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) tregojnë se barazimi i pjesëmarrjes së grave në tregun e punës me mesataren e Ballkanit Perëndimor do të rriste Bruto Produktin Vendor (BPV) për rreth 23%.

    Çfarë sugjeron Instituti GAP?

    Për t’i dhënë fund këtij ngërçi strukturor, Instituti GAP kërkon një kthesë strategjike, duke e trajtuar kujdesin shoqëror jo si ndihmë sociale, por si investim ekonomik:

    1. Investime të targetuara në zona rurale: Komunat me më pak se një çerdhe për 1,000 fëmijë — si Vitia, Podujeva, Deçani, Kamenica, Skenderaj, Dragashi, Malisheva, Kaçaniku dhe Klina — duhet t’i japin prioritet absolut ndërtimit ose përshtatjes së objekteve shkollore ekzistuese.
    1. Hapja e qendrave ditore për të moshuarit: Komunat pa asnjë qendër publike (Peja, Gjakova, Mitrovica e Jugut, Podujeva, Vushtrria) duhet të ndërhyjnë urgjentisht për të lehtësuar barrën e familjeve.
    1. Reforma e kritereve të pranimit: Të rishikohen rregullat komunale që penalizojnë fëmijët e prindërve me kushte të caktuara pune, duke u dhënë përparësi nënave që kërkojnë të futen për herë të parë në tregun e punës.
    1. Subvencionimi qendror: Qeveria duhet të ndërhyjë me politika fiskale dhe subvencionim të transportit rural dhe shërbimeve parashkollore, si parakusht për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. /Telegrafi/
  • Deputetja australiane goditet dy herë me veturë, i dyshuari akuzohet për sulm të qëllimshëm

    Deputetja australiane goditet dy herë me veturë, i dyshuari akuzohet për sulm të qëllimshëm

    Deputetja australiane goditet dy herë me veturë, i dyshuari akuzohet për sulm të qëllimshëm

    Një burrë 43-vjeçar është akuzuar për sulmin ndaj deputetes australiane Helen Haines, e cila u godit nga një veturë të hënën në qytetin Wangaratta, në shtetin e Viktorias.

    Haines, 65-vjeçare, ndodhet në gjendje kritike, por stabile, pasi iu nënshtrua një operacioni në një spital në Melburn. Sipas mediave lokale, ajo ka humbur njërën këmbë, ndërsa mjekët po përpiqen ta shpëtojnë këmbën tjetër.

    Policia dyshon se sulmi ishte i qëllimshëm. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, shoferi dyshohet se bëri një kthesë për t’u pozicionuar para se ta godiste deputeten, më pas u kthye prapa dhe e goditi sërish. Haines mbeti e bllokuar mes dy veturave.

    I dyshuari, i identifikuar nga mediat lokale si aktivisti mjedisor Brendan Nugent, do të paraqitet në gjykatë të mërkurën. Ai akuzohet për drejtim të rrezikshëm të automjetit që shkakton lëndime të rënda, shkaktim të qëllimshëm të lëndimeve të rënda dhe shkaktim të dëmit ndaj një zyrtari publik federal.

    Babai i të dyshuarit, Rod Nugent, dhe partnerja e tij, Christine Cunningham, kanë deklaruar se kanë qenë miq me deputeten për më shumë se 20 vjet.

    “Helen Haines është një anëtare thellësisht e respektuar, e vlerësuar dhe shumë e dashur e komunitetit tonë”, thuhet në deklaratën e tyre, ku shprehin mbështetjen për deputeten, familjen dhe miqtë e saj.

    Ata kanë premtuar se do ta ndihmojnë Policinë e Viktorias në çdo mënyrë të mundshme.

    Ndërkohë, një berber lokal, Ricky Jefferies, ka treguar se e nxori të dyshuarin nga vetura dhe ia mori një thikë që e kishte me vete. Ai tha se ndërhyri pasi lëvizjet e burrit i dukeshin shqetësuese.

    Policia ka bërë të ditur se një patrullë e autostradës ndodhej pranë vendit të ngjarjes dhe arriti brenda tetë sekondash nga marrja e thirrjes. Autoritetet kanë kontrolluar edhe një pronë në Tarrawingee, rreth 12 kilometra larg Wangaratta-s.

    Policia e ka cilësuar rastin si incident të izoluar, duke shtuar se deri më tani nuk ka kërcënime të tjera të njohura që lidhen me ngjarjen.

    Haines përfaqëson zonën elektorale Indi si deputete e pavarur që nga viti 2019. Sulmi ka tronditur komunitetin lokal, ku qytetarët kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj pranë zyrës së saj në shenjë solidariteti.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    Burimi: Sinjali

  • Trump paralajmëron banorët e Kansasit se SHBA-ja do të "digjet" si Franca nëse fitojnë demokratët

    Trump paralajmëron banorët e Kansasit se SHBA-ja do të “digjet” si Franca nëse fitojnë demokratët

    Të hënën, presidenti amerikan Donald Trump përdori trazirat e dhunshme në Francë si argument kundër demokratëve, në betejën e tij për të mbrojtur një vend në Senat për Kansasin – një vend që mbahet prej kohësh nga republikanët, por që tani rrezikon të kalojë në duart e kundërshtarëve të tij politikë.

    Tubimi i Trumpit në mbështetje të senatorit aktual republikan, Roger Marshall, ishte ndalesa e tij më e fundit në shtetet konservatore, ku kandidatët republikanë ndodhen në pozita mbrojtëse për shkak të pakënaqësisë së votuesve lidhur me luftën në Iran dhe rritjen e çmimeve.

    “Ju dua, Kansas, por jam këtu për një njeri që quhet Roger Marshall”, tha Trump, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

    Si një element të ri në fjalimet e tij elektorale, Trump përmendi protestat e gjera në Francë si një skenar që mund të shpërthejë edhe në Shtetet e Bashkuara, nëse nuk fitojnë republikanët.

    Ai nuk ofroi asnjë provë për këtë pretendim.

    Ditët e fundit, Franca është përfshirë nga disa prej trazirave më të rënda të viteve të fundit; protestat masive për koston e jetesës dhe shërbimet publike të nënfinancuara janë shndërruar në trazira dhe plaçkitje.

    Dhe vetë Trump thuhet se ka hasur vështirësi në përpjekjet për t’i bërë mallrat dhe shërbimet më të përballueshme për qytetarët në Shtetet e Bashkuara.

    Në fjalimin e tij, Trump iu rikthye retorikës kundër emigrantëve dhe myslimanëve – të njëjtës qasje që ai përdori për të nxitur fushatat e tij presidenciale, shkruan Reuters.

    “Nuk do ta lejojmë që kjo t’i ndodhë këtij vendi”, tha ai. “Kur shihni kulla kishash që digjen dhe zjarre të mëdha në Francë, mbani mend se pikërisht këtë duan t’i bëjnë Amerikës ‘Demokratët radikalë’ (Dumocrats)”.

    Trump i ka tallur demokratët duke i quajtur “Dumocrats” (një lojë fjalësh që në anglisht nënkupton “demokratë budallenj”).

    Mbrojtësit e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar shpesh Trumpin ndër vite për retorikën e tij, përmes së cilës ai ka vënë në shënjestër dhe ka tallur emigrantët e grupet e pakicave etnike.

    Grupet për të drejtat civile theksojnë se një retorikë e tillë normalizon qëndrimet diskriminuese ndaj këtyre komuniteteve.

    Kansas, një shtet konservator në rajonin e Mesperëndimit – të cilin Trump e fitoi me një diferencë prej 16 pikësh në vitin 2024 – nuk ka zgjedhur asnjë demokrat në Senatin amerikan prej 94 vitesh.

    Senatori Marshall, i cili është në mandatin e tij të parë, po përballet me një garë të ngushtë kundër kandidatit demokrat Adam Hamilton – pastor i një kishe të madhe metodiste – i cili kundërshton agjendën e tarifave të Trumpit dhe atë që ai e quan “udhëheqje të çrregullt” të presidentit. /Telegrafi/

  • “Do të luajmë kundër 17 gjyqtarëve” – Real Madrid TV shpërthen ndaj Barcelonës para El Clasicos

    “Do të luajmë kundër 17 gjyqtarëve” – Real Madrid TV shpërthen ndaj Barcelonës para El Clasicos

    Televizioni zyrtar i Real Madridit ka reaguar ashpër ndaj sjelljes së futbollistëve të Barcelonës gjatë fitores 5-2 të katalunasve ndaj Real Betisit, në kuadër të xhiros së nëntë të La Ligës.

    Në minutën e 43-të, mesfushori i Betisit, Giovani Lo Celso, shënoi një gol të bukur pas një rrotullimi dhe goditjeje nga jashtë zonës. Megjithatë, VAR-i sinjalizoi një prekje me dorë të Cucho Hernandez në fazën paraprake të aksionit dhe thirri gjyqtarin kryesor, Ricardo Bengoetxea, për ta rishikuar rastin në monitor.

    Pas rishikimit të pamjeve, gjyqtari anuloi vendimin fillestar dhe golin e Betisit.

    Pamjet e publikuara një ditë më parë tregojnë disa futbollistë të Barcelonës duke i bërë presion gjyqtarit dhe duke kërkuar që ai ta rishikonte rastin në monitorin e VAR-it.

    Kjo ka nxitur reagimin e ashpër të televizionit të Real Madridit, i cili e lidhi këtë incident me El Clasicon e ardhshëm, që do të zhvillohet më 25 tetor, në orën 21:00.

    “Në El Clasico, Real Madridi do të duhet të luajë kundër 17 gjyqtarëve: tre zyrtarëve në fushë, gjyqtarit të katërt, VAR-it dhe asistentit të tij, si dhe 11 futbollistëve të Barcelonës, të cilët po sillen gjithashtu si gjyqtarë”, deklaroi prezantuesi i Real Madrid TV.

    Ai vazhdoi me kritikat, duke pretenduar se futbollistët e Barcelonës po ndikojnë në vendimet e gjyqtarëve.

    “Të luash kundër 17 gjyqtarëve do të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Tani lojtarët e Barcelonës vendosin se cilat raste duhet t’i rishikojë VAR-i dhe cilat jo, sepse edhe ata janë gjyqtarë”.

    “Tashmë po i gjykojnë vetë ndeshjet. Është skandal. Në çdo ligë tjetër, kjo do të kishte pasoja”.

    “Ndeshja e së dielës do të jetë shumë e vështirë për shkak të problemeve për të cilat të gjithë jemi në dijeni”, përfundoi ai.

    El Clasico mes Real Madridit dhe Barcelonës, një nga përballjet më të mëdha të futbollit botëror, do të zhvillohet më 25 tetor, me fillim nga ora 21:00./Telegrafi/

  • Precious Lee shkëlqeu në sfilatën e Victoria’s Secret

    Precious Lee shkëlqeu në sfilatën e Victoria’s Secret

    Modelja amerikane, Precious Lee, ishte ndër emrat më të komentuar të sfilatës së këtij viti të Victoria’s Secret, të mbajtur në Los Angeles.

    Ajo u shfaq për të dytin vit radhazi në pasarelë, duke prezantuar dy kombinime, ndërsa vëmendjen e veçantë e mori me një korse sateni të zi dhe krahë të zbukuruar me kristale të varura.

    Lee, një nga modelet ‘plus-size’ më të njohura në botë, u shfaq në pasarelë krahas Ashley Graham dhe Paloma Elsesser.

    Karriera e saj konsiderohet e rëndësishme për përfaqësimin e modeleve me përmasa më të mëdha në industrinë e modës luksoze.

    E lindur në vitin 1990 në Atlanta, Precious Lee e nisi rrugëtimin në modeling gjatë studimeve, pasi shoqëroi një mike në një audicion të hapur të agjencisë Elite, ku oferta për kontratë përfundoi tek ajo.

    Që atëherë, ka bashkëpunuar me marka të njohura si Versace, Moschino, Fendi, Mugler dhe Balmain si dhe është shfaqur në kopertinat e revistave prestigjioze, përfshirë Vogue dhe Harper’s Bazaar.

    Precious

    Një moment i rëndësishëm në karrierën e saj ishte sfilata e Versace për koleksionin pranverë 2021, ku u bë modelja e parë me ngjyrë dhe me përmasa ‘plus-size’ në historinë e kësaj shtëpie mode.

    Sfilata e këtij viti e Victoria’s Secret u shënua edhe nga rikthimi i sytjenave ikonike Fantasy Bra, të cilat i veshi Kylie Jenner.

    Precious

    Ndërkohë, Megan Thee Stallion e mbylli shfaqjen me krahë argjendi dhe kristale, e në skenë performuan edhe Megan Moroney, Tate McRae dhe grupi KATSEYE. /Telegrafi/

  • Deri në 3,700€ më lirë, por vetëm për 15 ditë: Moto Guzzi në ofertë te Ventoro Motors!

    Deri në 3,700€ më lirë, por vetëm për 15 ditë: Moto Guzzi në ofertë te Ventoro Motors!

    Nëse e keni pasur në plan të blini një motoçikletë Moto Guzzi, këto 15 ditë mund të jenë momenti i duhur. Ventoro Motors ka lansuar kampanjën “Moto Guzzi Clearance”, duke sjellë katër modele të markës së njohur italiane me çmime speciale dhe zbritje që arrijnë deri në 3,700€.

    Nga modelet me dizajn klasik deri te ato të krijuara për udhëtime dhe aventura, kampanja përfshin katër motoçikleta që tashmë mund të blihen me çmime dukshëm më të ulëta.

    Ja modelet dhe çmimet që përfshihen në ofertë:

    -Moto Guzzi V9 850 Bobber Special Edition – nga 10,190€ në 7,690€, kurseni 2,500€.

    -Moto Guzzi V7 Stone– nga 9,990€ në 7,990€, kurseni 2,000€.

    -Moto Guzzi V85 850 Strada Nero Isola – nga 13,190€ në 9,990€, kurseni 3,200€.

    -Moto Guzzi V100 Mandello Red Magma – nga 15,990€ në 12,290€, kurseni 3,700€.

    Secili model sjell një përvojë të veçantë në rrugë. V9 Bobber dhe V7 Stone tërheqin vëmendjen me dizajnin e tyre karakteristik, V85 Strada është një zgjedhje për adhuruesit e udhëtimeve, ndërsa V100 Mandello kombinon performancën, teknologjinë moderne dhe komoditetin.

    Por ka një detaj të rëndësishëm: këto çmime vlejnë vetëm për 15 ditë. Për më tepër, sasitë janë të limituara, prandaj të interesuarit kanë një periudhë të shkurtër për të përfituar nga kampanja.

    Të katër modelet mund t’i shihni nga afër në Ventoro Motors, ku mund të informoheni edhe për karakteristikat dhe disponueshmërinë e tyre.

    Për më shumë informacione rreth ofertës, kontaktoni Ventoro Motors në 045 600 456 ose 0800 40 444.

    15 ditë, katër modele Moto Guzzi dhe deri në 3,700€ zbritje. Oferta është aktive, zgjedhja është e juaja!