Blog

  • Kumbaro: Shkollat vijojnë mësimin normalisht, mirënjohje për mësuesit

    Kumbaro: Shkollat vijojnë mësimin normalisht, mirënjohje për mësuesit

    “Punonjësit e Ministrisë së Arsimit nuk kanë ndaluar asnjë ditë punë, qoftë fizikisht, qoftë online për shkak se një pjesë e zyrave të janë të dëmtuara. Gjatë fundjavës kemi qenë në komunikim pa pushim me sistemin tonë arsimor që java të rifillojë në të gjitha shkollat, ku ju presin krahëhapur mësuesit, drejtuesit, oficerët e sigurisë, punonjësit socialë. Jemi të gjithë në krye të detyrës. Dua t’u shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë mësuesve për gjithë përkushtimin e dhënë dhe kohën jo vetëm për fëmijët, por për komunikimin me prindërit”, tha Kumbaro.

    Mësimi ka nisur këtë të hënë në mbi 1400 shkollat e vendit, në të gjithë Shqipërinë.

    Ndërkohë, Ministrja Mirela Kumbaro ka pasur një mesazh edhe për prindërit.

    “Të dashur prindër, kini besim te mësuesit. Por sidomos flisni me fëmijët tuaj. Çdo orë që ua merr dhuna, çdo minutë që shohin vandalizmat që i janë bërë qytetit tonë në rrjetet sociale, janë orë të humbura nga jeta e tyre. Koha e tyre është për edukim. Shkollat janë të hapura dhe në funksion të plotë”, u shpreh Kumbaro.

    Ministrja e Arsimit u është drejtuar edhe studentëve, duke i ftuar për dialog.

    “Studentë, kemi qenë në komunikim, edhe individualisht, gjatë gjithë këtij viti në këtë detyrë ku jam, dhe dua t’ju garantoj se dera e Ministrisë është e hapur, por edhe zemra e punonjësve të Ministrisë së Arsimit është e hapur. Gjërat bëhet me zemër dhe me dëshirë për të ecur përpara. Në çdo çast jam gati të ulemi bashkë dhe të përmirësojmë gjithçka që duhet bërë”, u shpreh ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.

    Burimi: RTKLive

  • Premier League: Maresca shkruan historinë

    Premier League: Maresca shkruan historinë

    Në anën tjetër, Enzo Maresca ka hyrë në histori me një rekord të veçantë, kurse Brightoni ka dhuruar spektakël në derbin ndaj Crystal Palace.

    Arsenali siguroi një fitore të vështirë, 1:0, në udhëtim te Nottingham Foresti, duke mbetur në garë me skuadrat kryesuese. Chelsea dhe Liverpooli gjithashtu morën fitore të rëndësishme, ndërsa Brightoni shkëlqeu me triumfin bindës 5:0 ndaj rivalit Crystal Palace, rezultat që e ngjiti në vendin e tretë të tabelës.

    Arsenali mbështetet te lojtarët rezervë

    Skuadra e Mikel Artetës hasi në vështirësi për ta thyer mbrojtjen e Nottingham Forestit, duke mos arritur të regjistronte asnjë goditje në kuadrat në 70 minutat e para të ndeshjes.

    Trajneri spanjoll reagoi përmes zëvendësimeve, duke aktivizuar Noni Madueken në vend të Eberechi Ezes që në pushimin mes pjesëve. Më pas, në lojë u inkuadruan edhe Mikel Merino, Viktor Gyokeres dhe Jurrien Timber.

    Vendimtar doli Madueke, i cili në minutën e 80-të depërtoi nga krahu i majtë dhe goditi fuqishëm, ndërsa topi u devijua dhe përfundoi në rrjetën e portierit Matz Sels.

    Kjo fitore ishte e gjashta për Arsenalin në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit. Londinezët mbeten në vendin e dytë, vetëm tri pikë prapa liderit Manchester City.

    “Kur e sheh cilësinë e formacionit tonë dhe të lojtarëve rezervë, është e jashtëzakonshme. E dimë se disa do ta nisin ndeshjen, ndërsa të tjerët do ta përfundojnë”, deklaroi Madueke.

    Manchester United vazhdon të zhgënjejë

    Manchester United nuk arriti të rikthehet te fitorja, duke barazuar 1:1 në udhëtim ndaj Leeds Unitedit.

    Bryan Mbeumo kaloi mysafirët në epërsi në pjesën e parë, por Dominic Calvert-Lewin barazoi shifrat për vendasit, duke ia mohuar fitoren skuadrës së drejtuar nga Michael Carrick.

    Unitedi ka regjistruar vetëm dy fitore në 10 ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat këtë sezon. Skuadra nga “Old Trafford” shfaqet paqartë në lojë, me mungesë të efikasitetit në sulm, ndërsa rezultatet pozitive të edicionit të kaluar duket se janë larg.

    “Djajtë e Kuq” renditen në vendin e 13-të dhe kanë regjistruar numrin më të vogël të fitoreve në këtë fazë të kampionatit që nga sezoni 1986/87.

    Pozita e Carrickut nuk duket të jetë menjëherë në rrezik, por presioni ndaj tij po rritet. Dy ndeshjet e ardhshme, kundër Chelseat dhe Liverpoolit, pritet të jenë një provë e rëndësishme për skuadrën nga Manchesteri.

    Maresca hyn në histori me Manchester Cityn

    Manchester City vazhdon të fitojë nën drejtimin e Enzo Marescës, i cili ka vendosur një rekord në historinë e Premier League.

    Fitorja 3:2 ndaj Ipswich Townit bëri që Maresca të bëhej trajneri i parë në historinë e kampionatit anglez që fiton shtatë ndeshjet e para të ligës në krye të një skuadre.

    Para tij, disa trajnerë kishin arritur gjashtë fitore radhazi në fillim të aventurës së tyre, përfshirë Pep Guardiolën, i cili e kishte realizuar këtë në sezonin 2016/17.

    Në triumfin ndaj Ipswichit, Erling Haaland shënoi dy gola, duke e çuar në 12 numrin e golave të realizuar në të gjitha garat këtë sezon. Ndërkohë, Phil Foden shënoi golin e tij të parë të edicionit.

    Maresca u shpreh i kënaqur me përparimin e lojtarëve të tij, duke theksuar se ata nuk ndikohen nga kritikat e jashtme.

    “Merita u takon lojtarëve. Ata nuk shqetësohen nga njerëzit që i gjykojnë nga jashtë”, deklaroi trajneri i Manchester Cityt.

    Rezultatet e mira të skuadrës vijnë në një periudhë kur klubi vazhdon të jetë nën vëmendje për çështjen e shkeljeve financiare të rregullave të Premier League, për të cilat është shpallur fajtor.

    Burimi: RTKLive

  • Krasniqi: 35% e të rinjve jashtë punësimit, shkollimit dhe trajnimeve (VIDEO)

    Krasniqi: 35% e të rinjve jashtë punësimit, shkollimit dhe trajnimeve (VIDEO)

    Krasniqi: 35% e të rinjve jashtë punësimit, shkollimit dhe trajnimeve (VIDEO)

    Aktivisti Ismet Krasniqi ka folur për ndikimin e rritjes së çmimeve në mirëqenien e të rinjve në Kosovë, duke theksuar se shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe naftës ndikon drejtpërdrejt edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera.

    Në emisionin “Ora 7”, Krasniqi ka kritikuar mungesën e vëmendjes institucionale ndaj mirëqenies së qytetarëve, veçanërisht të rinjve.

    “Ka kohë të gjatë që nuk kam dëgjuar ndonjë institucion apo politikan të flasë për mirëqenien e qytetarëve, e aq më pak të rinisë”, tha Krasniqi.

    Ai ka përmendur edhe statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2025, sipas të cilave, siç ka deklaruar ai, rreth 35 për qind e të rinjve nuk janë të punësuar, nuk ndjekin shkollim dhe as trajnime. Sipas Krasniqit, kjo gjendje paraqet sfidë për zhvillimin ekonomik të vendit.

     

  • Kursantët e FSK-së realizojnë vizitë studimore në Shqipëri

    Kursantët e FSK-së realizojnë vizitë studimore në Shqipëri

    Kursantët e FSK-së realizojnë vizitë studimore në Shqipëri

    Kursantët e Kursit të Rreshter Majorëve, Gjenerata 04/2027, të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë realizuar një vizitë studimore në Shqipëri, në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet institucioneve të edukimit dhe aftësimit ushtarak të Kosovës dhe Shqipërisë.

    Sipas njoftimit të FSK-së, vizita u realizua në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Shkollës së Nënoficerëve (SHNO) dhe Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) të FSK-së, si dhe Qendrës së Arsimimit Profesional të Nënoficerëve (QAPN) të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH).

    Qëllimi i vizitës ishte avancimi i njohurive profesionale dhe ushtarake, shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira, si dhe forcimi i bashkëpunimit në edukimin dhe aftësimin e nënoficerëve të lartë.

    “Kjo vizitë dëshmon përkushtimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm bilateral ndërmjet dy forcave ushtarake FSK/FARSH, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve profesionale dhe avancimin e standardeve të përbashkëta në edukimin dhe aftësimin ushtarak”

    “Bashkëpunimi bilateral, shkëmbimi i përvojave dhe zhvillimi profesional mbeten shtylla të rëndësishme për ndërtimin e nënoficerëve të përgatitur, të përgjegjshëm dhe të gatshëm për përmbushjen e misionit”./Klankosova.tv

  • Nuk arriti t’i shpëtonte policisë, detaje nga ndjekja në Prishtinë

    Nuk arriti t’i shpëtonte policisë, detaje nga ndjekja në Prishtinë

    Nuk arriti t’i shpëtonte policisë, detaje nga ndjekja në Prishtinë

    Një person është arrestuar në Prishtinë, pasi ka tentuar t’i ikë kontrollit policor.

    Sipas raportit 24 orësh, gjatë ikjes i dyshuari ka hedhur një sopatë të vogël.

    Rasti ka ndodhur më 18 tetor, rreth orës 23:30.

    Forcat e rendit kanë bërë të ditur se rasti është në procedurë hetimore./Klankosova.tv

  • Rama: Nga janari do të rrisim dhe rrogat, 2 mijë e 500 euro shtesë për çdo efektiv në front

    Rama: Nga janari do të rrisim dhe rrogat, 2 mijë e 500 euro shtesë për çdo efektiv në front

    Rama: Nga janari do të rrisim dhe rrogat, 2 mijë e 500 euro shtesë për çdo efektiv në front

    Kryeministri Edi Rama në një konferencë me policët, ka deklaruar se do të ketë 2500 euro për çdo efektiv policie që është në këtë front të protestës.

    Sipas kreut të shtetit, kjo u vendos kështu për të mos bërë asnjë diferencë, jo sipas pagës, e njëjta shumë për të gjithë.

    “Nuk është diçka që po e them sot, si rezultat i kësaj që po ndodh, se jemi ulur përpara disa javësh, tani që po përgatisin buxhetin e ri, ministri e ka thënë dhe publikisht se ne do të rrisim në mënyrë të konsiderueshme pagën tuaj se në krye të herës, kur policinë e gjetëm të tradhtuar dhe të braktisur me disa këtu që shtynin makinat se mbaronte karburanti  në rrugë bëmë rritje të konsiderueshme atëherë, për ti thënë policinë se ju jeni themeli i shtetit. Por në vite e vërteta është se nuk e kemi rritur aq sa duhet pagën tuaj. Po bisedonim para disa javësh”, shkruan tch.

    “Kështu me buxhetin e ri nga janari, pagën tuaj do ta rrisin në mënyrë të konsiderueshme. Nga ana tjetër, për të gjithë rezistencën, sakrificën, kurajon dhe mbi të gjitha për dinjitetin me të cilin po i dilni përballë jo vetëm këtyre por edhe atyre që nëpër ekrane masakrojnë policinë, kërkojnë që policia të dorëzohet, e do tu vëmë menjëherë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh për çdo efektiv që është në këtë front sepse keni jo vetëm stresin por edhe nevojën për të shpenzuar në këtë moment në gjëra ekstra. Dhe vendosëm kështu për të bërë mos bërë asnjë diferencë.”

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Rama: Nga janari do të rrisim dhe rrogat, 2 mijë e 500 euro shtesë për çdo efektiv në front appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Trump mbron lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Rusisë

    Trump mbron lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Rusisë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbrojti vendimin e tij për të mos zbatuar sanksionet e reja kundër Rusisë, duke thënë se nuk dëshiron ta largojë Moskën nga negociatat për paqe.

    Vendimi nxiti kritika të ashpra nga Ukraina dhe disa ligjvënës amerikanë, të cilët vlerësojnë se lehtësimi i presionit ndaj Rusisë i dërgon sinjal të gabuar Kremlinit.

    Trump nënshkroi më 16 tetor një urdhër ekzekutiv për të mos zbatuar sanksionet e reja ndaj Rusisë, të parashikuara me një ligj që mban emrin e senatorit të ndjerë amerikan, Lindsey Graham, i njohur si mbështetës i fuqishëm i Ukrainës.

    Disa ditë më herët, Trump lehtësoi përkohësisht edhe sanksionet ndaj naftës ruse dizel.

    Trump e nënshkroi këtë ligj muajin e kaluar, pas kërkesave të ligjvënësve amerikanë për të rritur presionin ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës.

    Por, vendimet e ditëve të fundit për lehtësimin e sanksioneve nxitën kritika të ashpra, me pretendimet se Trump po i jep Kremlinit mundësi të sigurojë fonde për financimin e luftës.

    Presidenti amerikan i hodhi poshtë këto akuza.

    “Jam në proces të negociatave për paqe në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe nuk dua të bëj asgjë që, në mënyrë të pamenduar, do ta largonte Rusinë nga tryeza e negociatave”, shkroi Trump në platformën Truth Social, më 18 tetor.

    Kur e nisi mandatin e tij në janar të vitit 2025, Trump e shpalli përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës si një nga përparësitë e tij.

    Megjithatë, negociatat për paqe kanë ngecur, pasi Moska dhe Kievi vazhdojnë të kenë qëndrime shumë të ndryshme për kushtet e përfundimit të luftës.

    Kremlini nuk ka treguar gatishmëri për lëshime, duke refuzuar vazhdimisht thirrjet për një armëpushim të plotë dhe duke këmbëngulur në kërkesat e tij, përfshirë marrjen nën kontroll të territoreve ukrainase që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë në fushëbetejë.

    Bllokimi i negociatave ka bërë që të dyja palët t’i intensifikojnë sulmet.

    Moska ka bombarduar Kievin dhe qytete të tjera të mëdha ukrainase, si dhe ka shënjestruar infrastrukturën energjetike, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të shërbimeve publike, në kohën kur Ukraina po përgatitet për dimër.

    Në mesin e këtyre sulmeve ishte edhe goditja e Kievit me disa raketa balistike, vonë më 18 tetor.

    Sipas kryetarit të qytetit, Vitali Klitschko, njëra prej raketave goditi ndërtesën e një qendre mjekësore, duke lënë së paku një person të vrarë.

    Nga ana tjetër, forcat e armatosura ukrainase kanë shënjestruar rafineritë e naftës në Rusi, me synimin për t’ia vështirësuar Moskës operacionet ushtarake.

    Këto sulme e kanë zemëruar Trumpin, në kohën kur Partia e tij Republikane përballet me një garë të ngushtë zgjedhore për të ruajtur kontrollin e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve.

    Trump fajësoi gjithashtu homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, për mungesën e gatishmërisë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër vendit të tij, duke pretenduar se ai “nuk dëshiron t’i japë fund kësaj lufte dhe ndoshta nuk e ka dashur kurrë këtë”.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi për pasoja të rënda për Ukrainën, nëse Shtetet e Bashkuara ia ndërpresin mbështetjen.

    “Nëse Shtetet e Bashkuara mbajnë anën e Rusisë, natyrisht se ne nuk do të mund të fitojmë”, tha Zelensky në emisionin “Meet the Press” të televizionit amerikan NBC, më 18 tetor.

    “Ne duam t’i besojmë atij dhe shpresoj që ai do t’i ndryshojë vendimet e tij… Sepse, mendoj se të gjitha këto janë gabime që nuk do të na ndihmojnë as neve, as Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke iu referuar Trumpit.

    Zelensky shtoi se shkëmbimi i informacioneve të inteligjencës me SHBA-në, për të cilin Ukraina ka thënë se është ndërprerë në fillim të javës, duket se ka rifilluar.

    “Jemi shumë mirënjohës për këtë”, tha Zelensky. “Tani po funksionon”.

    Një javë më parë, Trump njoftoi në rrjetet sociale për një armëpushim që do të ndalonte sulmet ndaj objekteve energjetike, pa pasur një marrëveshje mes palëve.

    Zelensky u shpreh i gatshëm t’i ndalte sulmet, por kërkoi që edhe Moska të vepronte njësoj.

    Megjithatë, pasi Rusia vazhdoi sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, Zelensky tha se Kievi nuk do t’i ndalte në mënyrë të njëanshme sulmet e veta.

    Moska nuk dha asnjë shenjë për mbështetjen e armëpushimit të shpallur nga Trump.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili, sipas mediave ruse, vizitoi një qendër komanduese ushtarake në fillim të javës, urdhëroi ushtrinë t’i vazhdonte sulmet “masive dhe të koordinuara” ndaj objektivave në Ukrainë.

    Moska i ka përdorur edhe më parë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, për t’i bërë presion Kievit që t’i pranojë kërkesat e saj.

    Këto sulme kanë lënë mijëra njerëz pa ngrohje dhe energji elektrike në temperatura nën zero.

    Vendimi i Trumpit për të lehtësuar sanksionet ndaj Rusisë nxiti kritika të ashpra nga ligjvënësit e të dyja partive kryesore në SHBA, si dhe nga partnerët ndërkombëtarë të Ukrainës.

    Ndërsa zyrtarë të administratës Trump, përfshirë sekretarin amerikan të Thesarit, Scott Bessent, e mbrojtën vendimin e presidentit, ligjvënësi republikan, Don Bacon, tha se veprimet që i ndihmojnë Kremlinit, “do të mbeten një kapitull shumë i turpshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara”./RadioEvropaeLirë

    Burimi: Dukagjini

  • Isufi pasi u pa në protestë: Në Tiranë isha me nipa për qef, edhe si gazetar

    Venhar Isufi mohoi sërish të jetë pjesë e kabinetit të Armend Mujës “qe një muaj e gjysmë.”

    Ai doli me reagim ndaj gazetës Nacionale pas raportimit se ishte në Tiranë ku u kap nga kamerat në një moment të protestës.

    Isufi si zëdhënës i Armend Mujës ende figuron në uebfaqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa dorëheqje apo largim nga pozita e tij si “këshilltar politik” apo “zëdhënës” ende nuk ka zyrtarisht, shkruan Nacionale.

    Ai tha se në Tiranë ishte “për qef, me nipa.”

    Por, shtoi ai, “edhe si gazetar freelancer.”

    “Por edhe nese do te jem serish ne Qeveri, serish do ta kryej punen me integritet,” përfundoi ai.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Isufi pasi u pa në protestë: Në Tiranë isha me nipa për qef, edhe si gazetar appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • 350 të arrestuar nga protesta në Paris, Macron refuzon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm

    350 të arrestuar nga protesta në Paris, Macron refuzon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm

    Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se 350 persona janë arrestuar në Paris të dielën dhe gjatë orëve të para të së hënës, pas protestave që u përshkallëzuan në dhunë në disa qytete të vendit.

    Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, ka deklaruar se policia kishte humbur kontrollin e situatës gjatë protestave në disa qytete gjatë fundjavës, raportoi agjencia e lajmeve AFP.

    Nuñez ka pranuar gjithashtu se autoritetet nuk kishin bërë përgatitjet e nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës. Ai ka thënë se i kishte ofruar dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron, pasi ndihej përgjegjës për gjithçka që kishte ndodhur.

    Megjithatë, Macron nuk e ka pranuar dorëheqjen.

    Protestat në Francë u përshkallëzuan gjatë fundjavës, kur, sipas vlerësimeve të autoriteteve, më shumë se 500 mijë persona dolën në rrugë për të kundërshtuar kushtet e këqija në shkolla dhe rritjen e kostos së jetesës.

    Shumica e demonstratave kanë qenë paqësore, por një pjesë e tyre përfunduan në përleshje dhe akte dhune. Sipas vlerësimeve, rreth 1 mijë e 500 dyqane dhe biznese janë plaçkitur ose shkatërruar.

    Si nisën protestat në Francë?

    Pakënaqësitë nisën në mesin e shtatorit, kur studentët në Paris filluan protestat kundër kushteve në arsim. Ata ngritën shqetësime për gjendjen e amortizuar të ndërtesave shkollore dhe mungesën e mësimdhënësve.
    Protestat më pas u përhapën në qytete të tjera të Francës, ku disa prej tyre u shoqëruan me dhunë. Më 5 tetor, një 15-vjeçar humbi dorën nga një shpërthim gjatë një përplasjeje mes policisë dhe protestuesve.

    Me kalimin e ditëve, demonstratave iu bashkuan qindra mijëra qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, përfshirë mësimdhënës, pensionistë dhe sindikata.

    Ndërkohë, në disa pjesë të Francës është rishfaqur edhe lëvizja e jelekëve të verdhë, e cila në të kaluarën ka organizuar protesta kundër pabarazisë ekonomike.

    Burimi: Dukagjini

  • Rama: Dhuna ndaj Policisë nuk është protestë

    Rama: Dhuna ndaj Policisë nuk është protestë

    Një gur në dorë, një mesazh i fortë për protestuesit dhe një akuzë ndaj një rryme që, sipas tij, po ndikon te të rinjtë. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një simbol të drejtpërdrejtë për të dënuar incidentet e dhunshme gjatë protestave, duke e cilësuar dhunën ndaj Policisë si vijë të kuqe për shtetin.

    Gjatë një takimi me drejtuesit e Policisë së Shtetit, kreu i qeverisë theksoi se pakënaqësitë qytetare janë pjesë e demokracisë, por ato nuk mund të justifikojnë sulmet ndaj efektivëve dhe institucionet nuk duhet të tërhiqen përballë akteve të tilla.

    “Me këtë (gur) nuk negociohet. Dhe me këdo që vë përpara këtë, nuk negociohet”, deklaroi Rama.

    Sipas kryeministrit, Shqipëria i ka përjetuar më parë pasojat e dhunës, të cilat, siç u shpreh ai, kërkojnë vite për t’u kapërcyer. Për këtë arsye, ai argumentoi se tolerimi i dhunës mund të rrezikojë vetë autoritetin e shtetit.

    Në fokus të deklaratës së kryeministrit ishin edhe të rinjtë që marrin pjesë në protestat e fundit. Rama bëri dallimin mes pjesëmarrjes paqësore dhe përfshirjes në akte të dhunshme, por pretendoi se një pjesë e të rinjve po ndikohet nga një rrymë ekstremiste e shfaqur në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Janë të rinj dhe të reja të ekstremizuar nën trysninë, apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në SHBA”, u shpreh ai, duke iu referuar Antifës.

    Deklarata e Ramës e zhvendos debatin përtej incidenteve në rrugë, drejt ndikimit të ideologjive dhe organizimeve politike te brezi i ri. Megjithatë, pretendimet për ekstremizëm kërkojnë fakte konkrete dhe nuk mund të përgjithësohen për të gjithë ata që zgjedhin të protestojnë.

    Dënimi i dhunës ndaj policisë është një çështje, ndërsa garantimi i së drejtës për protestë është një tjetër detyrim i demokracisë. Të dyja kërkojnë zbatim të ligjit, përgjegjësi individuale dhe respektim të lirive themelore.

    Mesazhi i kryeministrit është se shteti nuk duhet të negociojë me dhunën. Por sfida për institucionet mbetet që, krahas ruajtjes së rendit publik, të garantojnë hapësirën për kundërshtimin politik dhe shprehjen paqësore të pakënaqësive.

    Në fund, guri i mbajtur nga Rama shërbeu si simbol i një qëndrimi të prerë ndaj dhunës. Por mënyra se si institucionet do të veprojnë në praktikë do të përcaktojë nëse ky qëndrim do të shoqërohet edhe me besim, drejtësi dhe respekt për të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

    Burimi: RTKLive