Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar në Debat Plus se Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara mund të krijojë përplasje institucionale mes Kosovës dhe Gjykatës Speciale në Hagë.
Duke folur për mundësinë që ligji të rrëzohet në dhomën e Kushtetueses në Hagë, Gruda tha se moszbatimi i vendimeve dhe i Kushtetutës së Kosovës nga Gjykata Speciale nuk është diçka e re, por sipas tij, rëndësia e ligjit qëndron te raporti që ai krijon mes shtetit të Kosovës dhe kësaj gjykate.
“A mundet ky ligj të rrëzohet në dhomën kushtteuse? me thënë që sot Haga nuk heziton mos me i zbatu ligjet e Kosovës, nuk është naj farë gjetje, është si me thënë uji është i lagët. që Haga nuk i zbaton vendimet e Kosovës, Kushtetutën na ka treguar për 6 vjet rend. Por, cka bën ky ligj? Ky ligj e ndërton një përpalsje të Kosovës me Specialen… tash kemi hyrë në një proces, ku Kosova si shtet, jo më si territori i administruar nga UNMIK, por si shtet i pavarur, ndeshet me Specialen”, ka deklaruar Gruda.
Kampioni i Arabisë Saudite, Al-Nassr, nuk do ta zhvillojë sipas planit ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampionëve të Azisë, “AFC Champions League Elite”, ndaj skuadrës PFC Neftchi.
Ndeshja, e paraparë të zhvillohej sonte në orën 20:15, është shtyrë për shkak të situatës së krijuar në Riad, ku raportohet për një shpërthim në aeroport.
Alarmet janë dëgjuar edhe në stadiumin ku pritej të zhvillohej përballja, pas së cilës është marrë vendimi për shtyrjen e ndeshjes.
Vendimi për shtyrjen vjen në një kohë kur siguria në kryeqytetin saudit është rritur pas sulmeve të fundit në aeroportin ndërkombëtar të Riadit. Sipas raportimeve, sulmet kanë shkaktuar viktima dhe të plagosur, si dhe kanë ndërprerë operacionet e aeroportit.
Deri më tani, në raportimet e cituara nuk është bërë e ditur se kur do të zhvillohet ndeshja e shtyrë.
Në Shtime u zhvillua takimi me mësimdhënësit e rajonit të Ferizajt për diskutimin e Strategjisë së Arsimit të Kosovës 2035+, në një organizim të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).
Ky ishte takimi i pestë rajonal në kuadër të ciklit të diskutimeve me mësimdhënës në të gjitha rajonet e Kosovës, pas takimit të parë të zhvilluar në Gjilan, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë.
Në bashkëbisedimin me mësimdhënësit morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, përfaqësues të Ministrisë, udhëheqës të SBAShK-ut, drejtues të institucioneve arsimore, si dhe mësimdhënës e punëtorë të arsimit nga Rajoni i Ferizajt.
Në fokus të takimit ishte dëgjimi i drejtpërdrejtë i zërit të mësimdhënësve dhe marrja e propozimeve konkrete nga terreni për përmbajtjen dhe prioritetet e Strategjisë së Arsimit 2035+.
Gjatë diskutimit u trajtuan çështje të rëndësishme për të ardhmen e sistemit arsimor, përfshirë cilësinë në arsim, kushtet e punës dhe të mësimdhënies, zhvillimin profesional dhe mbështetjen e mësimdhënësve, mirëqenien e punëtorëve të arsimit, autonominë dhe zhvillimin e shkollës, kurrikulën dhe procesin mësimor, digjitalizimin, financimin e arsimit, si dhe sfida të tjera me të cilat përballen institucionet arsimore.
Mësimdhënësit e Rajonit të Ferizajt patën mundësi që drejtpërdrejt të paraqesin sugjerimet, shqetësimet dhe propozimet e tyre konkrete për atë se çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë duhet të parashikojë Strategjia e Arsimit 2035+.
Ministri Hajrulla Çeku theksoi rëndësinë e përfshirjes së mësimdhënësve në këtë proces, duke vënë në pah se Strategjia e Arsimit 2035+ duhet të ndërtohet përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe në bazë të përvojave dhe nevojave reale të sistemit arsimor.
Ndërsa kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, theksoi rëndësinë e rolit të punëtorëve të arsimit në përcaktimin e prioriteteve për të ardhmen e arsimit, si dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet SBAShK-ut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
“Takimi i këtij rajoni u karakterizua nga një diskutim i hapur, i drejtpërdrejtë dhe konstruktiv, ku mësimdhënësit patën mundësinë të adresojnë çështjet që i preokupojnë në punën e përditshme dhe të ofrojnë ide konkrete për përmirësimin e sistemit arsimor. SBAShK dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të vazhdojnë këtë cikël të takimeve rajonale me synimin që zëri i mësimdhënësve të jetë pjesë e drejtpërdrejtë e procesit të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+ dhe që kjo strategji të jetë sa më reale, gjithëpërfshirëse dhe e zbatueshme. Takimet rajonale do të vazhdojnë edhe në rajonet e tjera të Kosovës”, njofton SBAShK-u.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, duke iu referuar sulmeve terroriste në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit, ka nënvizuar se, pavarësisht kërcënimeve serioze dhe përpjekjeve për destabilizim, siç është shprehur, institucionet e Kosovës kanë dëshmuar vendosmëri dhe kapacitet për t’u përballur me këto sfida, duke mbrojtur sigurinë e vendit, me mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve transatlantikë.
Këto komente ai bëri në edicionin e 30-të të Forumit 2000 në Pragë, në panelin “Bridging the Divide – Crafting a Transatlantic Roadmap for Tech & Economic Security”, ku diskutoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Gjatë diskutimit, Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Republika e Kosovës është dëshmi konkrete e suksesit të bashkëpunimit transatlantik. Nga një vend i shkatërruar nga lufta në një demokraci që sot po lulëzon në paqe, Kosova ka shënuar përparim të vazhdueshëm falë qëndrueshmërisë së institucioneve të saj dhe partneritetit të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”.
“Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se përvoja e Republikës së Kosovës dëshmon rezultatet konkrete të unitetit transatlantik dhe rëndësinë e ruajtjes së këtij partneriteti për sigurinë dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën për media./Klankosova.tv
Pavarësisht se Trumpi deklaroi të dielën se armëpushimi do të hynte në fuqi “menjëherë”, presidenti ukrainas tha se Rusia kishte goditur “stacionet tona të gazit, infrastrukturën energjetike dhe objekte të tjera”.
Në qytetin e Iziumit pati ndërprerje të energjisë elektrike pasi një sulm rus shkatërroi rrjetet elektrike, raportoi agjencia shtetërore ukrainase e lajmeve Ukrinform. Gjatë natës u goditën gjithashtu infrastruktura energjetike dhe ajo hekurudhore në perëndim të Ukrainës.
Të hënën, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Ukraina nuk e meriton “pushimin” që do të sillte një armëpushim.
Zelensky tha se 33 persona u plagosën nga sulmet ndaj objekteve energjetike në të gjithë vendin.
Ai i tha televizionit Fox News: “Ne nuk sulmuam, ndërsa Rusia goditi stacionet tona të gazit, infrastrukturën energjetike dhe objekte të tjera”.
“Besoj se kjo ishte përgjigjja e Putinit ndaj presidentit Trump”, shtoi ai, raporton BBC.
Gazetari Lirim Mehmetaj ka kritikuar mënyrën se si janë proceduar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se është anashkaluar një kriter kushtetues dhe se kjo nuk mund të shpjegohet vetëm me mungesë të njohurive juridike.
Në përballje në Debat Plus me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, Mehmetaj ka thënë se, sipas tij, gabimet procedurale gjatë miratimit të ndryshimeve ligjore janë të vështira për t’u konsideruar të paqëllimshme.
“Për mua është e pamundur me gabu procedurën. Në procedurë e sipër këta e kanë anashkaluar një kriter kushtetues. Qysh është konsultimi i ligjit, mos me të ra ndërmend?”, ka deklaruar Mehmetaj.
Ai ka ngritur dyshime se vendimi i PDK-së për të propozuar ndryshimet mund të jetë ndikuar nga kalkulimet politike dhe dëshira për të shmangur zgjedhjet.
“Në kuptim procedural këta e kanë gabu. për mua kjo është e pamundur që kjo ka qenë veç mungesë e dijes, e jo dashakeqësi. qe tregoj ccka është. Me shumë gjasë PDK nuk ka dashtë me shku në zgjedhje, këta i dinë arsyet. tash kqyre çka ka ndodh? Albin Kurti iu ka thënë këtyre s’po du me pa këtë protestë. dhe rrjedhimisht këta na e kanë shitur një ligj, që ka me ra edhe për procedurë”, ka thënë ai.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u propozuan nga PDK-ja pesë ditë pas aktgjykimit të 16 shtatorit, me të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte.
Ndryshimet synojnë kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara përmes ngushtimit të periudhës kohore dhe kategorive të veprave penale që mund të trajtohen. Ato parashohin, ndër të tjera, uljen e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankimimit në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.
Janina Ymeri ka bërë të ditur se i ka dërguar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me pagesat direkte për vitin 2026, të cilat, sipas saj, ende nuk janë ekzekutuar.
Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka thënë se kërkesën e ka bërë pas ankesave të fermerëve për vonesat në pagesa, duke theksuar se e ka parë të arsyeshme të kërkojë një përgjigje zyrtare nga ministria.
Ajo ka shprehur shqetësimin për mungesën e informatave lidhur me këtë çështje, duke thënë se shpreson që stafi i ministrisë, përfshirë ministrin Armend Muja, të jetë në dijeni për rëndësinë e saj.
“Shpresoj që stafi i Ministrisë përveç ministrit Armend Muja është në dijeni që heshtja, mos-përgjigja nuk është zgjidhje sidomos për këtë çështje kaq të rëndësishme”, ka shkruar Ymeri.
Në reagimin e saj, Ymeri ka përmendur edhe çështjen e informatave për grurin serb, duke paralajmëruar se tema mund të rikthehet përmes seancave në Kuvendin e Kosovës, nëse, sipas saj, nuk merret parasysh as paralajmërimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).
Protestuesit janë mbledhur sërish në Tiranë, duke shënuar ditën e 135-të të tubimit të tyre të vazhdueshëm kundër politikave të qeverisë.
Protestuesit vijuan ritualin e marshimit përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kundërshtuar projektin turistik në zonën e Zvërnecit, politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.
Ata marshuan përgjatë bulevardit kryesor për t’u ndalur përpara godinës së Kryeministrisë, ku vijuan tubimin përmes fjalimeve të njëpasnjëshme të aktivistëve.
“Revolucioni i Flamingove” nisi fillimisht si një lëvizje kundër ndërtimit të një resorti turistik në Zvërnec, por tashmë është shndërruar në një protestë politike.
Prishtina Hospital, institucioni më i ri shëndetësor në Kosovë, është prezantuar të hënën në Prishtina Mall, me synimin për të ofruar shërbime moderne dhe teknologji të avancuar për pacientët.
Spitali synon të angazhojë profesionistët më të mirë shëndetësorë dhe të krijojë kushte që kuadrot vendore të mos largohen për të punuar jashtë vendit.
Projekti parasheh zgjerimin në departamente të shumta, si dhe themelimin e një Akademie Mjekësore.
Prodhuesi francez i automjeteve, Peugeot, ka prezantuar konceptin e ri elektrik RCZ Vision, duke rikthyer emrin e kupesë sportive RCZ me një dizajn futurist, teknologji të avancuara dhe performancë të lartë.
Koncepti u zbulua pak orë para hapjes së Panairit të Automjeteve në Paris 2026 dhe paraqet drejtimin që kompania synon të ndjekë në dizajn, teknologji dhe përvojën e drejtimit. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse modeli do të hyjë në prodhim serik.
RCZ origjinale u prodhua nga viti 2009 deri më 2015 dhe u dallua për pamjen sportive, veçanërisht për çatinë me dy fryrje, një element që rikthehet edhe te koncepti i ri.
RCZ Vision ka një profil të ulët, krahë të theksuar dhe një pjesë të jashtme të skalitur, ndërsa ndriçimi modern përfshin elemente të holla që interpretojnë motivin e tri kthetrave karakteristik të Peugeot. Koncepti është i gjatë 4.65 metra, i gjerë 1.94 metra dhe i lartë vetëm 1.35 metra.
Sa i përket performancës, Peugeot deklaron se automjeti zhvillon 500 kuaj fuqi dhe mund të ofrojë autonomi deri në 600 kilometra. Sipas kompanisë, konsumi i energjisë synon të jetë rreth 11.5 kWh për 100 kilometra.
Një prej risive kryesore është bateria në gjendje të ngurtë, e zhvilluar në bashkëpunim me Factorial Energy. Ajo ka trashësi prej vetëm 110 milimetrash dhe përdor arkitekturë elektrike prej 1,000 voltësh. Peugeot pretendon se bateria mund të karikohet nga 10 në 80 për qind për vetëm 10 minuta, por këto të dhëna i përkasin konceptit dhe nuk janë konfirmuar për një model prodhimi.
Edhe kabina sjell risi teknologjike, përfshirë gjeneratën e ardhshme të sistemit i-Cockpit, komandën e drejtimit Hypersquare dhe ekranet transparente Micro LED. Koncepti përfshin gjithashtu teknologjitë steer-by-wire dhe brake-by-wire, të cilat zëvendësojnë lidhjet tradicionale mekanike ose hidraulike me sisteme të kontrolluara elektronikisht.
Sipas Peugeot, modeli parashikon edhe funksione të avancuara të drejtimit të automatizuar, ndërsa kabina me katër ulëse është projektuar për të ofruar rehati gjatë udhëtimeve të gjata.
Në pjesën e jashtme, kompania ka përdorur edhe bojë me përmbajtje alumini të ricikluar, ndërsa në brendësi janë kombinuar materiale si Alcantara, lëkurë e ricikluar dhe alumin i përpunuar.
Pavarësisht risive dhe specifikimeve të deklaruara, Peugeot RCZ Vision mbetet një koncept dhe jo një model i konfirmuar për treg. Ende nuk dihet nëse marka franceze do ta rikthejë kupenë sportive në prodhim dhe cilat nga teknologjitë e prezantuara do të përdoren në automjetet e ardhshme të kompanisë.