Blog

  • Dragash, nisin punimet në rrugën Brezne–Koritnik dhe ndërtimi i stadiumit në Kosavë

    Dragash, nisin punimet në rrugën Brezne–Koritnik dhe ndërtimi i stadiumit në Kosavë

    Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar për fillimin e disa projekteve infrastrukturore në këtë komunë, të cilat përfshijnë rehabilitimin e rrugëve, ndërtimin e një stadiumi dhe përmirësimin e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe turistike.

    Sipas Xheladinit, ka filluar ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugës Brezne–Koritnik TAKE-OFF, projekt që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe qasjes në këtë zonë, si dhe krijimin e kushteve për organizimin e garave të paraglajdingut.

    Po ashtu, kanë nisur punimet për ndërtimin e stadiumit në fshatin Kosavë.

    Një tjetër projekt që ka filluar të realizohet është rehabilitimi i rrugës dhe ndërtimi i mureve mbrojtëse në segmentin Zaplluxhe–Guri i Zi. Këto ndërhyrje synojnë trajtimin e dëmeve të shkaktuara nga rrëshqitjet e dheut si pasojë e vërshimeve.

    Xheladini ka bërë të ditur se të gjitha këto projekte financohen nga Granti i Performancës.

    Sipas tij, investimet synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë, si dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e sportit dhe turizmit në komunën e Dragashit. /Telegrafi/

  • Pjesëtarët e FSK-së zënë vendin e dytë në garën “Ushtari më i mirë”

    Pjesëtarët e FSK-së zënë vendin e dytë në garën “Ushtari më i mirë”

    Pjesëtarët e FSK-së zënë vendin e dytë në garën “Ushtari më i mirë”

    Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët përfaqësuan vendin në garën “Ushtari më i mirë”, kanë zënë vendin e dytë, duke dëshmuar nivel të lartë të përgatitjes profesionale, fizike dhe ushtarake.

    Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i ka pritur në takim pjesëtarët që morën pjesë në garë dhe i ka dekoruar me medalje për rezultatet e arritura.

    Sipas njoftimit të FSK-së, dekorimi është bërë në shenjë vlerësimi për përkushtimin, profesionalizmin dhe suksesin e treguar gjatë garës.

    “ Suksesi i tyre përbën një vlerë të shtuar për FSK-në dhe dëshmi të përgatitjes së vazhdueshme të pjesëtarëve të saj sipas standardeve më të larta ushtarake”, thuhet në njoftim.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Pjesëtarët e FSK-së zënë vendin e dytë në garën “Ushtari më i mirë” appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Ligji për Specialen: Çfarë pritet më tutje?

    Ligji për Specialen: Çfarë pritet më tutje?

    Kuvendi i Kosovës i miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan më 16 shtator me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte. Por, votimi në Kuvend nuk është edhe fundi i procesit.

    Brenda tetë ditësh nga data e miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ligji parashihet të nënshkruhet dhe të shpallet nga presidentja e porsazgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka Pula.

    Nëse ajo nuk vepron brenda këtij afati, ligji konsiderohet i shpallur dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

    Flamur Hyseni, profesor i Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se vetëm pas publikimit të ligjit do të mund të vlerësohej saktësisht përmbajtja përfundimtare e ndryshimeve në të.

    “Megjithatë, mbetet thelbësore që çdo ndryshim ligjor të jetë në përputhje me nenin 162 të Kushtetutës dhe me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës”, pohon Hyseni.

    Por, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerësojnë për REL-in se, brenda afatit prej tetë ditësh, mbetet e hapur rruga që ndryshimet në ligj të kontestohen në Kushtetuese nga palët e autorizuara, përfshirë të paktën dhjetë deputetë dhe Avokatin e Popullit, siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës.

    “Kjo është veçanërisht e rëndësishme, sepse ndryshimet prekin juridiksionin, dënimet dhe procedurat e Dhomave të Specializuara, të cilat nuk rregullohen vetëm me një ligj të zakonshëm”, thekson hulumtuesi i IKD-së, Gzim Shala.

    Neni 162 i Kushtetutës u jep Dhomave të Specializuara status të veçantë. Çdo ndryshim ligjor, që eventualisht bie ndesh me këtë nen, mund të pretendohet si shkelje kushtetuese.

    A e obligon automatikisht Gjykatën ligji i ri?

    Ligji për Specialen, me ndryshimet e miratuara në Kuvend, parasheh, ndër të tjera, kufizimin e mandatit të Gjykatës në Hagë, transferimin e rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre te institucionet e drejtësisë në Kosovë, si dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.

    Ky ligj parasheh, gjithashtu, mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë, si dhe mundësinë për falje presidenciale.

    Megjithatë, sipas Hysenit, Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe veprojnë mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit të veçantë.

    “Miratimi i ndryshimeve ligjore nuk nënkupton zbatimin e tyre automatik në procedurat gjyqësore. Ligji duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa zbatimi konkret kërkon respektimin e pavarësisë gjyqësore, hierarkisë së normave juridike dhe detyrimeve ndërkombëtare”, thekson ai.

    Shala, ndërkaq, pohon se në rast se ligji – përfshirë edhe ndryshimet në të – shpallet, ai bëhet pjesë e rendit juridik të Kosovës dhe synon të ndryshojë kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara.

    Por, edhe ai beson se ligji nuk e obligon menjëherë Specialen për zbatimin e tij.

    “Jo automatikisht, dhe jo në mënyrën që mund të krijojë përshtypjen se Kuvendi mund t’i ndryshojë njëanshëm procedurat në Hagë”, thekson Shala.

    Ai shton se funksionimi i Gjykatës Speciale mbështetet në Amendamentin 24 të Kushtetutës, Marrëveshjen e ratifikuar ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe Marrëveshjen e Shtetit Pritës, me Holandën.

    “Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë përparësi ndaj ligjeve të zakonshme. Për këtë arsye, Kosova nuk mund t’i ndryshojë vetëm me ligj të brendshëm obligimet që ka marrë ndaj Holandës, BE-së dhe mekanizmit të Dhomave të Specializuara”, thotë Shala.

    Ai thekson se çdo transferim i personave, dosjeve, provave ose ekzekutim i dënimeve në Kosovë “kërkon procedura konkrete, bashkëpunim institucional dhe pajtim me marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse”.

    Vazhdimësia e ligjit të vjetër

    Ligji për Dhomat e Specializuara, përfshirë ndryshimet në të, mund të prodhojnë efekte juridike vetëm pas shpalljes së tij në Gazetën Zyrtare dhe hyrjes në fuqi.

    Ndikimi i mundshëm në vendimet dhe procedurat ekzistuese të Dhomave të Specializuara, thotë Hyseni, “mund të vlerësohet vetëm pasi të dihet përmbajtja përfundimtare e ligjit dhe të shqyrtohet kushtetutshmëria e dispozitave përkatëse”.

    “Deri atëherë, çdo përfundim mbi efektet konkrete juridike do të ishte i parakohshëm”, thekson Hyseni.

    Nga IKD-ja vlerësojnë se hyrja në fuqi nuk i anulon vetvetiu aktgjykimet apo vendimet e Dhomave të Specializuara.

    Vetë teksti i miratuar, sipas Shalës, përcakton se rastet që janë në zhvillim para gjyqtarit të procedurës paraprake, Trupit Gjykues ose Panelit të Apelit vazhdojnë sipas ligjit të vjetër, deri në nxjerrjen e aktgjykimit nga Apeli.

    “Pra, për lëndët që janë në ankesë, ndryshimet nuk e ndërpresin automatikisht procedurën në Hagë, dhe nuk e bartin menjëherë atë në Gjykatën Supreme të Kosovës”, thotë Shala.

    Ai shton se ligji synon zbatim të menjëhershëm të disa dispozitave, përfshirë kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet, vuajtjen e dënimit në Kosovë dhe mundësinë e faljes individuale.

    Por, sipas tij, këto dispozita nuk prodhojnë automatikisht pasoja ndaj vendimeve të formës së prerë ose marrëveshjeve për ekzekutimin e dënimit.

    “Për vendimet përfundimtare, vetë ligji parasheh përdorimin e mjeteve të jashtëzakonshme juridike dhe standardeve kushtetuese, ndërsa çdo efekt duhet të jetë në pajtim edhe me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës”, thotë Shala.

    Burimi: Dukagjini

  • Zjarr në kanalin e kabllove ndërpret qarkullimin hekurudhor në Zvicër

    Zjarr në kanalin e kabllove ndërpret qarkullimin hekurudhor në Zvicër

    Një zjarr në një kanal të kabllove në afërsi të Eclépens, në kantonin Vaud të Zvicrës, ka shkaktuar ndërprerjen e qarkullimit të trenave në mes të Cossonay-Penthalaz dhe Chavornay, të premten në orët e hershme të mëngjesit.

    Sipas Hekurudhave Federale Zvicerane (SBB), zjarri ka shkaktuar defekt në sistemin e sinjalizimit hekurudhor rreth orës 03:15.
    Për shkak të incidentit, udhëtarët duhet të llogarisin vonesa dhe anulime të trenave. Për të siguruar transportin e pasagjerëve, ndërmjet stacioneve Cossonay-Penthalaz dhe Chavornay janë vënë në qarkullim autobusë zëvendësues, shkruan Waston, transmeton Telegrafi.

    Ndërprerja ka prekur linjat hekurudhore IC5, IC51, R1 dhe R2.

    Për udhëtarët që udhëtojnë ndërmjet rajonit të Liqenit të Gjenevës dhe Zvicrës gjermanofolëse, si dhe në drejtim të Neuchâtel dhe Biel, autoritetet hekurudhore rekomandojnë itinerare alternative përmes Bernës, Fribourgut ose Payerne.

    ipas njoftimit të SBB-së, pengesat në qarkullim pritet të zgjasin të paktën deri në mesditë. Udhëtarëve u është rekomanduar që para nisjes të kontrollojnë orarin online të trenave./Telegrafi/

  • Pesë modelet e xhaketave që do të dominojnë modën këtë vjeshtë-dimër

    Pesë modelet e xhaketave që do të dominojnë modën këtë vjeshtë-dimër

    Pesë modelet e xhaketave që do të dominojnë modën këtë vjeshtë-dimër

    Me ardhjen e vjeshtës dhe temperaturave më të ulëta, xhaketat rikthehen si pjesë e domosdoshme e gardërobës. Këtë sezon, krahas modeleve klasike, vëmendjen e marrin edhe prerjet moderne, ngjyrat e veçanta dhe detajet që i japin veshjes më shumë karakter.

    Janë pesë modele xhaketash që pritet të jenë veçanërisht të pranishme gjatë sezonit vjeshtë-dimër.

    Xhaketat prej lëkure

    Xhaketat prej lëkure mbeten ndër zgjedhjet më të preferuara për vjeshtë. Këtë sezon, ato vijnë në prerje të ndryshme, nga modelet e gjera deri te ato klasike me silueta moderne. Kombinohen lehtë me xhinse, çizme, funde apo fustane.

    Xhaketat në nuanca të gjelbra

    Nuancat e gjelbra, veçanërisht e gjelbra ulliri, janë ndër ngjyrat që po marrin vëmendje këtë sezon. Këto xhaketa shfaqen në modele sportive, të shkurtra dhe elegante, ndërsa kombinohen lehtë me të zezën, bezhën, të bardhën dhe ngjyrat e tokës.

    Xhaketat me frymëzim ushtarak

    Xhaketat me kopsa dekorative, prerje të strukturuara dhe detaje të frymëzuara nga uniformat ushtarake po rikthehen në modë. Veçanërisht dallohen modelet napoleonike, të cilat i japin veshjes një pamje elegante dhe të veçantë. Ato kombinohen më së miri me pantallona të thjeshta, çizme apo funde minimaliste.

    Xhaketat me motive kafshësh

    Motivet e leopardit, gjarprit dhe zebrës po shfaqen edhe në veshjet e jashtme. Këto modele janë zgjedhje e përshtatshme për ato që dëshirojnë një paraqitje më të guximshme dhe një element që bie në sy. Për të krijuar një kombinim të balancuar, xhaketa mund të shoqërohet me veshje në ngjyra neutrale.

    Xhaketat me jakë të lartë

    Xhaketat me jakë të lartë vazhdojnë të jenë në trend edhe këtë vjeshtë. Përveç pamjes elegante, ato ofrojnë mbrojtje nga të ftohtit dhe era. Të disponueshme në versione sportive dhe elegante, këto modele përshtaten me stile të ndryshme dhe janë praktike për përdorim të përditshëm.

    Nëse dëshironi ta rifreskoni gardërobën për sezonin e ri, këto pesë modele janë alternativa që ndërthurin stilin, prakticitetin dhe tendencat e modës për muajt e ftohtë.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Pesë modelet e xhaketave që do të dominojnë modën këtë vjeshtë-dimër appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Në Bonn të Gjermanisë kundërshtohet vendimi i Speciales ndaj çlirimtarëve

    Në Bonn të Gjermanisë kundërshtohet vendimi i Speciales ndaj çlirimtarëve

    Në Bonn të Gjermanisë kundërshtohet vendimi i Speciales ndaj çlirimtarëve

    Protesta me moton “Jo në emrin tim” është paralajmëruar të mbahet sot në qytetin e Bonnit, në Gjermani.

    Sipas njoftimit të “Liria ka Emër”, protesta do të mbahet në Parkun e Universitetit am Hofgarten, në orën 19:00, transmeton Klankosova.tv.

    Kjo protestë po organizohet për të kundërshtuar verdiktin dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

  • Drake reagon ndaj thashethemeve se ai dhe Keshia Chante janë në pritje të një fëmije

    Drake reagon ndaj thashethemeve se ai dhe Keshia Chante janë në pritje të një fëmije

    Ekipi i Drake ka mohuar zërat se reperi është babai i fëmijës së Keshia Chante, pasi këngëtarja bëri të ditur se është në pritje të një djali.

    Chante, 38 vjeçe, zbuloi në një intervistë për “Hello!” të martën se është shtatë muajshe shtatzënë dhe se është në pritje të një djali.

    Në intervistën e shoqëruar me fotografi ku ajo shfaqte barkun e rrumbullakosur, Chante nuk e bëri të ditur identitetin e babait të fëmijës. Kjo nxiti spekulime në internet se babai mund të ishte Drake, 39 vjeç, me të cilin ajo ka pasur një lidhje të gjatë në të kaluarën.

    Megjithatë, përfaqësuesit e reperit të hitit “God’s Plan” i thanë “Daily Mail” se po bëjnë një “mohim të plotë” të këtyre zërave dhe konfirmuan se pretendimet për atësinë janë të pavërteta.

    Drake, i cili së fundmi është përfolur për një lidhje me artisten Pinkchyu, është tashmë baba i një djali tetëvjeçar, Adonis, të cilin e ka me ish-partneren e tij Sophie Brussaux, ish-modele dhe artiste.

    Në intervistën e saj, Chante nuk dha shumë detaje rreth marrëdhënies së saj me babanë e fëmijës, por tha se aktualisht është “e padisponueshme”.

    Chante tregoi gjithashtu se ishte pikërisht babai i fëmijës ai që i kishte propozuar që të kishin një fëmijë së bashku.

  • Putini fton ish-kancelarin gjerman në ditëlindjen e tij, përqafohen ngrohtësisht

    Putini fton ish-kancelarin gjerman në ditëlindjen e tij, përqafohen ngrohtësisht

    Putini fton ish-kancelarin gjerman në ditëlindjen e tij, përqafohen ngrohtësisht

    Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder, ka marrë pjesë në festimin e ditëlindjes së 74-t të presidentit rus, Vladimir Putin, në Moskë, ka bërë të ditur Kremlini.

    Sipas njoftimit të publikuar nga Kremlini në Telegram, Putini kishte mësuar për praninë e Schröderit në kryeqytetin rus nga mediat, të mërkurën në mëngjes, përpara se ta ftonte ish-kancelarin në shtëpinë e tij.

    Schröder udhëtoi drejt Moskës pas emërimit të tij në bordin mbikëqyrës të rrjetit rus të shitjes me pakicë Hyperglobus, ku pritet të kontribuojë në menaxhimin e përgjithshëm dhe zhvillimin strategjik të kompanisë në Rusi.

    Të mërkurën, 82-vjeçari u prit me duartrokitje nga punonjësit e një dege të Hyperglobusit në Moskën perëndimore. Në pamjet e transmetuara nga televizioni RBC, ai shihet duke përshëndetur stafin dhe duke shprehur kënaqësinë për vizitën.

    Schröder është kritikuar prej vitesh për lidhjet e tij të ngushta me Putinin dhe bizneset ruse, të cilat kanë vazhduar edhe pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 dhe vendosjes së sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.

    Ai shërbeu si kancelar i Gjermanisë nga viti 1998 deri më 2005 dhe, pas largimit nga detyra, punoi për kompani shtetërore ruse. Edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë, ish-kancelari është takuar disa herë me presidentin rus.

    Ndërkohë, Hyperglobus u nda nga kompania gjermane Globus Holding vitin e kaluar, në një kohë kur autoritetet ruse po shtojnë përpjekjet për të marrë kontrollin mbi asetet e kompanive të huaja që operojnë në vend.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Putini fton ish-kancelarin gjerman në ditëlindjen e tij, përqafohen ngrohtësisht appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Norvegji, ndalohen të gjithë trenat për shkak të një defekti në komunikim

    Norvegji, ndalohen të gjithë trenat për shkak të një defekti në komunikim

    Norvegji, ndalohen të gjithë trenat për shkak të një defekti në komunikim

    Të gjithë trenat në Norvegji janë ndalur për shkak të një problemi me sistemin e komunikimit, duke shkaktuar vonesa dhe anulime në të gjithë vendin.

    Kompania publike hekurudhore norvegjeze Vy njoftoi se trafiku hekurudhor është ndërprerë në të gjithë vendin për shkak të një defekti që ka prekur sistemin e komunikimit.

    Problemi raportohet se lidhet me një ndërprerje në rrjetin e kompanisë së telekomunikacionit Telenor. Defekti u shfaq pak pas orës 19:00 dhe ende nuk është bërë e ditur se sa gjatë do të zgjasë ndërprerja.

    Telenor ka deklaruar se nuk ka parë ndonjë tregues për një sulm kibernetik apo aktivitet dashakeq në rrjet.

    “Problemet që Telenor po përjeton këtë pasdite, për fat të keq, prekin shumë klientë dhe organizata”, tha kompania në një njoftim, shkruan abcnews.al.

    Ndërkohë, autoritetet dhe kompanitë përgjegjëse po punojnë për rikthimin e shërbimeve dhe normalizimin e qarkullimit hekurudhor.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Norvegji, ndalohen të gjithë trenat për shkak të një defekti në komunikim appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali

  • Dhuna shpërthen në një burg në Meksikë, 10 të vdekur dhe 16 të plagosur

    Dhuna shpërthen në një burg në Meksikë, 10 të vdekur dhe 16 të plagosur

    Dhuna shpërthen në një burg në Meksikë, 10 të vdekur dhe 16 të plagosur

    Dhjetë persona, përfshirë një të mitur që ndodhej në burg për vizitë, kanë humbur jetën dhe 16 të tjerë janë plagosur pas përleshjeve të dhunshme në një burg në Mazatlan, në shtetin Sinaloa të Meksikës.

    Ngjarja ndodhi të enjten, më 8 tetor, kur forcat e sigurisë u detyruan të ndërhynin me trupa të shumta ushtarake dhe policore për të rikthyer kontrollin në institucionin korrektues.

    Ministri i Sigurisë Publike të Sinaloas, Sinue Tejes, bëri të ditur se në mesin e viktimave janë nëntë të burgosur dhe një i mitur që kishte shkuar për vizitë. Ndërkohë, 16 të burgosur të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

    Gjatë operacionit, dhjetëra pjesëtarë të armatosur të forcave të sigurisë hynë në burg, ndërsa në zonë u vendosën automjete të blinduara dhe ambulanca.

    Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota për shkaqet e përleshjeve dhe rrethanat e vdekjes së të miturit.

    Pas rikthimit të kontrollit, vizitat në burg u pezulluan përkohësisht, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

    Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

    /GazetaSinjali/

    The post Dhuna shpërthen në një burg në Meksikë, 10 të vdekur dhe 16 të plagosur appeared first on Sinjali.

    Burimi: Sinjali