Blog

  • Banesa, shtëpi e tokë me kredi - kjo është pasuria e Justina Shiroka-Pulës, presidentes së 7-të të Kosovës

    Banesa, shtëpi e tokë me kredi – kjo është pasuria e Justina Shiroka-Pulës, presidentes së 7-të të Kosovës

    Akademia dhe ekonomistja e njohur, Justina Shiroka-Pula, është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës më 6 tetor 2026, duke u bërë kështu kryetarja e shtatë e shtetit.

    Në votimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, për Shiroka-Pulën kanë votuar 81 deputetë, ndërsa dy fletëvotime janë shpallur të pavlefshme. Një votë i është dhënë deputetes Eliza Hoxha, raporton Telegrafi.

    Pas zgjedhjes në këtë pozitë, presidentja e re ka mbajtur fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit, duke thënë se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi.

    “Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha Shiroka-Pula.

    Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo shoqërore.

    “Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh ajo.

    Në fjalimin e saj, Shiroka-Pula theksoi edhe orientimin euroatlantik të Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët.

    “Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha presidentja e re, përcjell Telegrafi.

    Pasuria e presidentes së re: Çfarë ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit?

    Sipas deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë të bërë më 29 mars 2024 në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) — kur ushtronte detyrën e anëtares së Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë , Shiroka-Pula gëzon një pasuri të konsiderueshme të paluajtshme. Me marrjen e postit të ri si presidente, asaj do t’i duhet të bëjë një deklarim të ri për të përditësuar të dhënat e saj zyrtare.

    Pasuritë e paluajtshme

    Presidentja e re ka deklaruar disa banesa, shtëpi dhe tokë në pronësi personale, të përbashkët apo të bashkëshortit:

    Banesë (69 m²) – Vlera 34,000.00 €, e blerë në vitin 1996.

    Banesë (140 m²) – Vlera 111.52 €, e blerë në vitin 2011 (me prejardhje nga trashëgimia/shitja e shtëpisë në Budvë).

    Shtëpi (135 m²) – Vlera 130,000.00 €, e blerë me kredi në vitin 2017.

    Shtëpi (174 m²) – Vlera 250,000.00 €, në pronësi të përbashkët (fituar në vitin 2019 përmes kompensimit të banesës dhe kursimeve).

    Shtëpi (358 m²) – Vlera 100,000.00 €, e trashëguar (1/3 e pronësisë) në vitin 2021.

    Banesë (120 m²) – Vlera 200,000.00 €, e blerë në vitin 2022.

    Tokë (30 ari) – Vlera 120,000.00 €, e blerë me kredi në vitin 2023.

    Në emër të bashkëshortit janë deklaruar gjithashtu një banesë prej 82 m² (vlera 37,000.00 €) dhe 1/4 e pronësisë së një shtëpie prej 126 m² (vlera 110,000.00 €), shkruan Telegrafi.

    Aksionet dhe paratë e gatshme

    Aksionet: Zotëron 52% të aksioneve në shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar “DLLL”.

    Para të gatshme në banka: Në llogaritë e saj rrjedhëse janë deklaruar kursime dhe mjet nga paga e shpërblimet: 668.33 € në Raiffeisen Bank, 2,740.69 € në Bankën për Biznes dhe 2,049.57 € në Procredit Bank.

    Të ardhurat dhe detyrimet financiare

    Të ardhurat: Përveç pagës neto prej 1,300.00 € përmes Procredit Bank, ajo ka deklaruar të ardhura të tjera dhe pensione (pension bazë kontributdhënës prej 605.00 € dhe pension bazë prej 325.00 €), si dhe të ardhura shtesë nga Banka për Biznes e Raiffeisen Bank. Bashkëshorti merr një pension pleqërie prej 100.00 €.

    Kreditë: Ajo ka deklaruar dy kredi financiare: një kredi në Bankën për Biznes për blerjen e shtëpisë me vlerë të mbetur prej 40,000.00 € dhe një kredi në Procredit Bank për blerjen e tokës me vlerë të mbetur prej 114,217.00 €.

    Kush është Justina Shiroka-Pula?

    Justina Shiroka-Pula është ekonomiste dhe akademike, ndërsa gjatë karrierës së saj ka ushtruar edhe funksione politike dhe institucionale.

    Në vitin 2025, ajo u zgjodh kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), duke u bërë gruaja e parë që drejton këtë institucion, i themeluar në vitin 1975. Në këtë pozitë pasoi akademikun Mehmet Kraja.

    Shiroka-Pula ka përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1984 ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Zagrebit. Ajo është doktoruar në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

    Karrierën profesionale e ka nisur në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 ka filluar punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, Shiroka-Pula ka ndjekur studime pasdoktorale në Universitetin e Linzit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në SHBA, raporton Telegrafi.

    Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ajo është angazhuar edhe në shoqërinë civile, veçanërisht në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.

    Në politikë, Shiroka-Pula ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës nga viti 2008 deri më 2011. Nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.

    Me zgjedhjen në postin e presidentes, Shiroka-Pula merr mandatin e kreut të shtetit dhe pason në këtë pozitë Vjosa Osmanin, duke ushtruar funksionin në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës. /Telegrafi/

  • Modric zbulon dëshirën e tij për Ronaldon dhe flet për deklaratën e bujshme të portugezit

    Modric zbulon dëshirën e tij për Ronaldon dhe flet për deklaratën e bujshme të portugezit

    Luka Modric ka komentuar deklaratën e bujshme të Cristiano Ronaldos dhe ka shprehur dëshirën që ish-bashkëlojtari i tij te Real Madridi të ketë një lamtumirë dinjitoze me kombëtaren e Portugalisë.

    Ronaldo u largua nga grumbullimi i Portugalisë të mërkurën, më 30 shtator, pasi trajneri Jorge Jesus vendosi të mos e aktivizonte në fitoren 2-1 ndaj Norvegjisë.

    Më pas u zhvillua një takim mes Ronaldos, Jesusit dhe presidentit të Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, për të sqaruar situatën, para se 41-vjeçari të konfirmonte largimin nga grumbullimi përmes rrjeteve sociale.

    Ronaldo tani rrezikon një pezullim nga një deri në gjashtë muaj për largimin nga grumbullimi pa leje. Megjithatë, Modric, i cili ka luajtur përkrah tij në 222 ndeshje në “Santiago Bernabeu”, dëshiron që portugezi të rikthehet dhe ta mbyllë karrierën me kombëtaren në mënyrën që meriton.

    Pas humbjes 2-1 të Kroacisë ndaj Spanjës në Ligën e Kombeve, Modric u pyet për situatën e krijuar në Portugali.

    “Jo, jo, nuk kam folur me të. Është e vështirë për mua të them diçka, sepse nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur. Nuk e kam ndjekur shumë nga afër situatën, sepse kam problemet e mia këtu”, deklaroi Modric.

    Megjithatë, legjenda kroate pranoi se i vjen keq për atë që po ndodh me Ronaldon në vendin e tij dhe shpreson që situata të zgjidhet.

    “Është e trishtueshme ta shohësh këtë duke i ndodhur atij në vendin e tij. Nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur, por shpresoj që situata të zgjidhet. Sepse Cristiano është lojtari më i madh në historinë e Portugalisë dhe e meriton një tjetër lamtumirë dhe një tjetër përfundim me kombëtaren”, u shpreh 41-vjeçari.

    Modric beson se Ronaldo, pavarësisht nëse vendos të tërhiqet apo të vazhdojë të luajë për Portugalinë, duhet të ketë mundësinë ta mbyllë aventurën ndërkombëtare me një ceremoni që i përshtatet madhështisë së karrierës së tij.

    “Gjithsesi, mendoj se do ta gjejnë një zgjidhje, sepse Cris e meriton, pavarësisht nëse tërhiqet apo vendos të mos vazhdojë me kombëtaren, të ketë një lamtumirë të madhe që pasqyron atë që ai meriton”, përfundoi Modric./Telegrafi/

  • Çfarë ndodh me foshnjën kur një grua shtatzënë humb jetën?

    Çfarë ndodh me foshnjën kur një grua shtatzënë humb jetën?

    Çfarë ndodh me foshnjën kur një grua shtatzënë humb jetën?

    Një teknik autopsie nga Arkansas, ShBA, ka treguar se çfarë ndodh me një foshnjë kur nëna e saj shtatzënë ndërron jetë, duke prekur shumë njerëz me përgjigjen e tij.

    Gerald Ledford, i cili në rrjetet sociale flet hapur për vdekjen dhe procesin e përgatitjes së trupit për funeral, u pyet në TikTok se çfarë ndodh me foshnjën që ndodhet brenda një gruaje shtatzënë kur ajo vdes, shkruan Daily Star, transmeton Klankosova.tv.

    Ai shpjegoi se fillimisht foshnja nxirret nga trupi dhe merret një mostër gjaku për të krijuar një kartelë ADN-je, në mënyrë që në të ardhmen të mund të përcaktohet identiteti i babait, nëse kjo kërkohet.

    “Pas autopsisë, kur e vendos nënën në qesen mortore, e vendos foshnjën në krahët e saj. Më pas, familja vendos nëse dëshiron që foshnja të rikthehet në barkun e nënës”, tha Ledford.

    Përgjigjja e tij ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ku disa persona treguan përvojat e tyre të dhimbshme me humbjen e një gruaje shtatzënë dhe foshnjës së saj.

    Ledford ka folur edhe për një tjetër pyetje të pazakontë: çfarë ndodh nëse një grua vdes gjatë menstruacioneve. Ai tha se tamponi hiqet gjatë përgatitjes së trupit për funeralin.

  • Komuna e Rahovecit do të mbulojë sigurimin shëndetësor për fëmijët që shkojnë në çerdhe publike

    Komuna e Rahovecit do të mbulojë sigurimin shëndetësor për fëmijët që shkojnë në çerdhe publike

    Komuna e Rahovecit do të mbulojë sigurimin shëndetësor për fëmijët që shkojnë në çerdhe publike

    Në komunën e Rahovecit ka filluar zbatimi i projektit për mbulimin e sigurimit shëndetësor për fëmijët që vijojnë në çerdhet publike të qytetit.

    Në emisionin “Fol me Arin”, kryetari i komunës, Smajl Latifi bëri të ditur se bëhet fjalë për 400 fëmijë, ndërsa shtoi se numri mund të rritet, transmeton Klankosova.tv.

    “Ne tashmë po e përmbushim këtë premtim, ose zotim publik. Ka filluar zbatimi i kontratës që ka të bëjë me mbulimin e sigurimit shëndetësor për fëmijët të cilët vijojnë në çerdhet publike të komunës së Rahovecit. Fjala është për 400 fëmijë, dhe numri i tyre mund të rritet”, u shpreh Latifi.

  • Mickoski, Jotovës: Disa shtete anëtare që ndihen rehat në kolltukët e tyre i kanë harruar vlerat e BE-së

    Mickoski, Jotovës: Disa shtete anëtare që ndihen rehat në kolltukët e tyre i kanë harruar vlerat e BE-së

    Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski iu përgjigj presidentes bullgare Iliana Jotova, e cila e përmendi atë në deklaratën e saj të fundit tre ditë më parë, në lidhje me fazën e re të marrëdhënieve midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

    “Faleminderit për këshillën. Kam kaluar shumë vite në BE në rininë time dhe në BE dhe vlerat e Konrad Adenauer dhe Robert Schuman janë shumë të qarta për mua, por supozoj se disa nga shtetet anëtare që janë rehat në kolltukët e tyre në Bruksel i kanë harruar ato pasi u bënë shtete anëtare”, tha Mickoski sot në hapjen e kopshtit të ri “8 Prilli” në Komunën e Shuto Orizarës, duke komentuar deklaratën e Jotovës.

    Duke folur për takimin e nesërm midis ministrave Timço Mucunski dhe Velislava Petrova, Jotova tha se që biseda të jetë serioze, Mickoski duhet ta lexojë me kujdes politikën evropiane të zgjerimit. Sipas saj, Shkupi duhet të ndalojë së paraqituri temën si një çështje dypalëshe./Telegrafi/

  • Shefi i tregtisë së BE-së shkon në Pekin për “ribalancimin e marrëdhënieve tregtare”

    Shefi i tregtisë së BE-së shkon në Pekin për “ribalancimin e marrëdhënieve tregtare”

    Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maroš Šefčovič, shkon në Pekin të mërkurën për dy ditë bisedimesh që synojnë ribalancimin e marrëdhënieve tregtare që Brukseli i sheh si “shumë të shtrembëruara” në favor të Kinës.

    Takimet e tij me ministrin kinez të Tregtisë, Wang Wentao, vijnë ndërsa deficiti tregtar i BE-së me Kinën ka arritur një rekord prej 1 miliard eurosh në ditë – dhe afati i tetorit për progres po afron.

    Komisioni hapi negociatat në qershor për të adresuar atë që zyrtarët e përshkruajnë si eksporte kineze që shtrembërojnë tregtinë, duke i dhënë Pekinit kohë deri në tetor për të dhënë rezultate “të prekshme”.

    Në zemër të bisedimeve është qasja në tregun e BE-së. Brukseli dëshiron kuota specifike për produktet për importet kineze, por ende nuk e ka bindur Pekinin të frenojë eksportet. Kina kohët e fundit hodhi poshtë propozimin e saj për “kufizime vullnetare të eksportit” për automjetet elektrike.

    Dhe presioni po rritet ndërsa një valë importesh kineze me kosto të ulët kërcënon sektorë të tërë të industrisë evropiane.

    Udhëheqësit e BE-së, vendet e të cilëve tani kanë deficite tregtare me Kinën, presin që Šefčovič të kthehet me rezultate konkrete përpara samitit të tyre në Bruksel javën e ardhshme.

    “Ata [BE27] duan të shohin drejtimin e udhëtimit. Ata duan madje të kenë një koncept për zgjidhjen e kësaj çështjeje, një skemë pilot”, ka thënë Šefčovič për Euronews në një intervistë ekskluzive në fillim të shtatorit.

    “Po përpiqem ta bëj këtë përmes këtyre negociatave, por ata duhet të na sjellin rezultate shumë konkrete”.

    Ai paralajmëroi se një dështim për të dhënë rezultate të prekshme këtë muaj do të shkaktonte “një lëvizje të fortë politike” midis udhëheqësve të BE-së për “masa më të ashpra”.

    Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron shtynë të hënën për një mjet të ri që do t’i lejonte Komisionit të reagonte shpejt ndaj kërcënimeve ekonomike, duke përfshirë masat që mund të çonin në “një ndërprerje të menjëhershme nga tregu i brendshëm nëse është e nevojshme”.

    Tensionet tregtare janë përshkallëzuar në muajt e fundit, me Pekinin që kërcënon me hakmarrje për propozimet e BE-së për të kufizuar qasjen në tregun e tij.

    Që nga fillimi i bisedimeve, Komisioni ka nisur gjithashtu disa hetime ndaj produkteve kineze për shkak të praktikave të padrejta tregtare dhe ka vendosur tarifa antidamping ndaj kompanive kineze.

    Euronews ka mësuar gjithashtu se shtetet anëtare të BE-së po i vononin hetimet në sektorin e kimikateve, të cilat mund të çonin në masa mbrojtëse – si kuota dhe tarifa – për të mbrojtur një industri të goditur veçanërisht nga konkurrenca kineze.

    Ndërkohë, të shtunën Kina nisi një hetim ndaj kimikateve të BE-së, një lëvizje që shihet si kundërpërgjigje ndaj hetimeve të BE-së ndaj prodhuesve kinezë të kimikateve. /Telegrafi/

  • Mbappe në telashe te Real Madridi? Mourinho e qortoi për veprimin e fundit

    Mbappe në telashe te Real Madridi? Mourinho e qortoi për veprimin e fundit

    Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, raportohet se ka udhëtuar sërish drejt Parisit, vetëm pak orë pasi ishte paraqitur në qendrën stërvitore të klubit në Valdebebas.

    Sipas gazetarit Marco Benito të “El Chiringuito TV”, Mbappe qëndroi për një kohë shumë të shkurtër në Valdebebas përpara se të udhëtonte drejt kryeqytetit francez.

    Ai u nis me avion në orën 11:00 të mëngjesit dhe e kaloi tërë ditën në Paris, për t’u rikthyer në Madrid rreth orës 20:45-20:50.

    “Mbappe qëndroi në Valdebebas për maksimumi një orë e gjysmë, sepse kishte një fluturim për në Paris në orën 11:00. Ai u nis drejt Parisit në orën 11:00”.

    “E kaloi tërë ditën atje dhe u kthye në Madrid rreth orës 20:45 ose 20:50. Nuk e di nëse kishte lejen e klubit. Katër ditë para ndeshjes, nuk je në gjendjen e duhur mendore për sfidën e radhës”, deklaroi Benito.

    Ndërkohë, Pipi Estrada, po në të njëjtin program televiziv, bëri një tjetër pretendim të bujshëm.

    Sipas tij, trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, e ka qortuar Mbappen për një postim të publikuar në Instagram, ku francezi shfaqej duke ngarë biçikletën.

    Mourinho kishte paralajmëruar më herët për rreziqet që mund të sjellë çiklizmi për një futbollist profesionist, ndërsa postimi i Mbappes ishte interpretuar nga disa si një thumbim ndaj trajnerit portugez.

    Pavarësisht se pësoi një lëndim në gju gjatë grumbullimit me Francën, Mbappe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës në La Liga ndaj Villarrealit. /Telegrafi/

  • Apeli në Hagë, Krasniqi: Energjinë ta fokusojmë në rrëzimin e NPK-së (VIDEO)

    Apeli në Hagë, Krasniqi: Energjinë ta fokusojmë në rrëzimin e NPK-së (VIDEO)

    Apeli në Hagë, Krasniqi: Energjinë ta fokusojmë në rrëzimin e NPK-së (VIDEO)

    Gazetari Vullnet Krasniqi ka deklaruar se fokus i shtetit për procesin e Apelit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sipas tij, duhet të jetë rrëzimi i pretendimit për Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale.

    Në emisionin “Ora Shtatë”, Krasniqi deklaroi se të gjithë sytë duhet të jenë nga Gjykata Speciale, transmeton Klankosova.tv.

    “Unë mendoj se krejt sytë duhet me qenë të Gjykata, edhe tash janë shumë pyetje serioze që shtrohen këtu. Pyetja e parë është ky Ligji që u miratua dhe që u qit kusht e u vendos si formë politike, çka ka me prodhu? Duhet me tregu saktë se çka kemi me prit prej këtij ligji. Duhet të jemi të përgatitur se si do t’i qasemi Apelit, dhe unë mendoj që kjo duhet me qenë beteja kryesore. Neve na vyen energjia për me u foksu me rrëzu Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale. Veç ky fokus duhet me qenë!”, u shpreh ai në Klan Kosova.

  • Kosova po bënë hapa të shpejtë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, diskutojnë ministri Maqedonci dhe Oda Amerikane – të pranishëm edhe nga Ambasada

    Kosova po bënë hapa të shpejtë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, diskutojnë ministri Maqedonci dhe Oda Amerikane – të pranishëm edhe nga Ambasada

    Kosova po bënë hapa të shpejtë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, derisa bashkëpunimi i mëtejmë ndërmjet sektorit publik dhe privat me përkrahjen e partnerëve strategjikë, i bënë këta hapa më të qëndrueshëm.

    Kjo u tha gjatë një takimi ndërmjet anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane me Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci.

    Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, bëhet e ditur në njoftimin e Odës Ekonomike Amerikane.

    Duke ndarë vizionin e tij për zhvillimin e aftësive industriale në fushën e mbrojtjes, Ministri Maqedonci, foli për aktivitetet e ndërmarra për hartimin e legjislacionit për industrinë e mbrojtjes.

    Ai falënderoi Odën Ekonomike Amerikane për partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes përgjatë dy viteve të fundit, përfshirë edhe organizimin e garës së parë për drona “Sharkathon”, të mbajtur vitin e kaluar.

    Ai foli edhe për disa ndërmarrje të reja të krijuara të cilat po sjellin produktet e para të prodhuara në Kosovë, si dëshmi e përpjekjeve të viteve të fundit, por edhe potencialit për inovacion teknologjik në këtë fushë.

    Ministri Maqedonci foli edhe për rëndësinë e përpjekjeve të strukturuara me institucione të tjera, si Ministrinë e Arsimit dhe ofruesit e shërbimeve arsimore, për zhvillimin e kuadrove të punës, të cilat janë të nevojshme për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend. /Telegrafi/

  • Hoti: 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike

    Hoti: 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka bërë të ditur se 15 milionë euro do të shkojnë për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, gjegjësisht konsumatorëve të cenueshëm.

    Aika thënë se ditëve do ta nënshkruaj edhe vendimin me të cilin do të përcaktohen kushtet dhe kriteret për përfitim, në mënyrë që të hapet thirrja për aplikim.

    Lexoni të plotë postimin e tij:

    Presidentes së re të Republikës së Kosovës, znj. Justina Shiroka-Pula, i uroj suksese dhe mbarësi në detyrën e saj të re, në shërbim të vendit dhe qytetarëve. Do ta ketë gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim institucional në çdo çështje që i shërben interesit të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve.

    Ndërsa ne, ditën e nisim me një tjetër lajm të mirë për qytetarët: 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike.

    Në mbledhjen e pestë të Qeverisë miratuam Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027, përmes të cilit do të subvencionohen faturat e energjisë për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.

    Republika e Kosovës ka marrë obligime edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh zhvillimin e mekanizmave të qëndrueshëm për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm, përfshirë krijimin dhe mirëmbajtjen e një regjistri funksional të konsumatorëve të cenueshëm.

    Ditëve në vazhdim do ta nënshkruaj edhe vendimin me të cilin do të përcaktohen kushtet dhe kriteret për përfitim, në mënyrë që të hapet thirrja për aplikim.

    15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve. /Telegrafi/