Blog

  • Ismaili pasi e uroi Shiroka-Pulën, ia vendosi emblemën e UÇK-së në xhaketë

    Ismaili pasi e uroi Shiroka-Pulën, ia vendosi emblemën e UÇK-së në xhaketë

    Ismaili pasi e uroi Shiroka-Pulën, ia vendosi emblemën e UÇK-së në xhaketë

    Nënkryetari i PDK-së, deputeti Uran Ismaili, pasi e ka uruar mbrëmë ish-bashkëpartiaken Justina Shiroka-Pulën, menjëherë pas zgjedhjes së saj presidente, ia vendosi edhe emblemën e UÇK-së në xhaketë.

    Ky gjest simbolik përmbylli një natë me dy vendime të rëndësishme për vendin: miratimin e ligjit që mbron UÇK-në dhe zgjedhjen e presidentes së re.

    “PDK-ja ka insistuar në miratimin e këtij ligji, duke e konsideruar mbrojtjen e UÇK-së dhe të çlirimtarëve prioritet shtetëror dhe obligim ndaj historisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Pula-Shiroka ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e PDK-së, duke shërbyer si deputete dhe ministre. Së fundmi, ajo ka mbajtur detyrën e kryetares së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës./Klankosova.tv

  • Turisti gjendet i vdekur në një “kult seksual” në Sicili

    Turisti gjendet i vdekur në një “kult seksual” në Sicili

    Turisti gjendet i vdekur në një “kult seksual” në Sicili

    Një turist britanik 35-vjeçar është gjetur i vdekur në një tendë të improvizuar pranë një ferme në afërsi të Canicattini Bagni, në provincën e Sirakuzës, Sicili.

    Benjamin Braithwaite, nga Leeds, kishte marrë pjesë në një takim të grupit të njohur si “Radical Faeries”, një komunitet që zhvillon rituale alternative dhe, sipas raportimeve, edhe përdorim të drogës.

    Sipas një ish-anëtari të grupit, i cili ka folur në mënyrë anonime, Braithwaite mund të ketë qenë viktimë e një sulmi seksual nën ndikimin e drogës, por kjo mbetet vetëm një pretendim dhe nuk është konfirmuar nga autoritetet, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.

    Në vendin ku u gjet trupi, hetuesit kanë zbuluar disa lëndime, si dhe drogë dhe objekte të lidhura me rituale. Një prej tyre përshkruhet si një figurë gjysmë njeri e gjysmë cjap.

    Takimi ku kishte marrë pjesë Braithwaite ishte përshkruar nga organizatorët si një tubim gjithëpërfshirës i personave queer për të shënuar ekuinoksin e vjeshtës.

    Karabinierët italianë po hetojnë vdekjen dhe, deri tani, nuk e kanë cilësuar atë si vrasje. Shkaqet dhe rrethanat e vdekjes mbeten nën hetim.

  • Banka Popullore: Qytetarët dhe kompanitë kursyen mbi 5 milionë euro një vit pas futjes së SEPA-s

    Banka Popullore: Qytetarët dhe kompanitë kursyen mbi 5 milionë euro një vit pas futjes së SEPA-s

    Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut sot shënon një vit nga hyrja operative e vendit tonë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA, e cila përfaqëson integrimin evropian të sistemit të pagesave vendase.

    Nga Banka Popullore njoftojnë se përfitimi kryesor i hyrjes në SEPA është avancimi i pagesave ndërkufitare në euro me 40 shtete anëtare të saj, duke u mundësuar qytetarëve dhe komunitetit të biznesit të kryejnë pagesa më të shpejta, më të thjeshta dhe dukshëm më të lira, në kushte të krahasueshme me ato në Bashkimin Evropian.

    “Vlerësohet se si rezultat i integrimit në SEPA, deri më tani janë arritur kursime prej mbi 5 milionë eurosh. Konkretisht, që nga shtatori 2026, janë kryer më shumë se 581 mijë transaksione përmes SEPA-s, vlera totale e të cilave arrin rreth 11 miliardë euro.

    Tarifat për pagesat përmes SEPA-s janë ulur deri në gjashtë herë për qytetarët dhe deri në nëntë herë për kompanitë, krahasuar me modelin e bankave korrespondente. Këto kursime pritet të rriten ndërsa përparon kalimi në kanalin SEPA, i cili krijon mundësi për investime të reja midis kompanive, veçanërisht brenda ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe ofron mbështetje të drejtpërdrejtë për të ardhurat e disponueshme të familjeve”, thonë nga Banka Popullore.

    Sipas bankës qendrore, në më pak se një vit që nga anëtarësimi, SEPA është rritur në kanalin kryesor për ekzekutimin dhe marrjen e pagesave ndërkufitare në euro të disponueshme përmes çdo banke vendase.

    “Që nga shtatori 2026, pjesa e transaksioneve SEPA në numrin total të transaksioneve ndërkufitare hyrëse dhe dalëse në euro arriti në 69%. Pjesa e transaksioneve ndërkufitare si për daljen (67%) ashtu edhe për hyrjen (70%) është pothuajse e barabartë, duke treguar se qytetarët dhe kompanitë po e përdorin gjithnjë e më shumë SEPA-n si për dërgimin ashtu edhe për marrjen e fondeve nga jashtë vendit. Rëndësia e infrastrukturës SEPA konfirmohet edhe nga vlera e transaksioneve, me më shumë se gjysmën e vlerës së transaksioneve ndërkufitare në euro për hyrjen dhe mbi 70% të vlerës së atyre për daljen që përpunohen përmes SEPA-s”, shtojnë nga Banka Popullore./Telegrafi/

  • Leonora Jakupi shfaqet si rrallëherë krah partnerit

    Leonora Jakupi shfaqet si rrallëherë krah partnerit

    Leonora Jakupi ka bërë një dalje të rrallë publike krah partnerit të saj, me të cilin prej vitesh ka zgjedhur ta mbajë larg syrit të publikut.

    Këngëtarja u pa në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku po mbahej protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

    Përkrah saj ishte edhe partneri, të cilin Leonora rrallëherë e ka shfaqur në publik.

    Leonora me partnerinFoto: Raporto24

    Dalja e tyre ka tërhequr vëmendjen pikërisht për faktin se çifti është treguar gjithmonë shumë i rezervuar për jetën private.

    Artistja nga Drenica ka treguar së fundmi se lidhja e tyre ka 15 vite dhe se ata jetojnë së bashku.

    Megjithatë, partneri i saj nuk ka preferuar të jetë pjesë e vëmendjes mediatike, ndaj paraqitjet e tyre së bashku kanë qenë tejet të rralla.

    Këtë herë, ata janë fotografuar krah njëri-tjetrit në mesin e qytetarëve të mbledhur në shesh, duke sjellë një nga momentet e rralla kur këngëtarja është parë publikisht me partnerin e saj. /Telegrafi/

  • VATRA nga diaspora shqiptare në SHBA uron Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen presidente të Kosovës

    VATRA nga diaspora shqiptare në SHBA uron Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen presidente të Kosovës

    Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” ka uruar akademiken Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen e saj në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.

    Në një telegram urimi, kryetari i VATRËS, Dr. Elmi Berisha, në emër të Federatës, gazetës “Dielli” dhe familjes së tij, i ka përcjellë Shiroka-Pulës urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes së saj në krye të shtetit.

    “Zgjedhja e një personaliteti të shquar të botës akademike në krye të shtetit përbën një moment me rëndësi të veçantë për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë”, thuhet në telegramin e VATRËS, transmeton Telegrafi.

    VATRA ka vlerësuar formimin akademik dhe përvojën e gjatë universitare e publike të presidentes së re, duke theksuar, siç thuhet në telegram, edhe vlerat e dinjitetit, integritetit, përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    Në telegramin e urimit thuhet se zgjedhja e Shiroka-Pulës është dëshmi e rëndësisë që Kosova u kushton institucioneve të saj, kulturës demokratike dhe përgjegjësisë shtetërore.

    VATRA ka shprehur bindjen se përvoja dhe autoriteti akademik i presidentes së re do t’i shërbejnë forcimit të kulturës institucionale, dialogut, unitetit qytetar dhe përfaqësimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    Federata Pan-Shqiptare e Amerikës ka vlerësuar gjithashtu deputetët e Kuvendit të Kosovës që morën pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentes, si dhe gatishmërinë për të arritur kompromis institucional në funksion të Republikës së Kosovës dhe interesit të qytetarëve.

    Në telegram, VATRA e ka cilësuar Shiroka-Pulën si “mike të veçantë” të Federatës dhe ka shprehur gatishmërinë për të ofruar kapacitetet dhe mundësitë e saj institucionale në mbështetje të Institucionit të Presidentit të Republikës së Kosovës.

    “Ju urojmë shëndet, urtësi, mbarësi dhe suksese në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në fund të telegramit të urimit të nënshkruar nga kryetari i VATRËS, Dr. Elmi Berisha.

    VATRA e ka përmbyllur urimin me mesazhin: “Urime, Presidente e Republikës së Kosovës! Urime Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj!”.

  • Jorge Jesus për kërkesat e Ronaldos: Do ta lexoj deklaratën tani, nuk kam asgjë për të thënë

    Jorge Jesus për kërkesat e Ronaldos: Do ta lexoj deklaratën tani, nuk kam asgjë për të thënë

    Trajneri i ekipit kombëtar të Portugalisë, Jorge Jesus ka thënë se ende nuk ka pasur mundësinë ta lexojë deklaratën e sulmuesit Cristiano Ronaldo, por ishte në dijeni të publikimit të saj.

    Pasi nuk doli në fushë kundër Norvegjisë, 41-vjeçari Ronaldo i vendosi një sërë kushtesh Jesusit duke u larguar fillimisht nga grumbullimi.

    Vetë Cristiano më vonë dha një përshkrim të detajuar të versionit të tij të ngjarjeve të fundit midis tij dhe trajnerit të Portugalisë.

    Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e tij për të vazhduar të luajë për ekipin kombëtar.

    Tani ka reaguar edhe trajneri Jesus, i cili ka thënë se ende nuk e ka lexuar deklaratën e sulmuesit.

    “Isha në Leiria, duke parë ndeshjen e ekipit kombëtar U21 . Do ta lexoj deklaratën tani, nuk kam asgjë për të thënë”, u përgjigj shkurt trajneri. /Telegrafi/

  • Ndërpritet furnizimi me ujë në Kaçanik të Vjetër dhe Begracë

    Ndërpritet furnizimi me ujë në Kaçanik të Vjetër dhe Begracë

    KRU “Bifurkacioni” ka njoftuar konsumatorët e Kaçanikut të Vjetër dhe fshatit Begracë se gjatë ditës së sotme do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm.

    Sipas njoftimit, ndërprerja është shkaktuar nga punimet për ndërrimin e pompës në Stacionin e Pompimit në fshatin Begracë, i cili furnizon me ujë konsumatorët e këtyre dy zonave.

    Ekipet e kompanisë janë në terren dhe po punojnë për përfundimin e punimeve sa më shpejt.

    Furnizimi me ujë pritet të rikthehet menjëherë pas përfundimit të punimeve.

    KRU “Bifurkacioni” ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin. /Telegrafi/

  • Statuja nudo e Trumpit ekspozohet në Parlamentin Evropian në Strasburg

    Statuja nudo e Trumpit ekspozohet në Parlamentin Evropian në Strasburg

    Një statujë satirike e presidentit amerikan Donald Trump është vendosur për ekspozim në ndërtesën e Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës, duke tërhequr vëmendjen për paraqitjen e saj provokuese.

    Vepra, e titulluar “Orange Plague”, është krijuar nga artisti danez Jens Galschiøt. Statuja është rreth 2.5 metra e lartë dhe paraqet Trumpin të zhveshur, duke mbajtur një shkop të gjatë të artë dhe të ulur mbi shpatullat e një burri më të vogël.

    Sipas artistit, statuja është e veshur me ar 23-karatësh dhe njihet gjithashtu me emrin “Mbreti i padrejtësisë”, transmeton Telegrafi.

    Pranë veprës janë vendosur edhe tabela shpjeguese, ku thuhet se “Mbreti i padrejtësisë” qëndron “mbi shpinën e një burri” i cili po fundoset nën peshën e barrës.

    “Do të bëja gjithçka për ta ndihmuar. Përveçse të zbrisja nga shpina e tij”, thuhet në tekstin shoqërues të veprës. Përmes këtij mesazhi, artisti akuzon Trumpin se po pengon përpjekjet për përballimin e ndryshimeve klimatike.

    Statuja është vendosur në një pikë që lidh dy prej ndërtesave të Parlamentit Evropian dhe pritet të qëndrojë aty deri të enjten.

    Ekspozimi u mundësua nga eurodeputeti danez i krahut të majtë Per Clausen, i cili tha se nuk shqetësohet për një reagim të mundshëm nga presidenti amerikan.

    “Nëse dikush është aq i ndjeshëm saqë nuk mund ta tolerojë ekspozimin e kësaj skulpture në Parlamentin Evropian, atëherë nuk ka vend në skenën botërore”, tha Clausen.

    Trumpi nuk ka reaguar publikisht ndaj statujës. Vepra e Galschiøt është ekspozuar edhe në qytete të tjera evropiane, si dhe gjatë konferencës së OKB-së për klimën COP30 në Belém të Brazilit. /Telegrafi/

  • Defekt në rrjet, ndërpritet furnizimi me ujë në disa rrugë të Gjakovës

    Defekt në rrjet, ndërpritet furnizimi me ujë në disa rrugë të Gjakovës

    KRU “Gjakova” ka njoftuar konsumatorët se, për shkak të një defekti në rrjetin e ujësjellësit në rrugën “Hasan Prishtina”, do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë.

    Sipas njoftimit, ndërprerja pritet të zgjasë rreth dy orë, deri në sanimin e defektit.

    Rrugët që do të preken nga ndërprerja janë:

    • “Hasan Prishtina”
    • “Azem Hajdari”
    • “Migjeni”
    • “Martirët Qerkezi”

    Ndërprerje do të ketë edhe në rrugët dytësore përreth.

    KRU “Gjakova” ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin gjatë kohës së intervenimit. /Telegrafi/

  • Deliu uron Shiroka-Pulën: Rreth UÇK-së duhet të jemi të gjithë bashkë

    Deliu uron Shiroka-Pulën: Rreth UÇK-së duhet të jemi të gjithë bashkë

    Deliu uron Shiroka-Pulën: Rreth UÇK-së duhet të jemi të gjithë bashkë

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka uruar Justina Shiroka-Pulën për detyrën e Presidentes dhe ka kërkuar angazhim institucional për çështjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

    Deliu-Kodra, përmes një reagimi publik, tha se dëshiron të besojë se zhvillimet e fundit kanë hapur një rrugë drejt më shumë bashkimi dhe përgjegjësie në vend, transmeton Klankosova.tv.

    “Pas natës së mbrëmshme, dua të besoj se Kosova ka hapur një rrugë drejt më shumë bashkimi dhe përgjegjësie”, shkroi deputetja.

    Duke iu referuar proceseve në Dhomat e Specializuara në Hagë, Deliu-Kodra theksoi se ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre kanë bartur për vite një barrë të rëndë dhe se shteti duhet të jetë pranë tyre.

    Sipas saj, miratimi i ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zotimi i përbashkët në Kuvend duhet të shndërrohen në veprime konkrete nga Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria.

    “Rreth UÇK-së dhe të vërtetës së luftës sonë çlirimtare duhet të jemi të gjithë bashkë”, theksoi ajo.

    Deputetja ka shprehur gjithashtu mirënjohje për protestuesit dhe qytetarët në Kosovë e diasporë, të cilët, sipas saj, kanë mbajtur gjallë kërkesën për drejtësi dhe mbështetje shtetërore për çlirimtarët.

    Ajo tha se prania e qytetarëve në sheshe, zëri dhe këmbëngulja e tyre kanë dëshmuar se kjo çështje i bashkon dhe se familjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së nuk janë vetëm.

    “Tani na takon ta mbajmë fjalën. Për çlirimtarët, për familjet e tyre dhe për brezat që vijnë”.