Blog

  • Një person gjobitet me 500 euro në Prizren pasi dogji mbeturinat në hapësirë të hapur

    Një person gjobitet me 500 euro në Prizren pasi dogji mbeturinat në hapësirë të hapur

    Një person është gjobitur me 500 euro nga Policia e Kosovës, pasi kishte djegur mbeturina në një hapësirë të hapur në lagjen Arbana të Prizrenit.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 6 tetor 2026, kur zyrtarët policorë të Stacionit Policor Prizren-Veri, gjatë patrullimit, kanë hasur personin duke djegur mbeturinat që i kishte mbledhur në fushë.

    “Patrulla policore, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka gjobitur kundërvajtësin me 500 euro gjobë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia ka rikujtuar qytetarët se ndezja e zjarreve në hapësira të hapura paraqet rrezik për përhapjen e zjarrit dhe mund të rrezikojë pronën dhe qytetarët, ndërsa njëkohësisht shkakton ndotje të ambientit.

    Sipas Policisë, edhe në rastet kur nga ndezja e zjarrit nuk dëmtohet prona apo nuk rrezikohen qytetarët, ky veprim konsiderohet kundërvajtje dhe ndaj personave përgjegjës do të ndërmerren masa në përputhje me ligjet në fuqi. /Telegrafi/

  • Kosova me presidente të re, Hamza: Nata e mbrëmshme ishte e gjatë, por besoj një kthesë drejt rrugës së mbarë për shtetin

    Kosova me presidente të re, Hamza: Nata e mbrëmshme ishte e gjatë, por besoj një kthesë drejt rrugës së mbarë për shtetin

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka reaguar sot pas zgjedhjes së presidentes së Kosovës, Justina Pula-Shiroka.

    Hamza në një postim në Facebook shkruan se nata e mbrëmshme ishte një natë e gjatë për Republikën e Kosovës, por beson se do të jetë edhe një kthesë drejt rrugës së mbarë për shtetin tonë.

    Lexoni të plotë postimin e Hamzës:

    Nata e mbrëmshme ishte një natë e gjatë për Republikën e Kosovës. Por dua të besoj se do të jetë edhe një kthesë drejt rrugës së mbarë për shtetin tonë dhe, bashkë me shtetin e me Presidenten e re, edhe për ish-udhëheqësit e UÇK-së, në betejën tonë të përbashkët për drejtësinë, të vërtetën dhe pastërtinë e luftës sonë çlirimtare.

    Beteja për drejtësi në Hagë nuk mund të bëhet më vetëm nga individët, familjet, dashamirët dhe mbrojtësit e tyre, të cilët tash e gati gjashtë vjet po e bartin mbi supet e tyre peshën e rëndë të këtij procesi. Shteti ynë tani duhet të jetë pranë tyre, me të gjitha kapacitetet dhe përgjegjësitë që i takojnë.

    Në emër të PDK-së, i falënderoj të gjithë qytetarët që protestuan pa u ndalur në kryeqytet, në shumicën e qyteteve të Kosovës dhe në diasporë, duke u bërë zëri i tyre dhe pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi.

    Qytetarëve tanë dhe brezave që vijnë u duhet një Kosovë që nuk harron, një shtet që nuk dorëzohet dhe një shoqëri që e mbron të vërtetën e saj. Atyre u duhet një Kosovë që nuk lejon që sakrifica dhe lufta për liri të zbehen nga harresa apo të shtrembërohen nga paragjykimet.

    Tani kemi një Deklaratë të Përbashkët të zotimit dhe vullnetit politik në Kuvend, një ligj për mbrojtjen e UÇK-së dhe kemi Presidenten e zgjedhur. Prandaj, pa përjashtim, presim koordinimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e të gjithëve për këtë kauzë kombëtare. UÇK-ja na bashkoi në një vizion. Tani është koha që atë vizion ta shndërrojmë në një mision të përbashkët, me angazhim dhe vepra konkrete.

    Beteja jonë për drejtësi duhet të vazhdojë. Dhe në këtë betejë, çlirimtarët tanë nuk do të jenë vetëm.

    Duhet të jemi të gjithë bashkë. /Telegrafi/

  • Dy objekte ndërtimi në Gjakovë ndalohen nga Inspektorati Qendror i Punës

    Dy objekte ndërtimi në Gjakovë ndalohen nga Inspektorati Qendror i Punës

    Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në dy objekte ndërtimi në Komunën e Gjakovës, pas konstatimit të parregullsive lidhur me masat e sigurisë dhe shëndetit në punë.

    Sipas njoftimit të Inspektoratit, gjatë inspektimeve në këto dy objekte janë evidentuar mangësi në zbatimin e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së punëtorëve.

    Për këtë arsye, janë nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.

    Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, ndërsa ka apeluar te punëdhënësit që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.

    Sipas institucionit, respektimi i këtyre standardeve është i rëndësishëm për parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një ambienti të sigurt për punëtorët. /Telegrafi/

  • Fundi i një hasmërie shumëvjeçare – dy familje rivale në Turqi pajtohen pas 22 vitesh armiqësie

    Fundi i një hasmërie shumëvjeçare – dy familje rivale në Turqi pajtohen pas 22 vitesh armiqësie

    Dy familje rivale në Turqi, Saral dhe Şahin, janë pajtuar pas 22 vitesh armiqësi, pas një takimi të ndërmjetësuar nga lideri i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli.

    Sipas raportimeve të mediave turke, përcjell Telegrafi, Bahçeli mblodhi në selinë e MHP-së krerët e dy familjeve, Sedat Şahin dhe Burhanettin Saral, të cilët u takuan dhe shtrënguan duart.

    MHP publikoi fotografitë e takimit dhe e cilësoi atë si një “përqafim dhe takim historik”.

    “Dy familje të vlefshme të vendit tonë, familjet Saral dhe Şahin, u mblodhën në selinë tonë në një përqafim dhe takim historik me kryetarin tonë, z. Devlet Bahçeli”, thuhej në deklaratën e partisë.

    Po sipas mediave turke, armiqësia mes dy familjeve – të vlerësuara si dy nga organizatat kryesore të krimit të organizuar në Turqi – daton që nga viti 2004 dhe ndër vite është shoqëruar me vrasje dhe sulme të armatosura.

    Sipas tyre, një përleshje me armë midis dy grupeve më 4 tetor 2004 ishte një pikënisje e rëndësishme për tensionin.

    Armiqësia u thellua në vitet pasuese me vrasje dhe sulme të armatosura.

    Vrasja e Hüseyin Saral në Itali në vitin 2005 ishte një pikë kthese, ndërsa vrasja e vëllait të Sedat Şahin, Vedat Şahin, dhe truprojës së tij, Ferdi Topal, në Nişantaşı në vitin 2014, e rizgjoi tensionin.

    Sedat Şahin e mbajti Burhanettin Saral përgjegjës për vdekjen e vëllait të tij. /Telegrafi/esh armiqësi, pas një takimi të ndërmjetësuar nga lideri i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli.

    Sipas raportimeve të mediave turke, përcjell Telegrafi, Bahçeli mblodhi në selinë e MHP-së krerët e dy familjeve, Sedat Şahin dhe Burhanettin Saral, të cilët u takuan dhe shtrënguan duart.

    MHP publikoi fotografitë e takimit dhe e cilësoi atë si një “përqafim dhe takim historik”.

    “Dy familje të vlefshme të vendit tonë, familjet Saral dhe Şahin, u mblodhën në selinë tonë në një përqafim dhe takim historik me kryetarin tonë, z. Devlet Bahçeli”, thuhej në deklaratën e partisë.

    Po sipas mediave turke, armiqësia mes dy familjeve daton që nga viti 2004 dhe ndër vite është shoqëruar me vrasje dhe sulme të armatosura.

    Sipas tyre, një përleshje me armë midis dy grupeve më 4 tetor 2004 ishte një pikënisje e rëndësishme për tensionin.

    Armiqësia u thellua në vitet pasuese me vrasje dhe sulme të armatosura.

    Vrasja e Hüseyin Saral në Itali në vitin 2005 ishte një pikë kthese, ndërsa vrasja e vëllait të Sedat Şahin, Vedat Şahin, dhe truprojës së tij, Ferdi Topal, në Nişantaşı në vitin 2014, e rizgjoi tensionin.

    Sedat Şahin e mbajti Burhanettin Saral përgjegjës për vdekjen e vëllait të tij. /Telegrafi/

  • Shpërthen bombola e gazit në Roskovec, lëndohet 75-vjeçarja

    Shpërthen bombola e gazit në Roskovec, lëndohet 75-vjeçarja

    Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Roskovecit, duke lënë të lënduar një grua rreth 75 vjeçe.

    Ngjarja ka ndodhur në banesën ku jetonte një çift i moshuar.

    Shkak dyshohet të jetë bërë rrjedhja e gazit nga bombula kur zonja e shtëpisë ka ndezur sobën në mengjes.

    Nga shpërthimi ajo vetë ka pësuar lëndime.

    Pas shpërthimit, në ndihmë të të moshuarve kanë shkuar fqinjët dhe të afërmit, të cilët kanë njoftuar ambulancën.

    E lënduara është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr trajtimin mjekësor për shkak të plagëve dhe djegieve të shkaktuara nga shpërthimi.

    Forca e shpërthimit ka qenë e madhe, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

    Një kat i banesës ku jetonte çifti është dëmtuar rëndë dhe pjesërisht është shkatërruar.

    Sipas të afërmve, dy të moshuarit jetonin të vetëm në banesë, ndërsa djemtë e tyre ndodhen në emigracion.

    Shpërthimi ka alarmuar edhe banorët e zonës. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur verifikimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e saktë të shpërthimit. /Abcnews.al/

  • Nga Malisheva në Arabinë Saudite, Thomas Brdaric zyrtarizohet nga klubi i ri

    Nga Malisheva në Arabinë Saudite, Thomas Brdaric zyrtarizohet nga klubi i ri

    Klubi nga Arabia Saudite, Al-Bukayriyah ka njoftuar zyrtarisht afrimin e trajnerit Thomas Brdaric, i cili së fundmi ishte trajner i Malishevës.

    Trajneri kroato-gjerman ka befasuar të gjithë duke u larguar nga Malisheva edhe përkundër se pati një nisje shumë të mirë të sezonit në Superligën e Kosovës.

    Brdaric do ta vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite, pasi është vet klubi Al-Bukayriyah, i cili ka zyrtarizuar afrimin e tij.

    “Menaxhmenti i klubit Al -Bukayriyah ka finalizuar procedurat e kontratës me trajnerin gjerman Thomas Brdaric për të marrë përsipër drejtimin e ekipit të parë të Al-Bukayriyah”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, Al-Bukayriyah zhvillon garat në Ligën e Parë të Arabisë Saudite dhe pas gjashtë xhiros renditet në vendin e parafundit, atë të 17-tin, me vetëm dy pikë dhe pa fitore.

    Në anën tjetër, Brdaric përveç Malishevës, në të kaluarën ka drejtuar edhe klube tjera shqiptare si Shkëndija, Vllaznia dhe Drenica. /Telegrafi/

  • Policia e Valais paralajmëron për përhapjen e protestave studentore

    Policia e Valais paralajmëron për përhapjen e protestave studentore

    Policia e Valaisit i ka paralajmëruar nxënësit të mos bëjnë thirrje për bllokada shkollash. Kritikët thonë se policia po shpik një kërcënim aty ku nuk ekziston.

    “Mos ndani thirrjet për bllokada shkollash.” Policia kantonale e Valais duket se ka frikë se lëvizja protestë studentore në Francë mund të përhapet në shkollat në Valais.

    Në një postim të publikuar në mediat sociale gjatë fundjavës, autoritetet u bënë thirrje vajzave dhe djemve të mos përcillnin thirrje për mobilizim, raporton 20minuten.

    Ata paralajmëruan për “pasoja serioze”, përfshirë ndjekjen penale. Kjo qasje ngre pyetje.

    “Qëllimi është thjesht frikësimi”

    Postimi shkaktoi reagime në mediat sociale: “Shpikja e një kërcënimi që nuk ekziston – gënjeshtra duket se është bërë strategji zyrtare e policisë”, shkruhej në një koment. Një tjetër deklaroi: “Në një demokraci, nuk është detyra e policisë të vendosë se cila lëvizje mund të mbështetet dhe cila jo”.

    «Posteri u drejtohet të miturve. Bëhet fjalë thjesht për frikësim», thotë Meriam Mastour, një avokate e të drejtave të njeriut që punon në Gjenevë. Sipas saj, policia nuk është e autorizuar të ndërmarrë veprime kundër thirrjeve për demonstrata. Ajo nuk ka parë ndonjë nxitje për dhunë në Zvicër.

    Posteri i Valais nuk bën dallim të qartë midis ndarjes së përmbajtjes që shpreh solidaritet politik dhe përhapjes së një thirrjeje konkrete për të kryer një krim ose për të bllokuar një shkollë. “Kjo qasje ngre pyetje, veçanërisht në lidhje me të drejtën për të demonstruar dhe lirinë e shprehjes. Ajo ilustron një trend të politikës së sigurisë që po vendoset në Zvicër, siç e kemi vërejtur tashmë gjatë demonstratave për Palestinën”, paralajmëron Mastour, transmeton Telegrafi.

    Raporti i policisë “bën thirrje për bllokada në disa shkolla”

    Në përgjigje të një hetimi, policia kantonale e Valais shpjegoi se ata kishin “zbuluar thirrje për bllokimin e disa shkollave të mesme në Valais frëngjishtfolëse”. Kjo nxiti veprimin e tyre.

    “Publikimi ynë nuk drejtohet kundër shprehjes së një mendimi politik, as kundër shprehjeve të mbështetjes apo solidaritetit, të cilat nuk po vihen në dyshim”, deklaroi policia.

    Masa u mor në konsultim me departamentin e arsimit dhe gjykatën e të miturve.Sipas autoriteteve, postimi kishte për qëllim kryesisht të informonte të rinjtë dhe prindërit e tyre se veprime të caktuara specifike që lidhen me një bllokadë – varësisht nga rrethanat – mund të kenë pasoja ligjore dhe administrative. Kjo përfshin, për shembull, publikimin ose përhapjen e thirrjeve për dhunë.

    Neni 259 i Kodit Penal Zviceran trajton në mënyrë specifike këtë nxitje publike për krim ose dhunë – por jo ndarjen e postimeve ose dhënien e “pëlqimeve” në rrjetet sociale. “Të rinjtë, sigurisht, mund të shprehin mendimet, shqetësimet ose solidaritetin e tyre, duke përfshirë edhe në rrjetet sociale”, sqaroi policia.

    I gjeneruar nga inteligjenca artificiale

    Autoritetet kanë konfirmuar se imazhet e postuesit janë krijuar duke përdorur inteligjencën artificiale. Zgjedhja ishte e qëllimshme, deklaruan ata, për të “shfrytëzuar kode të caktuara vizuale të përdorura në botime të tilla”. Në të vërtetë, posteri i ngjan dizajneve të shumta të gjeneruara nga inteligjenca artificiale që shihen në të gjithë Zvicrën perëndimore.

    Mediat zvicerane raportuan se përshkrime të tilla kanë tendencë të gjejnë më shumë jehonë tek të moshuarit, ndërsa të rinjtë po i gjejnë ato gjithnjë e më të mërzitshme./Telegrafi/

  • Arifi: Zoti ka qenë me UÇK-në - Kosova tash përballet me beteja të mëdha (VIDEO)

    Arifi: Zoti ka qenë me UÇK-në – Kosova tash përballet me beteja të mëdha (VIDEO)

    Arifi: Zoti ka qenë me UÇK-në - Kosova tash përballet me beteja të mëdha (VIDEO)

    Analisti Dritëro Arifi ka vlerësuar se uniteti i arritur është një hap i rëndësishëm për Kosovën përballë sfidave të ardhshme.

    Në emisionin “Ora Shtatë”, Arifi tha se ajo që ndodhi mbrëmë do të duhej të ndodhte më 16 shtator, por, sipas tij, është e rëndësishme që në fund është arritur një unifikim i rëndësishëm, transmeton Klankosova.tv.

    “Ajo që pamë mbrëmë, do duhej të ndodhte më 16 shtator, por më mirë vonë se kurrë. Me rëndësi u arrit një unifikim i rëndësishëm për betejat tona të ardhshme”, deklaroi Arifi në Klan Kosova.

    Ai pati fjalë falënderimi për UÇK-në dhe protestuesit, duke theksuar sakrificën e të rinjve gjatë 21 ditëve të protestave.

    “Një falënderim i madh u shkon UÇK-së, protestuesve, atyre djemve dhe vajzave të reja që sakrifikuan 21 ditë, sakrifikuan edhe dhunën. Falë kësaj sakrifice, u desh edhe një herë UÇK-ja të vinte në skenë për të na rikujtuar se cilat janë vlerat tona kombëtare”, u shpreh ai.

    Sipas Arifit, uniteti i arritur erdhi në një moment kur vendi ishte pranë një përshkallëzimi më të madh.

    “Elita politike e papërgjegjshme më në fund e kuptoi se ishim në kufi të përshkallëzimit më të madh dhe më në fund u arrit uniteti që e kemi kërkuar që nga data 16 shtator”, tha Arifi.

    Ai theksoi se për Kosovën tani nisin beteja të tjera të rëndësishme, duke i ndarë ato në tri faza.

    “Kosova i ka tash tri beteja të fuqishme përpara. Të parën e fitoi, uniteti i brendshëm u fitua, kauza, ligji u miratua. Beteja e dytë është strategjia shtetërore, kombëtare, e cila duhet të përgatitet, por jo me pompozitet, sepse kundërshtari mund ta lexojë hapin tonë dhe mund të na çmontojë strategjinë”, deklaroi ai.

    Ndërkaq, si betejë të tretë, Arifi e cilësoi atë juridike, duke shprehur bindjen se mbrojtja ka bërë përgatitje të mjaftueshme.

    “Dhe e treta është beteja juridike. Mendoj se mbrojtja e ka përgatitur mjaft mirë”, tha ai.

    Arifi e cilësoi zhvillimin e fundit edhe si një moment të veçantë për të, duke thënë se beson se UÇK-ja ka pasur mbështetjen e Zotit para, gjatë dhe pas luftës.

    “Kjo po tregon edhe një gjë, që Zoti ka qenë me UÇK-në para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Kjo është edhe një dhuratë e madhe nga Perëndia”, tha Arifi.

  • Ylli i Real Madridit pritet të largohet nga klubi verën e ardhshme

    Ylli i Real Madridit pritet të largohet nga klubi verën e ardhshme

    Antonio Rudiger mund të jetë në rrugën e largimit nga Real Madridi në fund të këtij sezoni, pasi qendërmbrojtësi gjerman duket se ka humbur një pjesë të rëndësishme të rolit që kishte në skuadër.

    Sipas gazetarit Jorge C. Picon, mundësia që Rudiger të largohet nga “Los Blancos” verën e ardhshme është rritur ndjeshëm.

    Mbrojtësi 33-vjeçar rinovoi kontratën me klubin madrilen për një sezon tjetër gjatë verës, duke e zgjatur qëndrimin e tij në “Santiago Bernabeu”, por situata sportive nuk ka qenë në favorin e tij.

    Nën drejtimin e Jose Mourinhos, Ibrahima Konate dhe Dean Huijsen janë shndërruar në zgjedhjet kryesore në qendër të mbrojtjes, ndërsa Rudiger kryesisht po përdoret si alternativë dhe lojtar rotacioni.

    Gjendja mund të bëhet edhe më e komplikuar për gjermanin në javët e ardhshme. Eder Militao pritet të rikthehet nga dëmtimi dhe rikthimi i brazilianit do të shtojë konkurrencën për një vend në formacionin titullar, duke e shtyrë Rudigerin edhe më poshtë në hierarki.

    Për më tepër, Real Madridi tashmë ka nisur të mendojë për përforcime të reja në repartin defensiv për afatin kalimtar të verës.

    Klubi spanjoll po monitoron disa qendërmbrojtës të rinj, me Jarell Quansah dhe Finn Jeltsch që raportohet të jenë ndër profilet e preferuara.

    Në këto rrethana, e ardhmja e Rudigerit në Madrid duket gjithnjë e më e pasigurt.

    Edhe pse kontrata e re e mban atë në klub deri në vitin e ardhshëm, një rol i reduktuar dhe ardhja e mundshme e mbrojtësve të rinj mund ta shtyjnë Real Madridin dhe vetë lojtarin drejt një ndarje në fund të sezonit. /Telegrafi/

  • Dita kur ia mjekova sytë Pjetër Meshkallës

    Dita kur ia mjekova sytë Pjetër Meshkallës

    Nga: Eduart A. Skufi

    Nganjëherë pasioni për leximin të çon aty ku nuk e kishe menduar. Hap një libër për t’u larguar pak nga bota, për t’u humbur mes fjalëve të një shkrimtari romantik … dhe papritur, mes një fjalie, një përshkrimi a një personazhi, gjen diçka nga vetja. Çuditërisht, libri që duhej të ishte një strehë, bëhet pasqyrë. Faqet vazhdojnë të kthehen, fjalët vazhdojnë të rrjedhin, por ti nuk je më thjesht lexues, je dëshmitar i një ngjarjeje emocionale të jetës sate. Endesha në mrekullinë e Giacomo Leopardit “L’Infito”, ku bashkëjetesa e artit me meditimin filozofik shprehet me harmoninë dhe muzikalitetin e vargjeve: Sempre caro mi fu quest’ermo colle …

    … Gjithmonë e dashur / Për mua ka qënë kjo / Kodër e vetmuar e ky gardh shkuresh / Që shikimin drejt horizontit, më të largët, më pengon / Por, ndërsa rri e vështroj, përfytyroj hapësira të pafundme përtej saj, heshtje mbinjerëzore dhe qetësie të thellë …

    Kështu ato vargje mund të të prekin pikërisht plagën, ku askush tjetër nuk kishte arritur, ku s’kishte mbërritur as ëndrra; prekin një derë të mbyllur brenda teje, e hapin befas, pa trokitur dhe fjalët i japin fytyrë kujtesës … Dhe, atëherë, një ngjarje e hidhur e së shkuarës rikthehet mes mjegullës me gjithë peshën e saj. Jo si kujtim i largët, por si një dhimbje që kishte mësuar të heshtte.

    Lexo po ashtu për Pjetër Meshkallën:
    – Letra drejtuar Mehmet Shehut, më 1967: Po e prishni karakterin e shqiptarit, në dëm të Atdheut
    – Diktatura ma e rrezikshme asht ajo që paraqitet me maskën e demokracisë
    – Pjetër Mëshkalla nuk ka shkruar vetëm një letër …

    Dita e Krishtlindjes

    Ishin ditë pranë Krishtlindjes, ato ditë të veçanta kur gëzimi duket sikur ecën krah për krah me nostalgjinë dhe kujtimet e largëta trokasin më fort në portën e shpirtit. Në mbrëmje, pasi isha marrë me të rejat shkencore mjekësore në laptop, u ulëm me time shoqe, për të ndjekur një film grek mbi jetën dhe artin e piktorit të madh El Greco. Në ekran shpaloseshin ngjyrat e thella të pikturave të tij, dritë e hije, tokë e qiell, ndërsa jashtë nata e dimrit kishte mbështjellë gjithçka me heshtjen e saj. Papritur, zilja e pandërprerë e celularit më shkëputi nga filmi. Pashë numrin, ishte telefonata e ish-mësuesit tim të gjimnazit, Tanush Frashërit, nga Austria.

    Bisedat e shpeshta telefonike me të ishin kthyer, siç thoshte ai me humor, në “simpoziume arti e kulture”. Flisnim gjatë, për gjithçka: për artin, letërsinë, shkencën, historinë, njerëzit dhe kohën që ikte. Dhe, gjithmonë me atë kënaqësinë e veçantë që të fal një bisedë me një mik të vjetër, ku fjalët nuk kanë nevojë të kërkojnë rrugën, sepse e njohin prej kohësh njëra-tjetrën. Më uroi për Krishtlindjen, por zëri i tij atë mbrëmje ishte ndryshe. Kishte në të një trishtim të përmbajtur, një drithërimë të largët, si të kishte udhëtuar përmes shumë vitesh e shumë kujtimesh, për të mbërritur deri tek unë. “Dëgjo, i dashur doktor, miku im … Me meloditë dhe ngjyrat e Krishtlindjes, më vjen ndërmend një episod i dhimbshëm nga burgu i Spaçit, në vitin 1972”. Dhe, ndërsa në ekran El Greco vazhdonte të pikturonte dritën e tij të përtejme, unë mbeta pa fjalë. Krishtlindja, me dritat, këngët dhe ngrohtësinë e saj, kishte hapur papritur një derë tjetër, një derë drejt një kohe të ftohtë, të errët, ku gëzimi nuk kishte ngjyra dhe ku kujtimet e dhimbshme mbeteshin gjatë në shpirt … “I dashur mik, ndonjëherë, në ditët e festave, kujtesa nuk na sjell jo vetëm atë, që kemi dashur të kujtojmë. Ajo sjell edhe atë që koha nuk ka mundur ta fshijë”!

    Biseda në burg e Meshkallës me Frashërin

    Ishin ditët para Krishtlindjes. Na nxorën për ajrim, në atë pajtozin e mirëpritur, atë copëz të vogël hapësire që, për një të burgosur, ngjante me një lloj parajse. Aty, për pak çaste, njeriu mund të takohej me atë që i mungonte më shumë: me atë pak liri, me ajrin e pastër, me dritën. Ecnim secili në ritmin e vet, në atë ritual pothuajse të heshtur, ku hapat flisnin më shumë se fjalët. Herë pas here, aty-këtu dëgjohej ndonjë zë i mekur, një fjali e shkëputur nga heshtja dhe që, sapo lindte, dukej sikur druhej të vazhdonte. Veçmas nga të tjerët ecte një mesoburrë, i thatë me syze. Kishte një krenari të qetë në qëndrimin e tij, një ftohtësi në portret, të cilën e zbuste vetëm një mirësjellje e natyrshme, thuajse fisnike. Ishte Atë Pjetër Meshkalla. E pashë dhe, pas një çasti ngurrimi, iu afrova.

    – Mirëdita, At Pjetër. Mund t’ju shoqëroj?

    Ai mbeti për pak i befasuar. Pastaj uli sytë mbi tokë, sikur kërkonte aty fjalët e duhura dhe m’u përgjigj me një zë të ulët:

    -Po, zoti Frashëri … Por, nuk keni frikë? Unë konsiderohem i rrezikshëm. Prandaj, jam i vetmuar.

    Fjalët e tij mbetën për një çast pezull mes nesh. Unë buzëqesha. Është nder për mua t’ju shoqëroj. Dhe, vazhduam të ecnim. Dy njerëz, në një copëz të vogël ajri e drite, mes mureve që ndanin jetën nga liria.

    Ai ecte me vetminë e tij, unë me heshtjen time, ndërsa mbi ne, si një kujtim i largët i një bote tjetër, rrinin ditët e Krishtlindjes.

    – Z. Frashëri, kam dëgjuar për juve. Di që keni pasion për librat dhe për letërsinë. Cilin shkrimtar keni për zemër?

    Unë, mbasi u mendova pak, i thashë:

    – Mua më mbetet mbresëlënëse, vepra poetike e Giacomo Leopardit. Ai bashkon sentimentin njerëzor me bukuritë e jetës dhe e nxit njeriun të përballet me realitetin që jeton.

    Kleriku françeskan ndaloi për një çast. Drejtoi shikimin nga ajo pëllëmbë qielli mbi ne, rrethuar nga malet, mblodhi dorën grusht, i ndryshoi fytyra dhe, me një zë të brendshëm, citoi në italisht: Sempre caro mi fu quest’ermo colle …

    Dhe, unë, tha profesori, i magjepsur, si pa kuptuar vazhdova: “Dhe më vjen ndër mend përjetësia, epokat e së shkuarës”! Ndërsa Pjetri vazhdoi në sinkron: “Si dhe koha e gjallë e së tashmes me tingujt e saj”.

    – Po të lexosh formulimin e De Sanctis për Giacomo Leopardin, nuk mund të mos befasohesh: “Ai krijoi poezinë e dhimbjes; një poezi që nuk beson te përparimi, por që të bën ta dëshirosh atë; që nuk beson te liria, por që të mëson ta duash”. Në këtë paradoks të fuqishëm qëndron madhështia e poezisë së Leopardit: edhe atëherë kur shpresa duket e pamundur, vargu i tij zgjon brenda nesh dëshirën për të; edhe kur liria vihet në dyshim, poezia na bën ta ndiejmë atë si një nevojë të thellë të shpirtit.

    Mandej bëri një pauzë, ndryshoi shprehjen e fytyrës dhe i shqiptoi me forcë fjalët:

    – Ku janë tingujt e saj? Ajo, këtu është një kakofoni torturuese …

    Por, nuk u shkëput nga mendimi. Pastaj tha:

    – Z. Tanush, kujdes këtu … edhe ajri ka veshë. Mbeteni një figurë admiruese, vazhdoi profesori, condannato eternamente, por dhe “engjëll i burgjeve” …

    At Pjetër Meshkalla kaloi gishtat që i dridheshin në mjekër, tundi kokën, mandej fiksoi gishtin tregues mbi skeletin e syzeve dhe vazhdoi:

    – Ç’mund të bëjë një engjëll në mbretërinë e demonëve? Shih përreth … këtu as lulet nuk guxojnë të çelin, as zogjtë nuk e gjejnë melodinë e këngës. Edhe drita e diellit ndalet në shpatet e malit, sikur të ketë frikë të hyjë në këtë vend. Këtu, edhe shpresa duket si një mëkat.

    Midis nesh fliste heshtja. Në atë çast u dëgjua zëri i oficerit të rojës, i cili njoftoi se Tanush Frashërin e kërkonin në takim. Pas nostalgjisë së takimit, mësuesi u trishtua mes një emocioni të thellë. Mori në dorë një torbë të vogël dhe, me një gjest të heshtur, i bëri shenjë françeskanit ta shoqëronte. U futën në qeli. Pas pak ftuan edhe një klerik tjetër dhe shtruan sofrën, të thjeshtë e të ngrohtë, me asortimente të përgatitura nga duart e nënës dhe të bashkëshortes. Ato duar që dinë ta bëjnë edhe një copë bukë, të duket si një kujtim i shenjtë.

    Krishtlindja dhe dreka në qeli

    Në fillim, At Pjetri uli kokën dhe bëri një lutje të përshpirtshme. Pastaj ngriti sytë nga Tanushi dhe tha, me zë të dridhur:

    – Zoti Tanush, kjo është një mrekulli e Atit të Shenjtë. Dreka, sot bie pikërisht në ditën e Krishtlindjes, një drekë e ndaluar …

    Fjalët iu prenë në mes. Emocioni nuk e la të vazhdonte. Për një çast, heshtja u bë më e fuqishme se çdo fjalë. Ishte sikur në atë qeli të vogël të kishte hyrë, bashkë me aromën e ushqimit, edhe një copëz nga një botë e humbur, nga katedralja, nga shtëpia, nga njerëzit e dashur dhe nga ditët që nuk kthehen më. Në fund, e ëmbëlsuan hidhërimin me nga një copë kek me gështenja e fruta. Ishte një ëmbëlsi e vogël, por mjaftonte për t’i dhënë asaj dreke një shije kremtimi.

    At Pjetri heshti pak, pastaj foli ngadalë, sikur po zgjidhte me kujdes tingujt e një kujtimi:

    – Na mungon një Requiem i Mozartit … apo Chaconne-ja e Bachut … Mbase edhe Sonata nr. 32 e Beethovenit …

    U ndal, dhe pa Tanushin.

    – Apo jo, Tanush?

    Fytyra e mësuesit u ndriçua. Në sytë e tij shkëlqeu një kënaqësi e papritur, sikur muzika, pasioni i tij, të kishte hapur menjëherë një dritare në atë qeli.

    – Nuk do të thosha jo edhe për Simfoninë nr. 9 të Beethovenit, për atë vepër monumentale …

    Dhe, për një çast, qelia nuk dukej më si qeli, e humbi formën. Nëpërmjet fjalëve të tyre, nëpërmjet Mozartit, Bachut e Beethovenit, muret sikur u larguan dhe ajri u mbush me tinguj të padëgjuar. Ishte një çast i shkurtër lirie, një grimë drite në mes të hidhërimit. Ati françeskan entusiazt vazhdoi:

    – Kjo drekë nuk shpreh vetëm një dhuratë zemre, as vetëm një gjest mirësie, por dhe një formë e thellë të empatisë. Mund të na kenë burgosur trupin, por jo shpirtin; mund të na kenë mbyllur dyert, por jo mendimin, njerëzoren nuk mund ta burgosin. Ju, mësues mesa di, jeni i besimit mysliman, respektoni besimin e tjetrit, pa pasur nevojë ta bëni tuajin. Po i kujtoni një të burgosuri, një françeskani, se edhe këtu, ku njeriu rrethohet nga mure, ka ende njerëz që nuk e kanë humbur dinjitetin. Ju faleminderit.

    Por, papritur u dëgjuan hapat. Të gjithë heshtën. Koha e tyre ishte mbaruar. U ndanë pa shumë fjalë, por me atë kënaqësi të rrallë që lë pas një kremtim i përbashkët. Një drekë e thjeshtë, disa kujtime, pak muzikë e folur dhe një copë kek me gështenja, aq sa për ta bërë atë ditë të mbetej gjatë në kujtime, e në zemër … Në atë moment nga telefoni u dëgjua një psherëtimë e thellë. Profesori bëri një pauzë të shkurtër dhe vazhdoi:

    – Kështu kërkonim të gjenim ndonjë çast për të shkëmbyer mendimet. Pas dy vjetësh, klerikët i larguan dhe i çuan në një tjetër burg. E ndiqja me shikimin tim portretin e tij, që po largohej dhe mendoja, kur fati të vendos përkrah njerëzve të tillë dhe burgu bëhet shkollë. Kështu unë e humba atë … Mbeta vetëm, i mbyllur në mendimet dhe meditimet e mia.

    Kur vizitova At Pjetër Meshkallën

    – Profesor – e ndërpreva unë -erdhi momenti t’ju surprizoj. Ju e humbët, por e gjeta unë.

    Për një çast ra heshtje.

    – Vërtet? E çuditshme, si ndodhi …

    Dhe unë vazhdova t’i tregoja:

    – Atë Pjetër Meshkallën, rreth viteve ’80, e internuan në një fshat të Vlorës. Në atë kohë unë punoja si okulist, në Spitalin Rajonal. Ishte një ditë vere, në mesditë, kur më telefonuan për një urgjencë. Mora autoambulancën dhe u nisa menjëherë drejt spitalit. Aty pashë një burrë të moshuar, të dobët, me syze dhe me një fytyrë të pjekur nga dielli. Ajo që të binte menjëherë në sy ishin sytë e tij: të dy krejt të skuqur, të lodhur. Në të dyja anët e tij qëndronin dy burra me rroba gri, me fytyra të ftohta dhe vështrime të ngrira. Ishin operativi i zonës dhe një oficer operativ i Degës. Pasi më dhanë disa shpjegime, e shoqërova të sëmurin në dhomën e vizitës.

    Njëri prej tyre më kërkoi që dera të mos mbyllej plotësisht gjatë vizitës. Mbeta për një çast i habitur. Ishte një kërkesë e pazakontë, por nuk kisha ç’të bëja. E lashë derën gjysmë të hapur dhe iu përkushtova pacientit. Ai më shpjegoi se kishte dhimbje dhe lotim të vazhdueshëm të syve dhe se nuk e duronte dot dritën, sidomos me syrin e djathtë. E vizitova me kujdes. Pas ekzaminimit, vendosa diagnozën dhe fillova mjekimin. Atëherë, me një zë shumë të ulët, pothuajse një pëshpërimë, ai më tha:

    – Doktor, unë jam At Pjetër Meshkalla.

    Mbeta i shtangur. Për një çast më dukej sikur gjithçka rreth meje kishte ndaluar. Pikatorja që mjekoja, desh më ra nga dora. E njihja emrin e tij. Kisha lexuar dhe dëgjuar shumë për të. Për vite me radhë ushqeja në heshtje një ndjenjë të thellë respekti dhe admirimi për atë figurë, për atë njeri që kishte mbetur i palëkundur në bindjet e tij, pavarësisht gjithçkaje që kishte përjetuar. Dhe, tani, krejt papritur, ai ndodhej përballë meje. I moshuar, i dobët, me sytë e përflakur nga dhimbja, por me një qetësi të çuditshme në fytyrë. Pasi përfundova mjekimin, i futa fshehurazi në xhepin e xhaketës disa ilaçe, që të mund t’i përdorte edhe më pas. Ai më pa dhe, me atë të folurën e tij të ngadaltë, e të qetë, më tha:

    – Doktor, faleminderit. Nuk doja të vija, por dhimbjet dhe lotimi më pengonin të lexoja. Pa leximin … nuk mund të rroj.

    Ato fjalë më prekën thellë.

    E pashë me admirim. Pa menduar gjatë, i përkëdhela lehtë flokët, me një gjest të thjeshtë, njerëzor, sikur të doja t’i përcillja me atë prekje gjithë respektin që nuk mund ta shprehja me fjalë. Fillova të shkruaja recetën. Në atë çast, njëri prej operativëve bëri një hap drejt meje. U afrua dhe, me zë të ulët, më tha:

    – Vër emrin tim në recetë!

    Ai nuk e dinte se unë tashmë ia kisha mësuar emrin. E përfundova recetën dhe lashë porosi që pacienti të vinte përsëri për kontroll pas një jave. Por, ai nuk u duk më, nuk e di nëse pati apo jo mundësi të rikthehej. Kështu ai takim nuk u largua kurrë nga kujtesa ime. Përkundrazi, mbeti aty, si një nga ato kujtime që koha nuk i zbeh. Ndjeva një kënaqësi të veçantë dhe, njëkohësisht, një krenari të heshtur që, qoftë edhe për pak minuta, kisha mundur t’i shërbeja atij njeriu. Atij njeriu që deri atëherë e kisha njohur vetëm përmes librave, rrëfimeve dhe fjalëve të të tjerëve. Atë ditë, për herë të parë, e pata përballë. Dhe, nuk ishte më vetëm një emër. Ishte një njeri, një njeri i moshuar, i lodhur e i përndjekur … Dhe, ndoshta, në atë çast, pa e kuptuar as vetë, i dhashë mundësinë të vazhdonte të bënte atë që për të ishte më shumë se një zakon: të lexonte, të mendonte, të meditonte … të jetonte.

    Ky takim më mbeti gjatë në mendje. Dhe, këto takime, sado të shkurtra, mbeten me ne për gjithë jetën. Vite kanë kaluar që nga ajo ditë, por sa herë e kujtoj, më duket sikur ende shoh atë shikim, ata dy sy të skuqur pas syzeve. Atë ditë unë mjekova sytë e At Pjetër Meshkallës. Por, pa e kuptuar, ai më mësoi mua të shoh, të shoh përtej ngurrimit, përtej heshtjes. Dhe, ndoshta kjo është arsyeja pse disa njerëz nuk largohen kurrë prej nesh. Ata ikin nga jeta jonë, por mbeten përgjithmonë në dritën e kujtesës, si jehonë e një mesazhi, që nuk heshti kurrë … /Gazeta “Panorama”/