Blog

  • UN Women uron Shiroka-Pulën: Zgjedhja e saj në krye të shtetit, moment i rëndësishëm për lidershipin e grave

    UN Women uron Shiroka-Pulën: Zgjedhja e saj në krye të shtetit, moment i rëndësishëm për lidershipin e grave

    UN Women uron Shiroka-Pulën: Zgjedhja e saj në krye të shtetit, moment i rëndësishëm për lidershipin e grave

    UN Women ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj si presidente të Kosovës, duke e cilësuar këtë një moment historik për përfaqësimin e grave në nivelet më të larta të vendimmarrjes.

    Në urimin e publikuar nga UN Women, theksohet se për herë të tretë një grua do të shërbejë në postin e Presidentes së Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

    UN Women rikujton gjithashtu se Shiroka-Pula ishte gruaja e parë që udhëhoqi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa zgjedhja e saj në krye të shtetit paraqet një tjetër moment të rëndësishëm për lidershipin e grave në institucionet më të larta të vendit.

    “Si partnere dhe mike e kahershme e UN Women, jemi veçanërisht krenarë që e festojmë këtë arritje dhe mezi presim të vazhdojmë punën tonë të përbashkët për fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave”, thuhet në urimin e UN Women.

  • Spanja zgjat rekordin botëror për serinë pa humbje

    Spanja zgjat rekordin botëror për serinë pa humbje

    Kombëtarja e Spanjës mposhti Kroacinë me rezultatin 2-1 në ndeshjen e raundit të katërt të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve të UEFA-s në Ligën A.

    Ekipi spanjoll ka fituar 11 ndeshje radhazi, pas triumfit të fundit në udhëtim te Kroacia.

    Përveç kësaj, seria e Spanjës pa humbje ka arritur në 42 ndeshje, që është një rekord botëror për serinë më të gjatë ndonjëherë.

    Spanja i ka fituar të katër ndeshjet, ka grumbulluar 12 pikë dhe ka siguruar të paktën vendin e dytë, gjë që garanton një vend në çerekfinalet e Ligës së Kombeve.

    Kundërshtari i Spanjës do të përcaktohet më vonë. Më parë, edhe Portugalia siguroi kualifikimin e hershëm për fazën eliminatore të Ligës së Kombeve, pasi kishte fituar gjithashtu të 4 ndeshjet.

    Ndryshe, Spanja është kampionia në fuqi e botës. /Telegrafi/

  • Komuna e Pejës njofton për nisjen e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë​

    Komuna e Pejës njofton për nisjen e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë​

    Komuna e Pejës ka njoftuar se ka nisur Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë “Peja”, një ngjarje kulturore që synon promovimin e letërsisë, krijimtarisë dhe autorëve vendorë.

    Sipas njoftimit, nata e parë e festivalit u shoqërua me deklamime poetike nga poetë vendorë, ndërsa u promovua edhe libri i autores Naxhije Berbati Kastrati.

    Festivali u hap nga Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Pejës, Xhenet Syka, e cila theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla për pasurimin e jetës kulturore të qytetit.

    Komuna ka bërë të ditur se aktivitetet do të vazhdojnë deri më 10 tetor, me poezi, promovime librash, bashkëbisedime dhe aktivitete të tjera letrare e kulturore. /Telegrafi/

  • Detaji që Limoni e mësoi pasi ndodhi ngjarja: Njëra nga vajzat kishte prejardhje shqiptare

    Detaji që Limoni e mësoi pasi ndodhi ngjarja: Njëra nga vajzat kishte prejardhje shqiptare

    Hajdin Limoni, shqiptari nga komuna e Gjilanit që u bë hero në Wohlen të Zvicrës pasi shpëtoi katër të rinj nga një veturë që po digjej pas një aksidenti, ka rrëfyer ekskluzivisht për Telegrafin momentin kur ndërhyri për t’i nxjerrë nga flakët.

    Në mesin e të aksidentuarve ishte edhe një vajzë me prejardhje shqiptare, pasi babai i saj është shqiptar. Limoni tregon se këtë e ka kuptuar vetëm më vonë, pasi në momentin e shpëtimit nuk e dinte se kush ishin personat që ndodheshin në veturë.

    Ai kujton thirrjen e vajzës në momentin e rrezikut:

    “Kërkoj ndihmë, më ndihmoni mua se po vdes…”

    “Dhe unë i kam thënë, sikur ta dija se ka gjak shqiptari”, rrëfen Limoni.

    Ai tregon se të aksidentuarit kishin shtetësi italiane dhe se nuk kishte pasur dijeni për prejardhjen e tyre.

    “Njëra e ka babain shqiptar. Më vonë e kam kuptu, s’kam ditë asgjë. As kush janë, as çfarë janë. Përndryshe, ata kanë shtetësi italiane”, ka treguar ai.

    Pas ngjarjes, babai i vajzës e ka telefonuar Limonin për ta falënderuar për shpëtimin.

    “Babai i një vajzës më ka thirrë, më ka falënderu. Nuk janë mirë, por ai më ka falënderu që i kam nxjerrë prej flakës dhe që i kam shpëtu”, ka rrëfyer Limoni.

    Ngjarja ka ndodhur më 30 shtator 2026, rreth orës 20:45, në Wohlen të kantonit Aargau.

    Në veturën që u përfshi nga zjarri, ndodheshin katër shtetas italianë që banonin aty, një vajzë 17-vjeçare dhe tre burra të moshës 17, 18 dhe 21 vjeç./Telegrafi/

  • Pse menstruacionet bëhen papritur të dhimbshme nëse nuk kanë qenë kurrë më parë

    Pse menstruacionet bëhen papritur të dhimbshme nëse nuk kanë qenë kurrë më parë

    Menstruacionet e papritura dhe të dhimbshme mund të jenë shenjë e ndryshimeve hormonale ose zhvillimit të një gjendjeje gjinekologjike.

    Nëse dhimbja përkeqësohet muaj pas muaji, kjo mund të jetë një shenjë e dismenorresë sekondare, e cila lidhet me një gjendje gjinekologjike siç janë endometrioza, adenomioza ose fibroidet.

    Sipas Klinikës Mayo, dhimbja e fortë pas moshës 25 vjeç është shpesh një shenjë se dhimbja nuk shkaktohet më nga dismenorrea primare, por nga një gjendje e re që kërkon një ekzaminim gjinekologjik.

    Foto ilustruese

    Luhatjet hormonale dhe ndryshimet në prostaglandinat

    Sipas Klinikës Mayo, dhimbjet menstruale shkaktohen nga nivelet e rritura të prostaglandinave, të cilat shkaktojnë kontraksione më të forta të mitrës.

    Nëse këto nivele rriten ndjeshëm, menstruacionet mund të bëhen të dhimbshme, edhe nëse nuk kanë qenë më parë.

    Luhatjet hormonale janë të zakonshme gjatë periudhave stresuese, pas lindjes së fëmijës, me ndryshimet në peshë ose gjatë perimenopauzës.

    Endometrioza si një shkak i zakonshëm i dhimbjeve të reja

    Një nga arsyet më të zakonshme për periodat e papritura me dhimbje është endometrioza.

    Ind i ngjashëm me rreshtimin e mitrës fillon të rritet jashtë mitrës, duke shkaktuar inflamacion, dhimbje dhe ngërçe më të forta.

    Endometrioza mund të zhvillohet gradualisht, kështu që dhimbja mund të mos shfaqet deri më vonë në jetë, madje edhe tek gratë që nuk kanë pasur kurrë probleme më parë.

    Adenomioza dhe ndryshimet në muret e mitrës

    Adenomioza, një gjendje në të cilën rreshtimi i mitrës rritet në murin muskulor të mitrës, mund të shkaktojë dhimbje të forta dhe të papritura menstruale.

    Shpesh ndodh tek gratë pas moshës 30 vjeç ose pas shtatzënive të shumëfishta.

    Miomat dhe ndryshime të tjera në mitër

    Sipas Harvard Health, fibromat beninje që rriten në mitër ose mbi të mund të shkaktojnë dhimbje të reja, gjakderdhje më të rëndë dhe një ndjesi presioni.

    Fibromat mund të zhvillohen në mënyrë të pakontrollueshme dhe simptomat shfaqen vetëm kur arrijnë një madhësi të caktuar.

    Sëmundja inflamatore e legenit

    Sëmundja inflamatore e legenit, e shkaktuar nga infeksionet bakteriale, mund të shkaktojë menstruacione të papritura dhe të dhimbshme.

    Dhimbja shpesh përkeqësohet gjatë menstruacioneve sepse inflamacioni prek tubat fallopiane, vezoret ose mitrën. /Telegrafi/

  • Rgjistrohen 33 zjarre në hapësira të hapura në Maqedoni, shtatë janë aktive

    Rgjistrohen 33 zjarre në hapësira të hapura në Maqedoni, shtatë janë aktive

    Në 24 orët e fundit, në RMV janë regjistruar gjithsej 33 zjarre, nga të cilat katër janë aktive, dy janë nën kontroll dhe 27 janë shuar, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

    Zjarre aktive ka në komunat e Çashkës, Likovës dhe Prilepit.

    Nënkontroll janë zjarret në komunat e Studeniçanit dhe Kumanovës./Telegrafi/

  • Shërbimet gjermane të spiunazhit ishin shënjestër e lehtë për një shtet armiqësor

    Shërbimet gjermane të spiunazhit ishin shënjestër e lehtë për një shtet armiqësor

    Arrestimi i ish-shefit të BND-së mund të tingëllojë alarmues, por krahu i inteligjencës së Berlinit prej kohësh është parë si shumë më pak i fuqishëm nga sa do të pritej.

    Burimi: The Telegraph
    Përkthimi: Telegrafi.com

    Modernizues, i aftë dhe i ashpër ndaj Rusisë. August Hanning konsiderohej të kishte të gjitha këto gjatë shtatë vjetëve të tij si kreu i inteligjencës gjermane.

    Tani, reputacioni profesional i këtij ish-shefi të spiunazhit, i cili e drejtoi homologun gjerman të MI6-it – të njohur si BND – nga viti 1998 deri më 2005, është rrënuar pasi u arrestua nën akuzën se dyshohet se i kishte kaluar informacion të klasifikuar një fuqie të huaj të paidentifikuar.

    Një ish-spiun i cili është habitur nga lajmi është Sir Richard Dearlove, kreu i MI6-it gjatë pothuajse gjithë kohës kur Hanningu ishte në detyrë. “E njihja shumë mirë”, thotë Dearlove. “Ishte i jashtëzakonshëm, një koleg i shkëlqyer. Ai e modernizoi BND-në dhe e zhvendosi nga Pulahu [në Bavari] në Berlin. Gëzonte respekt të madh”.

    Dearlove, i cili e pa Hanningun për herë të fundit në vitin 2004, shton se ish-kolegu i tij ishte “vërtet i ashpër ndaj Rusisë”, pavarësisht se ishte emëruar nga Gerhard Schröder – nga kancelari gjerman i njohur për qëndrimin e tij të butë dhe më vonë pro-Putin.

    Prokurorët pretendojnë se pasi u largua nga BND-ja, Hanningu arriti të siguronte nga një punonjës me emrin Manfred D – i cili më parë kishte drejtuar zyrën e tij – “afërsisht dy mijë dokumente, shumë prej të cilave përmbanin informacion të klasifikuar”.

    Manfred D më pas shërbeu si shef kabineti i pasardhësve të Hanningut në postin e presidentit të BND-së – nga viti 2012 e deri në këtë vit. Gjatë pjesës më të madhe të asaj kohe, Manfred D dyshohet se përdorte qasjen që ia mundësonte pozita e tij për ta furnizuar Hanningun me dokumente kundrejt parave.

    Sa i përket asaj që Hanning supozohet se ka bërë me këtë informacion, prokurorët thonë se ai “përdori informacione të klasifikuara të inteligjencës” për të “hartuar një analizë për një oficer të një shërbimi të huaj të inteligjencës”. Ata pretendojnë gjithashtu se Hanningu ishte në “kontakt të ngushtë me një përfaqësues të një tjetër shërbimi të huaj të inteligjencës”.

    E gjithë kjo ngre pyetjen: nëse ndonjëra prej këtyre akuzave vërtetohet në gjykatë, sa i madh do të ishte dëmi? Përgjigjja mund të jetë se rrjedhjet e informacionit nga BND-ja mund të jenë më pak të dëmshme nga sa mund të mendonit. Pse? Për arsyen e thjeshtë se Gjermania ka një peshë shumë më të vogël nga ajo që i takon në botën e inteligjencës.

    Për shkak të trashëgimive të kobshme të Gestapos dhe Stasit të Gjermanisë Lindore, BND-ja duhet të veprojë brenda një rrjeti të dendur kufizimesh ligjore. Një ish-zyrtar i tha The Economist-it se shërbimit i ndalohet të hyjë me forcë në ambiente ose të vërë në shënjestër komunikimet e “priftërinjve, avokatëve, mjekëve apo gazetarëve”.

    Kjo e bën BND-në më pak një agjenci klasike të inteligjencës jashtë vendit dhe më shumë një institut studimor. Ajo përqendrohet tek analiza dhe jo tek ajo që spiunët e quajnë “grumbullim” – detyra themelore e rekrutimit dhe drejtimit të agjentëve për të vjedhur sekrete në vende të tjera.

    Çfarëdo informacioni që Hanningu mund të ketë marrë nga ish-kolegu i tij, ai ndoshta do të kishte njohuri të brendshme mbi mënyrën e të menduarit të vetë qeverisë gjermane dhe mbi opsionet politike që po shqyrtonin udhëheqësit e vendit.

    Por, në çdo demokraci me media të lira, qeveria e zhvillon të paktën pjesërisht në publik procesin e saj të të menduarit, që do të thotë se informacioni në fjalë mund të mos ketë qenë veçanërisht befasues apo i ndjeshëm.

    Prokurorët lënë të kuptohet po aq kur pretendojnë se Hanningu i kishte “kaluar informacion politik” një shërbimi të huaj të inteligjencës. Çdo gazetë gjermane boton çdo ditë informacion politik për qeverinë e vendit.

    A ndajnë shërbimet e tjera perëndimore sekrete me BND-në e cila mund të jenë komprometuar? Është e arsyeshme të supozohet se ato do të kenë qenë shumë të kujdesshme me atë që u tregonin homologëve të tyre gjermanë, pasi BND-ja ka një histori të gjatë dhe të turpshme infiltrimi prej agjencive armiqësore.

    Mes shumë rasteve gjatë Luftës së Ftohtë, kreu i kundërspiunazhit të BND-së, Heinz Felfe, doli se punonte për Bashkimin Sovjetik, ndërsa një analiste e lartë me emrin Gabriele Gast – e cila e informonte personalisht Helmut Kohlin, asokohe kancelar – spiunonte për Gjermaninë Lindore.

    Madje, në vitin 2023, The Telegraph zbuloi një trajner futbolli me emrin Carsten Linke si agjent të dyshuar rus brenda BND-së. Ai tani po gjykohet.

    Duke pasur parasysh këtë histori, duket e pamundur që ndonjë informacion veçanërisht i ndjeshëm nga agjencitë e NATO-s të ketë rënë në duart e Hanningut.

    Nuk ka as ndonjë tregues se në shërbim të cilave vende Hanningu supozohet të ketë qenë. Kandidatët e qartë do të ishin Rusia, Kina dhe Irani, ndërsa dy të fundit do të ishin më të mundshëm nëse Hanningu ishte vërtet i ashpër ndaj Rusisë.

    Kina ka një oreks të pangopur për informacion pothuajse të çdo lloji, qoftë i klasifikuar apo jo. Por, për këdo që Hanningu mund të ketë punuar ose mund të mos ketë punuar, Gjermania është një vend ku arrestimi i një ish-shefi të spiunazhit është më pak alarmues nga sa mund të mendoni. /Telegrafi/

  • Christa Pike zgjohet një javë pas injektimit vdekjeprurës, avokatët kërkojnë përgjigje

    Christa Pike zgjohet një javë pas injektimit vdekjeprurës, avokatët kërkojnë përgjigje

    Christa Pike, e dënuara me vdekje në SHBA, është zgjuar dhe po flet rreth një javë pasi mbijetoi ndaj një përpjekjeje për ekzekutimin e saj me injeksion vdekjeprurës. Ndërkohë, avokatët e saj po kërkojnë të zbardhin se çfarë shkoi keq gjatë procedurës.

    Pike, 50 vjeçe, iu administruan dy doza të pentobarbitalit më 30 shtator në një burg të Tennessee-t, por ajo nuk vdiq. Sipas avokatëve të saj, ajo besohet të jetë personi i vetëm që ka mbijetuar pasi i janë administruar barnat për një ekzekutim me injeksion vdekjeprurës.

    “Pavarësisht të gjitha gjasave, Christa Pike është e vetëdijshme, po flet dhe vazhdon të marrë kujdes intensiv mjekësor”, thanë avokatët e saj të martën.

    Ata shtuan se, pavarësisht dëmtimeve të rënda në krahë, Pike vazhdon të jetë e prangosur dhe e lidhur me zinxhirë në shtratin e spitalit.

    “Gjendja e saj e ardhshme mbetet e paqartë, por së paku presim një rikuperim të gjatë”, thanë avokatët, transmeton Telegrafi.

    Pike u dënua me vdekje për vrasjen në vitin 1995 të 19-vjeçares Colleen Slemmer, krim i kryer kur Pike ishte 18 vjeçe. Ekzekutimi i saj do ta kishte bërë atë gruan e parë të ekzekutuar nga shteti i Tennessee-t në më shumë se 200 vjet.

    Të mërkurën, avokatët e Pike pritet të dalin para një gjykate në Nashville, ku do të kërkojnë një urdhër që sistemi i burgjeve të ruajë provat e lidhura me ekzekutimin, përfshirë numrat e serive të barnave, gjilpërat dhe regjistrat e ekzekutimit.

    Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Tennessee-t tha se një urdhër i tillë nuk është i nevojshëm, pasi sistemi i burgjeve është i detyruar t’i ruajë këto prova edhe në raste të tjera dhe duhet të sigurojë që ato të mos zhduken.

    Ekspertët kanë ngritur si një nga mundësitë kryesore problemet me linjën intravenoze (IV), duke dyshuar se ilaçi mund të jetë grumbulluar në indet e krahut në vend se të hynte siç duhet në qarkullimin e gjakut.

    Në një dokument gjyqësor thuhet se të dy krahët e Pike ishin “të ënjtur, të djegur dhe me flluska” kur ajo mbërriti në spital.

    Guvernatori i Tennessee-t, Bill Lee, e cilësoi incidentin si “thellësisht shqetësues” dhe urdhëroi një hetim gjithëpërfshirës nga një palë e tretë.

    Ai ka pezulluar ekzekutimet në shtet deri në përfundimin e hetimit, ndërsa drejtuesi i sistemit të burgjeve ka dhënë dorëheqjen.

    Avokatët e Pike i kanë kërkuar sërish guvernatorit Lee që t’ia zbusë dënimin në burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, duke argumentuar se ajo duhet të mos përballet më me një tjetër përpjekje për ekzekutim. /Telegrafi/

  • Komuna e Podujevës shpall ankand për dhënien në shfrytëzim të 1,250 metra katrorë pronë në Orllan

    Komuna e Podujevës shpall ankand për dhënien në shfrytëzim të 1,250 metra katrorë pronë në Orllan

    Komuna e Podujevës ka njoftuar se ka shpallur ankand publik për dhënien në shfrytëzim të një prone të paluajtshme komunale në zonën kadastrale Orllan.

    Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 1,250 metrash katrorë, e destinuar për ndërtimin e një objekti hotelier me sipërfaqe prej 250 metrash katrorë, si dhe oborr dhe shtëpi-ndërtese.

    Prona do të jepet në shfrytëzim për një periudhë deri në 10 vjet, ndërsa çmimi fillestar është së paku 1 euro për metër katror në muaj.

    Të interesuarit mund të aplikojnë deri më 20 tetor 2026, në ora 16:00. Hapja e ofertave do të bëhet më 21 tetor 2026, në ora 10:00, në ndërtesën e Komunës së Podujevës, në katin e parë, në Sallën e Kuvendit.

    Njoftimi i plotë është publikuar në uebfaqen zyrtare të Komunës së Podujevës. /Telegrafi/

  • Haxhiu i uron mbarësi Shiroka-Pulës në detyrën e re si presidente e Kosovës

    Haxhiu i uron mbarësi Shiroka-Pulës në detyrën e re si presidente e Kosovës

    Haxhiu i uron mbarësi Shiroka-Pulës në detyrën e re si presidente e Kosovës

    Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka uruar akademiken Justina Shiroka-Pula me rastin e marrjes së detyrës së Presidentes së re të Republikës së Kosovës.

    Përmes një postimi, Haxhiu i ka dëshiruar presidentes së re mbarësi në ushtrimin e detyrës, në shërbim të vendit dhe qytetarëve, transmeton Klankosova.tv.

    “Uroj Presidenten e re të Republikës së Kosovës, akademiken Justina Shiroka Pula, dhe i dëshiroj shumë mbarësi në ushtrimin e detyrës së saj, në shërbim të vendit dhe të të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.

    Ajo ka vlerësuar se Kuvendi ka përmbyllur një proces të gjatë dhe të vështirë politik, duke arritur marrëveshje dhe duke gjetur zgjidhje institucionale.

    Haxhiu është shprehur gjithashtu për periudhën gjatë së cilës ka ushtruar detyrën e Presidentes, duke e cilësuar atë si një përgjegjësi të veçantë institucionale.

    “Për mua ka qenë një nder i veçantë të ushtroj detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës në një periudhë me përgjegjësi të mëdha institucionale. Këtë detyrë e kam ushtruar me respekt të plotë për institucionin dhe me përkushtim, duke u angazhuar që të ruhet vazhdimësia e funksionimit të shtetit deri në zgjedhjen e Presidentes së re”, ka deklaruar Haxhiu.