Blog

  • Jaguar synon rikthimin në tregun premium me Type 01

    Jaguar synon rikthimin në tregun premium me Type 01

    Jaguar ka prezantuar makinën e re elektrike Type 01, duke nisur një kapitull të ri për markën britanike pas ribrandimit të diskutueshëm të vitit 2024.

    Modeli i ri, i zbuluar në Nju Jork, pritet të ketë autonomi deri në 724 kilometra me një karikim.

    Prodhimi do të nisë në vitin 2027 në fabrikën e Jaguar Land Rover në Solihull të Britanisë së Madhe.

    Type 01 do të ketë një çmim fillestar prej 130 mijë paundësh, rreth 150 mijë euro, ndërsa porositë do të hapen në fillim të vitit të ardhshëm.

    Prezantimi vjen ndërsa JLR po përpiqet të rikuperohet pas një sulmi të madh kibernetik që ndërpreu prodhimin për disa javë dhe i shkaktoi humbje të mëdha financiare.

    Jaguar synon që me modelin e ri të rikthehet fuqishëm në tregun premium elektrik, pavarësisht konkurrencës në rritje nga prodhuesit kinezë. /Telegrafi/

  • Shi sot, mot i lagësht nesër – ja çfarë moti pritet të mbajë në Zvicër

    Shi sot, mot i lagësht nesër – ja çfarë moti pritet të mbajë në Zvicër

    Kohët e fundit në Zvicër ka pasur reshje të rralla shiu. Megjithatë, moti do të bëhet disi më i lagësht në të gjithë vendin në të ardhmen e afërt.

    Fronti i shiut do të fillojë të mërkurën në perëndim dhe në jug të vendit dhe do të lëvizë drejt lindjes në ditët në vijim.Toka të thata dhe nivele të ulëta uji në lumenj dhe liqene.

    Efektet e mungesës së shiut në muajt e fundit janë qartë të dukshme në të gjithë Zvicrën, raporton Blick.

    Megjithatë, tani, të paktën një kthesë afatshkurtër duket se është në horizont. Një brez shiu po i afrohet Zvicrës. Shiu pritet të mbërrijë në Ticino dhe Zvicrën perëndimore që të mërkurën pasdite, sipas të dhënave nga Meteo News.

    Megjithatë, Zvicra lindore do të mbetet me diell të mërkurën me temperatura që arrijnë deri në 25 gradë Celsius.

    Ndryshimi i motit dhe rënia e temperaturës

    Të enjten, fronti i shiut pritet të intensifikohet ndjeshëm. Moti i lagësht do të fillojë përsëri në Zvicrën perëndimore në mëngjes. Gjatë ditës, retë e shiut pritet të lëvizin në të gjithë vendin, duke sjellë reshje.

    Sipas Meteo News, shirat më të dendur priten përgjatë Alpeve dhe në male. Ndryshimi i motit do të sjellë gjithashtu një rënie të ndjeshme të temperaturës gjatë ditës. Nuk ka gjasa që temperatura të rritet nën 15 gradë Celsius të enjten. Borë është e mundur edhe në mbrëmje mbi 1800 metra.

    Shiu jetëshkurtër

    A do të sjellë kjo periudhë shiu ndonjë lehtësim nga thatësira e vazhdueshme? Nuk duket e mundshme. Sipas parashikimit tetëditor, shiu do të qetësohet përsëri deri në fundjavë, më së voni.

    Nga e diela e tutje, pritet mot kryesisht me diell. Megjithatë, këto parashikime janë ende të pasigurta dhe mund të ndryshojnë në çdo kohë./Telegrafi/

  • Pesë minuta para mesnatës – marrëveshja që shmangu zgjedhjet dhe solli gruan e tretë në krye të Kosovës

    Pesë minuta para mesnatës – marrëveshja që shmangu zgjedhjet dhe solli gruan e tretë në krye të Kosovës

    Kosova kaloi njërën nga sfidat më të rëndësishme të krizës politike të viteve të fundit. Vendi ishte afër një situate të paqartë, me tensione të brendshme, pasiguri për të ardhmen politike dhe, mbi të gjitha, me një gjuhë polarizuese dhe të rrezikshme, në rast se vendi do të shkonte në zgjedhje të reja.

    Pasojat politike

    Marrëveshja në momentet e fundit ndërmjet Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në njërën anë, dhe Bedri Hamzës e Partisë Demokratike të Kosovës, në anën tjetër, për të votuar fillimisht Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe më pas zgjedhjen e Presidentes, ishte ndër vendimet më të rëndësishme të viteve të fundit.

    Shkuarja në zgjedhje pa miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, me protesta dhe tensione para Kuvendit e Qeverisë, si dhe me paqartësi rreth asaj se kush do ta ushtronte detyrën e presidentit të Kosovës, mund ta mbante vendin në tension edhe më të madh, me pasoja politike, ekonomike dhe për imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Mbi të gjitha, një situatë e tillë do të sillte edhe zhgënjim të madh te qytetarët, duke krijuar përshtypjen se klasa politike është e papërgjegjshme dhe e paaftë për kompromis.

    Një tjetër element i rëndësishëm ishte mënyra se si gjithçka ndodhi me nguti, në pesë minutat e fundit para mesnatës. Kjo të kujton mënyrën se si u miratuan me shpejtësi ligjet e Pakos së Ahtisaarit, në fillim të vitit 2008, para shpalljes së pavarësisë.

    Pasojat ekonomike

    Nëse vendi do të shkonte sërish në zgjedhje, në rrezik do të viheshin edhe fondet e rëndësishme nga Plani i Rritjes. Plot 131.4 milionë euro, të lidhura me 22 hapa të këtij plani, kanë afat përfundimtar 31 dhjetorin e këtij viti. Pa një Kuvend funksional dhe pa një Qeveri me kapacitet të plotë, Kosova rrezikonte të humbiste afro 90 milionë euro.

    Për këtë arsye, moszgjedhja e presidentit mund ta vinte në rrezik zbatimin e një pjese të madhe të reformave që lidhen me Planin e Rritjes.

    Vendi do të përballej edhe me mungesë të projekteve madhore, rrezikim të buxhetit dhe vonesa në projekte të mëdha që nuk do të mund të zbatoheshin. Po ashtu, në një periudhë me tensione, trazira dhe pasiguri politike, do të ishte vështirë të pritej ndonjë investim i madh.

    Në anën tjetër, e rëndësishme ishte edhe fakti që partitë politike, në këtë rast LVV-ja dhe PDK-ja, arritën marrëveshje pa ndonjë këshillë apo ndërhyrje ndërkombëtare. Kjo tregon se Kosova mundet, por duhet të jetë më e qartë dhe më e përgjegjshme në vendimmarrjen politike.

    Presidentja e re e Kosovës

    Justina Pula Shiroka, mbi të gjitha, vjen nga fusha akademike e Kosovës dhe është gruaja e tretë në krye të shtetit, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit.

    Presidentët e tjerë të Kosovës, para dhe pas pavarësisë, kanë qenë presidenti historik Ibrahim Rugova, më pas Fatmir Sejdiu, për një periudhë të shkurtër Behgjet Pacolli, pastaj Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi dhe së fundi Vjosa Osmani.

    Tani, Pula Shiroka, e cila vjen edhe nga fusha akademike, pritet ta ruajë ekuilibrin institucional, për të cilin në Kosovë është diskutuar shumë kohëve të fundit, si dhe të merret me tema të rëndësishme, përfshirë mbrojtjen e UÇK-së në fazën e apelit në Dhomat e Specializuara.

    Ndryshe, Shiroka-Pula është ekonomiste, ndërsa së fundmi ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).

    Ajo ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë. Shkollën fillore dhe të mesme i ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

    Profesoresha shumëvjeçare e Menaxhmentit është anëtare e ASHAK-ut që nga viti 2016.

    Akademike Shiroka-Pula ka qenë pjesë e stafit akademik të Fakultetit Ekonomik që nga viti 1979. Në këtë fakultet ajo ka përfunduar studimet themelore dhe ato të doktoraturës, ndërsa studimet pasuniversitare i ka kryer në Universitetin e Zagrebit.

    Gjatë karrierës së saj akademike, ajo ka publikuar dhjetëra punime shkencore, libra dhe kumtesa në fushën e ekonomisë dhe menaxhmentit, thuhet në dokumente publike nga Fakulteti Ekonomik.

    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, si institucioni më i lartë i dijes në vend, për herë të parë në historinë e saj kishte një grua në krye. Akademikja Justina Shiroka-Pula e pasoi në këtë pozitë akademikun Mehmet Kraja.

    Përveç karrierës akademike, ajo ka pasur edhe angazhim në institucionet publike. Gjatë viteve 2008–2011 ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës.

    Në vitet 2011–2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së./Telegrafi/.

  • “Më i miri i të gjitha kohërave iku”, Scaloni emocionon me fjalët e tij pas lamtumirës së Messit

    “Më i miri i të gjitha kohërave iku”, Scaloni emocionon me fjalët e tij pas lamtumirës së Messit

    Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka folur me emocione të mëdha për trashëgiminë e Lionel Messit, pas lamtumirës së kapitenit legjendar nga kombëtarja, ndërsa ka treguar edhe se si do të duket skuadra pas epokës së tij.

    Scaloni ka pranuar se asnjëherë nuk e kishte imagjinuar se do të kishte mundësinë ta drejtonte Messin, të cilin e konsideron futbollistin më të mirë në histori.

    “Asnjëherë në jetën time nuk e kam imagjinuar se do ta trajnoja atë, futbollistin më të mirë në histori. Të stërvitje Messin ishte një ëndërr e bërë realitet. Jam mirënjohës për mundësinë që pata të jem me të dhe do të jetë e dhimbshme të mos e shoh më. Lotët vijnë sepse në mendjen time po kalojnë shumë gjëra”, deklaroi Scaloni.

    “Ai na lë një trashëgimi të jashtëzakonshme. Kjo histori do të vazhdojë, por ai është i pazëvendësueshëm. Tani duhet të vazhdojmë pa të. Do të jetë e vështirë, sepse ajo që kemi përjetuar gjatë këtyre viteve nuk është diçka normale”, tha 48-vjeçari.

    Scaloni beson se Argjentina ka lojtarë të rinj me potencial, por theksoi se askush nuk mund të bëjë atë që bënte Messi në fushë.

    “Jemi të aftë ta përballojmë këtë situatë dhe kemi disa lojtarë të rinj shumë të mirë. Kam luajtur me futbollistë të mëdhenj dhe kam parë shumë prej tyre, por atë që ai sjell në lojë nuk e kam parë te askush tjetër. Ai është i pakrahasueshëm, një alien. Më i miri i të gjitha kohërave është larguar”, shtoi Scaloni.

    Përzgjedhësi zbuloi gjithashtu se lamtumira e Messit kishte prekur emocionalisht të gjithë grupin, pasi bashkëlojtarët e tij dëshironin që ai ta mbyllte aventurën me kombëtaren në mënyrën më të mirë të mundshme.

    “Bashkëlojtarët e mi ishin nervozë sot. Ata donin që Leo të largohej në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë, edhe lojtarët më të mëdhenj, e shohin atë në të njëjtën mënyrë dhe donin që gjithçka të shkonte mirë. Të gjithë kanë folur me të që nga e diela, kështu që nuk ishte e lehtë për askënd”, tregoi ai.

    “Kanë ardhur lojtarë të rinj, të cilët sjellin një këndvështrim të ri dhe na mundësojnë të luajmë më shumë në krahë, diçka që nuk e kishim më parë. Po përpiqemi t’i integrojmë dhe të shohim se si kombinohen me njëri-tjetrin. Të gjithë duhet të japin kontributin e tyre”, u shpreh Scaloni.

    “E vetmja mënyrë për ta kompensuar mungesën e Messit do të jetë të luajmë mirë si ekip. Për momentin nuk kemi atë lojtar që mund të bëjë ndryshimin, që mund ta ndryshojë rrjedhën e një ndeshjeje në një çast, që mund ta përmbysë gjithçka në një ditë të keqe me një moment magjie”, tha ai.

    “Ka disa lojtarë shumë të mirë, por asnjë si ai. Nuk do të ketë kurrë një tjetër lojtar si Messi. Duhet të jemi mirënjohës për gjithçka që na dha”.

    “Nëse gjithçka shkon mirë, do të vazhdoj si trajner, por është e pabesueshme të shohësh një tjetër lojtar si ai, i cili në moshën 39-vjeçare lë pas një trashëgimi kaq të jashtëzakonshme. Ai e meritonte këtë, një natë të tillë”, përfundoi Scaloni./Telegrafi/

  • Pozheran: Identifikohet shoferi që voziti 135 km/h në zonën me kufizim 40 km/h

    Pozheran: Identifikohet shoferi që voziti 135 km/h në zonën me kufizim 40 km/h

    Pozheran: Identifikohet shoferi që voziti 135 km/h në zonën me kufizim 40 km/h

    Zyrtarët policorë të Nënstacionit Policor në Pozheran nga Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, kanë identifikuar një person i cili shihet në një video-incizim të publikuar në rrjetet sociale duke drejtuar automjetin e tij në një zonë ku me shenjë të trafikut shpejtësia e lëvizjes është e kufizuar në 40 km/h, ndërsa automjeti po lëvizte me shpejtësi prej 135 km/h.

    Sipas njoftimit të Policisë, ndaj të njëjtit në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi janë ndërmarrë masat përkatëse ligjore duke i shqiptuar gjobë në vlerë prej 400 euro, katër pikë negative si dhe masën mbrojtëse të ndalimit të përkohshëm të drejtimit të mjeteve motorike në afat prej 9 muajsh.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e trafikut, “pasi tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe mos respektimi i rregullave të trafikut rrezikon drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik”. /Klankosova.tv

  • 72-vjeçarja gjendet pa shenja jete në Zym të Prizrenit, dyshohet se ra nga ballkoni

    72-vjeçarja gjendet pa shenja jete në Zym të Prizrenit, dyshohet se ra nga ballkoni

    72-vjeçarja gjendet pa shenja jete në Zym të Prizrenit, dyshohet se ra nga ballkoni

    Një grua 72-vjeçare është gjetur pa shenja jete të martën në shtëpinë e saj në fshatin Zym të Prizrenit.

    Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    Sipas tij, për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Hetim i vdekjes”. Nga hetimet fillestare, dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e një rasti aksidental, pasi viktima dyshohet se ka rënë nga ballkoni i shtëpisë së saj.

    Rasti është raportuar në Polici rreth orës 12:38, pasi Qendra Emergjente ka njoftuar për një person të gjinisë femërore që ishte gjetur pa shenja jete.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia policore, hetuesi kujdestar dhe njësia e kriminalistikës, ndërsa rastin e kanë trajtuar edhe hetuesit rajonalë.

  • Besimi në mrekulli

    Besimi në mrekulli

    Besimi në mrekulli

    Shkruan: Blerim Shala

    Mrekullitë janë ende të mundshme.

    Në Kosovë së paku. Në politikën e saj.

    Ai definicioni më i qëndrueshëm i mrekullisë njeh një ngjarje (si të tillë) e cila është e pamundur në teori.

    Pra, çka nuk është e mundshme as në imagjinatë, vjen e bëhet realitet.

    Kështu disi.

    Pas gati dy vitesh rraskapitje politike dhe shoqërore, pas testimit të sistemit politik dhe shtetëror që njohu tri palë zgjedhje të përgjithshme, pas gjithë atyre llafeve të pafundme televizive, mbërritëm të gjithë së bashku në mesnatën e 6 dhe 7 tetorit, kur për fare pak kohë, Kuvendi i Kosovës, me një votë mbresëlënëse, votoi në leximin e dytë ndryshimet në Ligjin për dhomat e specializuara në Hagë, dhe për më shumë, zgjodhi Justina Shiroka-Pulën Presidente të Kosovës.

    Kush do ta besonte që kjo do të ndodhë pas gjithë asaj rrëmuje të hënën në mbrëmje në sheshet e Prishtinës, pas krejt asaj ecjeje të zbrazët gjatë thuaja gjithë ditës së martë, pas përplasjeve të gjitha llojeve?

    Mbase të gjithë ne ishim të bindur që këtë të mërkurë, me 7 tetor, do të zgjohemi në një Kosovë me Kuvend të shpërndarë, pa President, me një Qeveri në detyrë, dhe me zgjedhje të reja parlamentare të cilat do të duhej të mbaheshin kah gjysma e nëntorit.

    Teksa në të vërtetë, po del që ishim fare të gabuar, apo që megjithatë, ky mëngjes (më në fund), na zuri me pushtet të konsoliduar qendror, me Kuvend, Qeveri dhe President.

    Rendi është që tash e tutje, në këtë skenën politike kosovare e cila u shqua me çorodi të gjitha llojeve në dy vitet e fundit, të nisin të zhvillohen procese që shquajnë një normalitet politik, një stabilitet shoqëror, dhe mbi të gjitha, kthim të besimit të qytetarëve të Kosovës në shtetin e tyre, i cili ka pësuar një gërryerje serioze për shkaqe të njohura për të gjithë.

    Realisht, në këto ditë, ishim një hap larg humnerës. As më pak dhe as më shumë.

    Tani, u larguam disa hapa prej saj, por humnera është ende atypari. Të mos mashtrohemi.

    S’ka dyshim që ai hapi i madh, gjithsesi kapital, ndodhi mbrëmë.

    Ai e ka domethënien e kthimit në binarë. Por çka do të ndodhë tash e tutje, si do të ecin në të ardhmen e afërt proceset kryesore politike në Kosovë dhe rreth saj, në raportet e saj me Botën, kjo do të kuptohet në javët dhe muajt në vijim.

    Diçka e paparë për vite me radhë ndodhi mbrëmë, duke u bërë bashkë politikanët dhe deputetët e pushtetit dhe të opozitës, një herë rreth mbrojtjes së luftës së UÇK-së, pastaj, rreth Presidentes së Kosovës.

    Do të ishte iluzion të krijohet (menjëherë) bindja tek ne që tash e tutje do të forcohet ky bashkëpunim në mes të pushtetit dhe opozitës.

    Megjithatë, një partneritet i këtillë politik është gjithsesi i domosdoshëm në çështjen e jetësimit të Ligjit të ri për dhomat e specializuara, në krijimin (mbase), e një Task Force të përbashkët e cila do të merret me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve politike dhe diplomatike për ta fituar betejën e madhe në Gjykatën e Apelit në Hagë, pastaj, në temat e interesit nacional të cilat fare lehtë mund të specifikohen, prej thuaja akëcilit politikan dhe qytetar të Kosovës.

    Më në fund, kësaj politike të Kosovës dhe gjithë shoqërisë kosovare, i duhen më shumë se gjithçka dalja nga kjo epokë e polarizimit të skajshëm, e cila realisht, po na plandosë për toke të gjithëve.

    Nuk na duhet gjë gjithë ky polarizim i rrezikshëm, gjithë ky mosdurim, gjithë ky mllef ndaj njeri-tjetrit.

    Na duhet shërimi. I cili realisht, vështirë që mund të ndodhë.

    Por kush e di. Tash na është kthyer besimi në mrekulli.

  • Oda Amerikane mirëpret kompletimin e arkitekturës institucionale të Kosovës

    Oda Amerikane mirëpret kompletimin e arkitekturës institucionale të Kosovës

    Oda Amerikane mirëpret kompletimin e arkitekturës institucionale të Kosovës

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur kompletimin e arkitekturës institucionale të Republikës së Kosovës, përmes zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente të Republikës.

    Në reagimin e Odës thuhet se me institucionet e Kosovës tashmë plotësisht të konstituuara, fokusi duhet të drejtohet fuqishëm drejt prioriteteve ekonomike dhe strategjike të vendit.

    Oda Amerikane pos tjerash bëri thirrje për një dinamikë të re në reformat e qeverisjes ekonomike, përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes dhe investimeve, fuqizimin e sundimit të ligjit, si dhe ndërmarrjen e masave që rrisin konkurrueshmërinë dhe mundësojnë rritje të qëndrueshme ekonomike, transmeton Klankosova.tv.

    “Funksionaliteti i plotë institucional duhet gjithashtu t’i japë shtysë të re përshpejtimit të integrimit euroatlantik të Kosovës dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë strategjikë. Oda Amerikane mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet e vendit në avancimin e reformave, fuqizimin e sektorit privat dhe kontributin për prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • Meta nga qelia uron Shiroka-Pulën për zgjedhjen Presidente të Kosovës

    Meta nga qelia uron Shiroka-Pulën për zgjedhjen Presidente të Kosovës

    Meta nga qelia uron Shiroka-Pulën për zgjedhjen Presidente të Kosovës

    Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.

    Përmes një postimi në Facebook, Meta, i cili ndodhet në burg, i ka përcjellë “urimet më të përzemërta” Shiroka-Pulës, duke e cilësuar zgjedhjen e saj një detyrë të rëndësishme, transmeton Klankosova.tv.

    Ai ka përgëzuar gjithashtu deputetët e Kuvendit të Kosovës për atë që e ka cilësuar si “pjekuri dhe përgjegjshmëri të lartë politike” në kapërcimin e situatës sfiduese.

    “Urimet më të përzemërta Prof. Justina Shiroka-Pula, akademikes së mirënjohur, për zgjedhjen në detyrën e rëndësishme të Presidentes së Kosovës”, ka shkruar Meta.

    Meta ka theksuar se forcimi i institucioneve të Kosovës është në dobi të qytetarëve, stabilitetit demokratik dhe të ardhmes evropiane të vendit./Klankosova.tv

  • Çështja i kalon Prokurorisë - Adrian Hila shkatërroi hard-diskun e kamerës që regjistroi pamjet

    Çështja i kalon Prokurorisë – Adrian Hila shkatërroi hard-diskun e kamerës që regjistroi pamjet

    Është hedhur shorti në Prokurorinë e Tiranës për dosjen e video skandalit të kompozitorit Adi Hila.

    Sipas informacioneve të bëra me dije nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, çështja do të hetohet nga prokurori Julian Xhengo.

    Sipas Hoxhës, në kuadër të kësaj çështjeje janë depozituar dy kallëzime në polici.

    Hila ka bërë kallëzim me pretendimin se është hakeruar, ndërsa kallëzim ka bërë edhe këngëtarja Eli Fara, me pretendimin për shkelje të privatësisë.

    Mbi bazën e këtyre dy kallëzimeve, çështja lidhet me disa vepra penale, konkretisht hyrjen e paautorizuar kompjuterike, sipas kallëzimit të Hilës, si dhe përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike, sipas kallëzimit të Eli Farës.

    Ditën e djeshme vetë aktorja Monika Lubonja ka bërë me dije se ka ngritur kallëzim penal ndaj Adi Hilës.

    Por, sipas informacioneve të bëra publike nga Anila Hoxha, Prokuroria ka shtuar në hetim edhe një vepër tjetër penale, atë të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.Kjo lidhet me një veprim të kryer gjatë hetimeve paraprake.

    Sipas informacionit, policia ka tentuar të shikojë hard-diskun, por pasi e ka sekuestruar, ka konstatuar se prova ishte e dëmtuar.

    Për këtë rrethanë, Hila ka deklaruar se e kishte shkatërruar vetë hard-diskun.

    Sipas tij, arsyeja ishte se nuk ishte i sigurt se nga vinte ndërhyrja dhe kishte frikë se mund të ndërhynin sërish dhe të merrnin të dhëna në distancë.

    Tashmë, pas hedhjes së shortit, hetimi i çështjes do të ndiqet nga prokurori Julian Xhengo në Prokurorinë e Tiranës.

    Kjo e fundit pas dokumentimit të çështjes, brenda pak orësh pritet t’ia lërë dosjen sërish policisë në dorë, duke i deleguar edhe detyrat përkatëse që ndihmojnë në hetimin e plotë të ngjarjes./TopChannel