Blog

  • Kushtrim Kelani thotë se 200 veta i shkuan pa ftuar në dasmë

    Kushtrim Kelani thotë se 200 veta i shkuan pa ftuar në dasmë

    Kushtrim Kelani dhe Aurora Rrusta kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë, në një ceremoni madhështore ku të pranishëm ishin familjarë, miq dhe shumë figura publike.

    Pas dasmës, Kushtrimi ka folur për “Prive By Liberta Spahiu”, duke treguar se është ndier jashtëzakonisht mirë gjatë kësaj dite dhe se atmosfera në dasmë kishte qenë pikërisht ashtu siç e kishin dëshiruar.

    Ai ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e ceremonisë, ndërsa ka treguar edhe për periudhën e përgatitjeve, e cila, pavarësisht angazhimeve, duket se nuk ka sjellë shumë stres për çiftin.

    Kushtrimi tha se njerëzit e afërt ua kishin lehtësuar shumë punën gjatë organizimit, ndërsa për stresin e përgatitjeve u shpreh me humor: “Normal stres kemi pas, po minimal”.

    I pyetur për të ftuarit, ai zbuloi se numri i personave që morën pjesë në dasmë ishte më i madh sesa lista fillestare e të ftuarve.

    “Ata që kemi dashtë me kanë të ftuar, ndryshe kanë ardh edhe 200 vetë që s’kanë qenë të ftuar”, tha ai, duke e treguar këtë situatë me sportivitet.

    Megjithatë, prania e të ftuarve shtesë nuk duket se ka shkaktuar probleme në organizim, pasi restoranti kishte kapacitetin për të përballuar edhe numrin më të madh të të pranishmëve.

    Për Kushtrimin, ajo që kishte më shumë rëndësi ishte që njerëzit e tyre të dashur të ishin pjesë e këtij momenti të rëndësishëm dhe që atmosfera e krijuar gjatë mbrëmjes të ishte në përputhje me atë që ai dhe Aurora kishin ëndërruar për ditën e tyre të veçantë.

    Çifti tashmë ka nisur një kapitull të ri së bashku, pas një feste ku, përveç familjarëve dhe miqve, morën pjesë edhe emra të njohur të jetës publike. /Telegrafi/

    – YouTube youtu.be

  • BE-ja drejt zgjerimit, Komisioni propozon ndryshime të mëdha

    BE-ja drejt zgjerimit, Komisioni propozon ndryshime të mëdha

    Komisioni Evropian ka propozuar reforma të rëndësishme në mënyrën se si funksionon Bashkimi Evropian, përfshirë zvogëlimin e numrit të komisionerëve dhe kufizimin e vendimmarrjes me unanimitet, me synimin për ta përgatitur BE-në për një zgjerim me 30 ose më shumë shtete anëtare.

    Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tha se vlerësimi i Komisionit tregon se BE-ja është kryesisht e gatshme për zgjerim të ardhshëm.

    “Pyetja kryesore ka qenë nëse BE-ja është e përshtatshme për një zgjerim tjetër. Përgjigjja është e qartë: po, një zgjerim i ardhshëm është i mundur”, tha Kos.

    Më pak vendime me unanimitet

    Komisioni propozon identifikimin e fushave ku mund të përdoren të ashtuquajturat klauzola passerelle, të cilat mundësojnë kalimin nga vendimmarrja me unanimitet në votimin me shumicë të cilësuar.

    Megjithatë, aktivizimi i këtyre klauzolave kërkon vetë unanimitet, raporton euronews.

    Kos tha se Komisioni dëshiron që vendimmarrja të bëhet më efikase dhe që shumica e cilësuar të përdoret më shpesh, veçanërisht në procesin e anëtarësimit të vendeve kandidate.

    Aktualisht, unanimiteti kërkohet për t’i dhënë një vendi statusin e kandidatit dhe për të përfunduar negociatat. Ndërkohë, në fazat ndërmjetëse, secili shtet anëtar mund të vendosë veto në rreth 150 hapa të procesit.

    Komisioni propozon gjithashtu përdorimin më të madh të bashkëpunimit të zgjeruar, që u mundëson të paktën nëntë vendeve anëtare të thellojnë integrimin në fusha të caktuara kur nuk arrihet marrëveshje në nivelin e gjithë BE-së.

    Jo më nga një komisioner për çdo shtet

    Një tjetër propozim i rëndësishëm është heqja e parimit që çdo shtet anëtar të ketë një komisioner të përhershëm në Komisionin Evropian.

    Sipas Traktatit të Lisbonës, Komisioni do të duhej të kishte një numër anëtarësh të barabartë me dy të tretat e numrit të shteteve anëtare, të zgjedhur përmes një sistemi rotacioni. Megjithatë, ky sistem nuk është zbatuar dhe që nga viti 2013 çdo shtet anëtar vazhdon të ketë nga një komisioner.

    Ky propozim mund të hasë në kundërshtime, veçanërisht nga shtetet më të vogla, të cilat shqetësohen se zëri i tyre në Bruksel mund të dobësohet. Edhe shtetet e mëdha, si Franca dhe Gjermania, mund të mbeten jashtë Komisionit në një sistem rotacioni.

    Kryeqytetet skeptike

    Propozimet që lidhen kryesisht me vendet kandidate, si masat mbrojtëse kundër largimit nga standardet demokratike dhe integrimi gradual, pritet të hasin më pak rezistencë.

    Megjithatë, katër diplomatë të BE-së i thanë Euronews-it në kushte anonimiteti se reformat e brendshme të propozuara nga Komisioni nuk kanë gjasa të marrin mbështetje të gjerë nga shtetet anëtare.

    Testi i parë politik për këto propozime pritet të jetë javën e ardhshme, kur reformat për zgjerimin do të diskutohen nga liderët e BE-së në Këshillin Evropian, më 15 dhe 16 tetor. /Telegrafi/

  • Haradinajt: Të gjithë në shesh, kërkojmë votimin e Ligjit për Specialen

    Haradinajt: Të gjithë në shesh, kërkojmë votimin e Ligjit për Specialen

    Daut Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës në shesh, e cila ka në fokus kërkesën për miratimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës ka thënë se kanë mbetur vetëm edhe pak orë në dispozicion për miratimin e këtij ligji, duke u bërë thirrje deputetëve që ta votojnë atë në lexim të dytë.

    Haradinaj, përmes një adresimi në rrjetin social Facebook, ka kërkuar nga qytetarët që t’i bashkohen protestës dhe të përcjellin një kërkesë të përbashkët për deputetët e Kuvendit.

    “Ju ftoj të gjithëve në shesh që të bashkoheni me thirrjen e vetme për të gjithë deputetët që ta votojnë Ligjin për Specialen në lexim të dytë dhe në rast se shkohet në zgjedhje, për dinjitetin e atyre që kanë luftuar dhe për nderin dhe respektin e luftës tonë dhe për nderin e bashkëluftëtarëve në Hagë, ta kryejmë këtë detyrë”, ka deklaruar Haradinaj.

    Ai ka theksuar se, sipas tij, ende ka kohë që çështja të përmbyllet, duke e cilësuar miratimin e ligjit si çështje procedurale.

    “Nuk është vonë, i kemi edhe katër orë. Mund ta zgjedhim bashkërisht. Është çështje krejt procedurale. T’i kthejmë bashkëluftëtarët tanë në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

    Thirrja e tij vjen në kohën kur në shesh po zhvillohet protesta me kërkesën për miratimin e Ligjit për Gjykatën Speciale./Telegrafi.

  • Kurti i bën ofertë të re PDK-së: Specialja në lexim të dytë, pastaj presidenti

    Kurti i bën ofertë të re PDK-së: Specialja në lexim të dytë, pastaj presidenti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një propozim të ri për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në përpjekje për të tejkaluar krizën institucionale.

    Në një konferencë për media, Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme që fillimisht të votojë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, nëse PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit.

    “Partia Demokratike e Kosovës (PDK) refuzoi ofertën tonë që ta mbështesim profesor Bekim Sejdiun. E unë besoj që në rast të përgjigjes së tyre pozitive, profesor Bekimi do të rikthehej. Përveç tij, natyrisht i kemi edhe dy emra të cilët në këtë vit i kemi prezantuar si kandidatë për president: Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, e të cilët po ashtu janë aktualë nëse ka interesim nga opozita”, tha ai.

    Kurti ka thënë se LVV-ja ka dy emra që mund të propozohen për president: kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ish-deputeten e PDK-së, Feride Rushiti.

    “Glauk Konjufca apo Feride Rushiti, nëse do opozita”, ka deklaruar Kurti.

    Ai ka propozuar që Kuvendi të mblidhet në një seancë me dy pika të rendit të ditës.

    “Pra, le të bëjmë sonte një seancë Kuvendi me dy pika: votimi i projektligjit të dytë për Specialen dhe zgjedhja e presidentit”, ka thënë Kurti.

    Sipas tij, lideri i PDK-së, Bedri Hamza, duhet të japë zotimin se deputetët e PDK-së do të marrin pjesë në votimin për presidentin.

    “Le të dalë dhe të zotohet Hamza se deputetët e LVV-së votojnë njërin nga këto propozime”, ka thënë Kurti.

    Propozimi vjen në një kohë kur partitë politike po përballen me afatin për zgjedhjen e presidentit dhe paralajmërimet për zgjedhje të reja në rast të dështimit të procesit.

  • Eksperti ngre alarmin: Llogari të rreme me emra shqiptarë nxisnin dhunë, fushatë e koordinuar me elemente serbo-ruse

    Eksperti ngre alarmin: Llogari të rreme me emra shqiptarë nxisnin dhunë, fushatë e koordinuar me elemente serbo-ruse

    Thirrjet për dhunë dhe përplasje politike në rrjetet sociale janë shtuar ditëve të fundit, ndërsa në Facebook janë identifikuar një numër llogarish që kanë shpërndarë në mënyrë të përsëritur mesazhe nxitëse kundër institucioneve, deputetëve, protestuesve dhe gazetarëve.

    Sipas një hulumtimi të ekspertit të sigurisë kibernetike, Halil Berisha, disa prej këtyre llogarive kanë vepruar në mënyrë të koordinuar, duke publikuar komente të njëjta ose shumë të ngjashme në postimet e mediave dhe subjekteve politike.

    Berisha thotë se llogaritë përdornin emra shqiptarë, por në Facebook ishin të regjistruara si faqe me kategorinë “Musician/Band”. Në përmbajtjet e tyre, sipas tij, janë shfaqur thirrje për djegie institucionesh, përplasje fizike dhe ndëshkim të kundërshtarëve politikë.

    Sipas Berishës, intensifikimi i këtyre mesazheve është vërejtur me afrimin e vendimit të 16 shtatorit dhe zhvillimeve që lidhen me Gjykatën Speciale.

    Ai vlerëson se mënyra e përsëritur e publikimit të përmbajtjeve dhe ngjashmëria mes mesazheve paraqesin elemente të një fushate të koordinuar.

    Berisha e ka krahasuar këtë model me taktika të përdorura në operacione të njohura të ndikimit rus. Megjithatë, kjo lidhje nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur nga Radio Evropa e Lirë.

    “Thirrjet për dhunë nuk janë vetëm ndaj njërës palë, por drejtohen ndaj të gjithëve, në mënyrë që të krijohet përplasje në rrjete sociale dhe, rrjedhimisht, të nxitet dhuna”, ka deklaruar Berisha për REL-in.

    Pas publikimit të hulumtimit, sipas Berishës, disa prej profileve të identifikuara janë mbyllur, ndërsa disa të tjera kanë ndryshuar emrat dhe identitetin e tyre në Facebook.

    Sipas tij, dy profile që kishin publikuar thirrje për djegie dhe paralajmërime për “luftë civile” janë mbyllur. Berisha e sheh ndryshimin e identitetit dhe mbylljen e profileve si një tregues shtesë se ato nuk kanë funksionuar në mënyrë autentike.

    Eksperti thotë se ditëve të fundit është vërejtur një rritje e dukshme e përmbajtjeve që nxisin dhunë, duke filluar nga thirrjet për djegie institucionesh dhe sulme fizike, deri te kërcënimet për vrasje.

    Megjithatë, jo të gjitha këto përmbajtje mund të karakterizohen automatikisht si pjesë e një fushate të koordinuar.

    Dema vlerëson se deri në këtë fazë nuk do të ishte e saktë që të gjitha rastet të klasifikohen si pjesë e një operacioni të përbashkët.

    “Ajo që mund të themi është se shohim sjellje të ngjashme dhe narrativa që përsëriten, ndërsa një pjesë e tyre më pas amplifikohen nga përdorues të tjerë”, ka thënë Dema.

    Rritja e këtyre përmbajtjeve në rrjetet sociale vjen në një periudhë të tensionuar politike, ku zhvillimet institucionale dhe çështjet që lidhen me Gjykatën Speciale kanë nxitur reagime të shumta publike dhe debate në Kosovë.

  • Protagoniste në videot intime të Adi Hilës, reagon për herë të parë Monika Lubonja: Nuk turpërohem për dashurinë, më dhemb që më është thyer besimi

    Protagoniste në videot intime të Adi Hilës, reagon për herë të parë Monika Lubonja: Nuk turpërohem për dashurinë, më dhemb që më është thyer besimi

    Monika Lubonja ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me ngjarjen që ditët e fundit ka marrë vëmendje të madhe në opinionin publik, pas publikimit online të disa materialeve intime ku ajo shfaqet me kompozitorin Adrian Hila.

    Aktorja ka publikuar në llogarinë e saj zyrtare në Instagram një kopje të kallëzimit penal që thotë se ka ngritur ndaj kompozitorit, ndërsa përmes një shkrimi të gjatë ka dhënë edhe versionin e saj për ngjarjen dhe u është drejtuar mediave dhe opinionit publik.

    Lubonja thotë se është ndier e lënduar nga shkelja e privatësisë dhe besimit, ndërsa thekson se nuk ka pasur dijeni për regjistrimin e materialeve dhe nuk ka dhënë pëlqimin që ato të publikoheshin apo shpërndaheshin.

    “Ju drejtohem sot me dhimbjen e një gruaje së cilës i është shkelur besimi dhe privatësia, por edhe me vendosmërinë për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e saj”, shkruan aktorja.

    Ajo kërkon që të ndalet ajo që e cilëson si “baltosje” ndaj saj në emër të një morali kolektiv, duke thënë se nuk ndihet e turpëruar për ndjenjat dhe besimin që ka dhënë në një marrëdhënie.

    “Dinjiteti i një njeriu ndërtohet gjatë gjithë jetës dhe nuk mund të zhbëhet nga tradhtia e dikujt të cilit i fala disa vite të jetës sime”, shprehet Lubonja.

    Më tej, ajo mohon të ketë qenë në dijeni për regjistrimin e materialeve intime.

    “Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të regjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje”, shkruan aktorja.

    Lubonja u është drejtuar edhe mediave, duke kërkuar që të respektohet privatësia e saj dhe të mos publikohen apo komentohen në mënyrë spekuluese materialet intime.

    “Mediave u kërkoj të respektojnë privatësinë time dhe të mos publikojnë apo të spekulojnë me publikime të materialeve intime”, shkruan ajo.

    Ndërsa opinionit publik i ka kërkuar që të mos e trajtojë situatën si një formë argëtimi dhe të mos e gjykojë për besimin që, sipas saj, i ka dhënë personit me të cilin kishte qenë në marrëdhënie.

    “Opinionit publik i kërkoj të mos e kthejë dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë”, shprehet Lubonja.

    Foto: Monika Lubonja/Instagram

    Aktorja ka bërë të ditur se çështjen e ka adresuar në rrugë ligjore dhe se synon ta ndjekë atë deri në fund.

    “I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund”, shkruan ajo, duke shtuar se beson se e vërteta do të dalë në pah përmes procesit ligjor.

    Në fund të reagimit të saj, Lubonja shprehet se shpreson të gjejë forcën për ta përballuar këtë periudhë pa e kthyer dhimbjen në urrejtje.

    “Zotit i kërkoj forcë që kjo plagë të mos ma mbushë zemrën me urrejtje. Besoj se ai e njeh të vërtetën time dhe pres që drejtësia të bëjë punën e saj”, përfundon ajo. /Telegrafi/

  • Besiktasi konfirmon sa do të mungojë Milot Rashica pas lëndimit që pësoi me Kosovën

    Besiktasi konfirmon sa do të mungojë Milot Rashica pas lëndimit që pësoi me Kosovën

    Milot Rashica pritet të qëndrojë jashtë fushave për rreth një muaj pas lëndimit të pësuar në ndeshjen e Kosovës ndaj Austrisë më 4 tetor.

    Rashica u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 88-të për shkak të shqetësimeve në kofshë, ndërsa pas rikthimit në klub iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore.

    Klubi njoftoi se ekzaminimi i kryer nga stafi mjekësor dhe rezonanca magnetike në spitalin Acibadem Altunizade kanë zbuluar një tërheqje dhe gjakderdhje në pjesën e sipërme të muskulit të kofshës.

    “Pas rikthimit në vendin tonë të lojtarit tonë Milot Rashica, i cili nuk mundi ta vazhdonte ndeshjen për shkak të një lëndimi në kofshë të pësuar në minutën e 88-të të ndeshjes së Kombëtares së Kosovës kundër Austrisë më 4 tetor 2026, vlerësimi i kryer nga stafi ynë mjekësor dhe rezonanca magnetike e realizuar në spitalin Acıbadem Altunizade zbuluan një tërheqje dhe gjakderdhje në muskulin e pjesës së sipërme të kofshës. Trajtimi për lojtarin tonë ka nisur nga stafi ynë mjekësor”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Rashica pritet të mungojë rreth një muaj, duke humbur kështu disa ndeshje me klubin e tij gjatë kësaj periudhe./Telegrafi/

  • Kurti-gazetarëve: Mos i thirrni Konjufcën e Rushitin, por thirreni Bedri Hamzën

    Kurti-gazetarëve: Mos i thirrni Konjufcën e Rushitin, por thirreni Bedri Hamzën

    Kurti-gazetarëve: Mos i thirrni Konjufcën e Rushitin, por thirreni Bedri Hamzën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi ka propozuar emrat e Glauk Konjufcës e Feride Rushitin, ka bërë thirrje edhe për gazetarët që kanë përcjellë konferencën e tij.

    Ai u ka thënë gazetarëve që të mos i thërrasin Konjufcën e Rushitin, por sipas tij, ata duhet ta thërrasin kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të marrë qëndrimin e tij për propozimet e dy kandidatëve të rinj për president.

    “Pas kësaj konference mos i thirrni Glaukun e Feriden, por ta pyesni Bedri Hamzën se çka mendon për propozimin tonë. Mandej me Glaukun e Feriden flas unë. Ju flsini me Bedri Hamzën se s’po mundem ta takoj. Unë ju besoj juve si ndërmjetësues”, ka ironizuar Kurti. /Klankosova.tv

  • LIVE| Kurti: Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, kandidatët tanë të rinj për president

    LIVE| Kurti: Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, kandidatët tanë të rinj për president

    LIVE| Kurti: Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, kandidatët tanë të rinj për president

    Kryeministri Albin Kurti ka paraqitur një propozim të ri lidhur me miratimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

    Në një konferencë për media, Kurti i ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të deklarohet publikisht se i gjithë Grupi Parlamentar i PDK-së do të marrë pjesë në votimin për Presidentin.

    Kurti ka thënë se, nëse Hamza jep këtë zotim, sipas tij, ata do ta votojnë menjëherë edhe leximin e dytë të Projektligjit për Dhomat e Specializuara.

    “Propozimi ynë më i ri është ky: Meqë nuk po mund të arrijë ta takojë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, le të del sonte dhe të zotohet që i gjithë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës merr pjesë me votë në zgjedhjen për president dhe ne pas zotimit të tyre menjëherë po ua votojmë edhe leximin e dytë, nëse ata mendojnë që nuk përbën problem mosrespektimi i afatit 72 orësh ndërmjet dy leximeve”.

    “Ne ua votojmë Projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht, e mandej sonte menjëherë votimi për President, Glauku ose Feridja”, u shpreh ai.

  • Policia e Kosovës në gatishmëri, priten bllokime në disa hapësira

    Policia e Kosovës në gatishmëri, priten bllokime në disa hapësira

    Policia e Kosovës në gatishmëri, priten bllokime në disa hapësira

    Forcat e Policisë së Kosovës janë vënë në gjendje gatishmërie pranë objektit të Kuvendit të Kosovës, në kuadër të masave të parapara nga plani operativ.

    Gazetarja e Klan Kosova, Altiana Zogaj, raportoi nga hyrja e Kuvendit dhe sipas saj, në zonë janë shtuar forcat policore, të cilat janë të pajisura edhe me mjete për krijimin e kordoneve të sigurisë.

    Sipas raportimit, njësitet policore pritet të vendosen në pozicionet e tyre, ndërsa nuk janë përjashtuar as mundësitë e bllokimeve të disa hapësirave ose rrugëve, siç ka ndodhur mbrëmë.

    “Forcat e shtuara të Policisë së Kosovës janë në gjendje gatishmërie”, raportoi Zogaj, duke shtuar se vendosja e kordoneve do të bëhet në bazë të planit operativ.

    Situata pranë Kuvendit po monitorohet nga afër.