PDK-ja paraqet tri kërkesa urgjente për mbrojtjen e grave

PDK-ja paraqet tri kërkesa urgjente për mbrojtjen e grave

Written by

in

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka paraqitur në Kuvend tri kërkesa urgjente për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe rritjen e llogaridhënies institucionale, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Gjatë deklarimeve jashtë rendit të ditës, Musliu kërkoi rishikimin urgjent të rasteve me rrezik të lartë dhe koordinimin e menjëhershëm ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe shërbimeve sociale, për të identifikuar dhe mbrojtur gratë e rrezikuara. Ajo theksoi se urdhrat e mbrojtjes duhet të zbatohen në praktikë.

Po ashtu, kërkoi Krijimin e skuadrave të specializuara brenda Policisë për vlerësimin e rrezikut në rastet e dhunës në familje, si dhe shkarkimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që neglizhojnë sinjalet e dhunës.

Gjithashtu edhe deputetja e PDK-së kërkoi reformë ligjore dhe buxhetore, përmes rishikimit të dënimeve për vrasjet me motive gjinore dhe sigurimit të financimit të qëndrueshëm për strehimoret që ofrojnë mbrojtje për gratë që largohen nga dhuna.

“Neglizhenca përballë dhunës nuk është gabim procedure, është bashkëfajësi në krim”, u shpreh Musliu.

Musliu kërkoi gjithashtu që drejtori i Policisë të raportojë në Komisionin për Siguri lidhur me rastin e Arlinda Zekajt.

Ajo ka deklaruar se PDK-ja do ta përsërisë këtë kërkesë dhe do të insistojë që përgjegjësitë institucionale të trajtohen me afate dhe rezultate të verifikueshme.

Burimi: Dukagjini