
Pretendime për një incident me armë zjarri gjatë ushtrimeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ku dyshohet se është plagosur një ushtar, kanë ngritur pikëpyetje lidhur me një ngjarje që thuhet se ka ndodhur disa ditë më parë.
Burime të Gazetës Sinjali brenda FSK-së kanë dhënë informacione lidhur me pretendimet për këtë incident, i cili dyshohet se ka ndodhur gjatë një ushtrimi ushtarak.
Sipas pretendimeve të ngritura, një pjesëtar i FSK-së dyshohet se ka pësuar plagë nga arma e zjarrit, ndërsa është pretenduar se ngjarja është mbajtur e fshehtë.
Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka kontaktuar përfaqësues të FSK-së, nga ku është bërë e ditur se nuk kanë njohuri për ndonjë incident të tillë.
Në përgjigjen e dhënë për Sinjalin është theksuar se nuk ka arsye që një ngjarje e kësaj natyre të mbahet e fshehtë.
Po ashtu, është sqaruar se gjatë ushtrimeve mund të ndodhin lëndime të ndryshme, përfshirë lëndime në duar apo këmbë, por nuk ka informacione për ndonjë plagosje me armë zjarri.
Pavarësisht pretendimeve të ngritura, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për plagosjen e ndonjë pjesëtari të FSK-së gjatë ushtrimeve.
Gazeta Sinjali do të vazhdojë të ndjekë këtë çështje për të sqaruar rrethanat dhe vërtetësinë e pretendimeve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali