
Një pikë kontrolli policor në Pejë ka rezultuar me zbulimin e një arme zjarri që një 22-vjeçar mbante në çantën e tij. I riu po drejtonte një veturë Volkswagen Golf kur është ndaluar nga Policia, ndërsa kontrolli fizik ka zbuluar pistoletën dhe municionin, mëson Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është Brilon Alimusaj, rreth 22 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 22 nëntor, rreth orës 19:30, në rrugën “Martin Camaj” në Pejë, ku një patrullë policore kishte vendosur një pikë kontrolli.
Zyrtarët policorë kanë ndaluar një Volkswagen Golf me ngjyrë të zezë, të cilin po e drejtonte Alimusaj.
Gjatë kontrollit fizik, në çantën e të riut është gjetur një pistoletë “Beretta”, e prodhimit italian, e kalibrit 7.65 mm, së bashku me një karikator dhe shtatë fishekë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe tekniku i kriminalistikës, të cilët kanë sekuestruar armën dhe municionin.
Ndërkohë, vetura që drejtonte Alimusaj është larguar nga trafiku.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar rast penal për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit, 22-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti i është kaluar njësisë së hetimeve në Pejë.
Burimi: Sinjali