“Prano fajësinë, të lirojmë nga burgu” – Avokati Besnik R. BERISHA denoncon skandalin me Gani Gecin: Refuzova të bëhem pjesë e këtij shantazhi!

“Prano fajësinë, të lirojmë nga burgu” – Avokati Besnik R. BERISHA denoncon skandalin me Gani Gecin: Refuzova të bëhem pjesë e këtij shantazhi!

Written by

in

“Prano fajësinë, të lirojmë nga burgu” – Avokati Besnik R. BERISHA denoncon skandalin me Gani Gecin: Refuzova të bëhem pjesë e këtij shantazhi!

Avokati Besnik Berisha ka ngritur akuza të rënda ndaj Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke denoncuar atë që e cilëson si kushtëzim të lirimit nga paraburgimi të Gani Gecit me pranimin e fajësisë. Berisha ka bërë të ditur se, në shenjë kundërshtimi ndaj mënyrës së zhvillimit të procedurës, ka revokuar autorizimin si mbrojtës dhe është larguar nga marrja në pyetje, vetëm pak minuta para se Geci të pranonte përgjegjësinë penale.

Në një reagim të gjatë publik, Berisha ka deklaruar se ajo që ka përjetuar sot në Prokurorinë Themelore në Prishtinë përbën një nga përvojat më të rënda gjatë afro 17 vjetëve të ushtrimit të profesionit të avokatit.

Sipas tij, Gani Geci, i cili ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore, është sjellë nga spitali me duar të lidhura dhe është vendosur përballë një situate ku liria e tij është ndërlidhur me pranimin e fajësisë.

“Liria e tij u vendos në peshore me pranimin e fajësisë! Në njërën anë qëndronte paraburgimi, në anën tjetër mundësia që Prokuroria, në shenjë ‘mirëbesimi’, të kërkonte ndërprerjen e tij, nëse z. Geci pranonte fajësinë”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka theksuar se pikërisht ky kushtëzim e ka detyruar të marrë një nga vendimet më të vështira të karrierës profesionale, duke refuzuar të vazhdojë mbrojtjen në rrethanat e krijuara.

“Refuzova të bëhem pjesë e kësaj procedure dhe revokova autorizimin tim si mbrojtës!”, ka shkruar avokati.

“Çfarë ndodhi me rrezikun e përsëritjes së veprës penale?”

Berisha ka shpjeguar se Geci mbahej në paraburgim për shkak të rrezikut të pretenduar të përsëritjes së veprës penale, ndërsa gjykata kishte refuzuar rrezikun e ikjes dhe atë të ndikimit në prova si baza për privimin e tij nga liria.

Sipas avokatit, gatishmëria e pretenduar e Prokurorisë për të kërkuar ndërprerjen e paraburgimit në rast të pranimit të fajësisë ngre një dilemë serioze për ligjshmërinë e veprimeve të saj.

“Atëherë, çfarë ndodhi sot me rrezikun e përsëritjes? A pushoi rreziku së ekzistuari, apo pranimi i fajësisë u bë çelësi për hapjen e derës së burgut?”, ka pyetur Berisha.

Ai ka theksuar se rreziku i përsëritjes nuk mund të ekzistojë kur personi mohon fajësinë dhe të zhduket në momentin kur ai pranon përgjegjësinë penale.

“Në të kundërtën, paraburgimi pushon së qeni masë sigurie dhe shndërrohet në instrument presioni”, ka paralajmëruar ai.

Dy procesverbale, dy deklarime të kundërta brenda pak minutash

Në reagimin e tij, Berisha ka paraqitur edhe kronologjinë e zhvillimeve të sotme, duke deklaruar se ato janë të dokumentuara në procesverbalet e procedurës.

Sipas tij, në orën 12:36 ka përfunduar marrja e parë në pyetje e Gecit, gjatë së cilës ai ka mohuar se kishte kanosur dikë.

Berisha ka deklaruar se në këtë procesverbal ka kundërshtuar shprehimisht mënyrën e zhvillimit të procedurës, gjendjen shëndetësore në të cilën po intervistohej Geci dhe atë që e konsideronte përdorim të paraburgimit si formë presioni për pranimin e fajësisë.

Në orën 13:05 ka filluar marrja e dytë në pyetje.

Vetëm pesë minuta më vonë, në orën 13:10, Berisha ka revokuar autorizimin si mbrojtës dhe është larguar nga procedura.

Ndërkaq, në orën 13:16, sipas tij, marrja në pyetje ka përfunduar me pranimin e përgjegjësisë penale nga Geci dhe propozimin për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.

“Dy procesverbale. E njëjta vepër penale. Dy deklarime të kundërta. Vetëm pak minuta ndërmjet tyre”, ka theksuar Berisha.

Ai ka sqaruar se nuk e gjykon vendimin personal të Gecit, duke marrë parasysh gjendjen e tij shëndetësore dhe rrethanat në të cilat ndodhej.

“Një njeri që përballet me probleme serioze shëndetësore dhe privim nga liria mund të përjetojë një trysni që askush prej nesh, nga komoditeti i lirisë, nuk ka të drejtë ta nënvlerësojë”, ka deklaruar ai.

Sipas Berishës, ajo që kërkon shqyrtim është praktika e pretenduar e vendosjes së një personi përballë zgjedhjes ndërmjet qëndrimit në paraburgim duke mohuar fajësinë dhe pranimit të saj me shpresën e rikthimit të lirisë.

“Kjo nuk është drejtësi që kërkon të vërtetën. Kjo rrezikon të jetë drejtësi që kërkon dorëzimin”, ka shkruar Berisha.

“Asnjë prokuror nuk duhet ta përdorë shpresën për liri për të siguruar pranimin e fajësisë”

Avokati ka theksuar se, nëse shteti ka prova për fajësinë e një qytetari, ato duhet t’i paraqesë para gjykatës, ndërsa paraburgimi duhet të mbështetet vetëm në arsye konkrete dhe të ligjshme.

Sipas tij, është e papranueshme që liria të shndërrohet në shpërblim për pranimin e fajësisë, ndërsa paraburgimi në pasojë të mospranimit të saj.

“Asnjë prokuror nuk duhet të ketë mundësinë ta përdorë shpresën për liri si mjet për të siguruar një pranim fajësie”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka shtuar se mund të kishte zgjedhur të heshtte dhe të vazhdonte procedurën, por ka vendosur të mos e lidhë emrin dhe dinjitetin e tij profesional me veprimet që i konsideron në kundërshtim me parimet e drejtësisë penale.

“Avokati nuk është aty për ta përcjellë në heshtje nënshtrimin e klientit. Ai është aty për ta mbrojtur njeriun pikërisht atëherë kur fuqia e shtetit rrezikon ta thyejë atë”, ka theksuar ai.

Kërkon ndërhyrjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe hetimin e rastit

Berisha ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga Kryeprokurori i Shtetit, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së veprimeve të prokurorëve.

Ai ka kërkuar verifikimin e plotë të rrethanave në të cilat është propozuar pranimi i fajësisë, ndërlidhjen e pretenduar të tij me qëndrimin e Prokurorisë për paraburgimin, gjendjen shëndetësore të Gecit dhe mënyrën se si është siguruar vullneti i tij.

“Nëse vërtetohet se paraburgimi është përdorur si mjet shantazhi për sigurimin e pranimit të fajësisë, përgjegjësia nuk mund të përfundojë me konstatimin e një parregullsie procedurale. Duhet të ketë pasoja konkrete, disiplinore dhe penale, sipas përgjegjësisë së secilit”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka theksuar se reagimi i tij nuk ka për qëllim sigurimin e trajtimit të veçantë për Gecin, por parandalimin e praktikave të ngjashme ndaj kujtdo që përballet me sistemin e drejtësisë.

“Nuk po kërkoj trajtim të veçantë për Gani Gecin. Po kërkoj që ajo që ndodhi sot të mos i ndodhë nesër as kundërshtarit tim më të madh, as qytetarit më të panjohur të këtij vendi”, ka shkruar ai.

Në përfundim, Berisha ka deklaruar se vendimi për t’u tërhequr nga mbrojtja i ka kushtuar profesionalisht, por se e ka konsideruar të domosdoshëm për të ruajtur integritetin dhe ndërgjegjen e tij.

“Më mirë ta humbasësh një klient duke mbrojtur parimet, sesa t’i humbasësh parimet duke mbajtur një klient”, ka deklaruar Berisha.

Reagimin e tij e ka përmbyllur me mesazhin:

“Fajësia duhet të provohet për t’ia marrë njeriut lirinë, jo të pranohet për t’ia kthyer atë!”

Akuzat e ngritura nga Berisha për kushtëzimin e pretenduar të lirimit me pranimin e fajësisë mbeten pretendime të tij publike, të cilat kërkojnë verifikim nga institucionet kompetente.

Sinjali do të kërkojë qëndrim edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë lidhur me këto pretendime.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali