Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se për shkak të bllokimit të mjeteve buxhetore dhe mosrealizimit të pagesave, që nga 12 shtatori janë ndërprerë punimet në 18 shkolla, çerdhe dhe objekte shëndetësore në kryeqytet.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se në 10 prej këtyre objekteve sistemet e ngrohjes ende nuk janë funksionale.
Ai ka thënë se javën e kaluar i është drejtuar zyrtarisht ministrit të Financave, Hekuran Murati, me kërkesë urgjente për zhbllokimin e mjeteve buxhetore për projektin “Prishtina Public Buildings”, i cili financohet në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Rama i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndërhyjë për zhbllokimin e mjeteve, duke paralajmëruar për rrezikun që, sipas tij, paraqet kjo situatë për shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.
“Nuk ka asnjë justifikim që bllokadat financiare të vënë në rrezik shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve tanë! Ministria e Financave duhet të veprojë menjëherë!”, ka shkruar Rama.
Ai ka shtuar se Prishtina nuk mund të mbahet peng nga bllokadat financiare, e aq më pak fëmijët e saj. /Telegrafi/