Qeveria e Shqipërisë planifikon të mbulojë 50 për qind të shpenzimeve të qirasë për studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë një takimi me drejtuesit e bankave, duke prezantuar disa nga masat e parapara në draftligjin për strehimin social dhe të përballueshëm.
Sipas Ramës, nisma synon të lehtësojë barrën financiare të studentëve, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të qirave, që paraqesin vështirësi të mëdha, sidomos në Tiranë.
“Qeveria do të futet për të paguar 50% të qirasë për të gjithë ata studentë që i plotësojnë kushtet që janë të lidhura me kriteret”, ka deklaruar Rama, raporton A2.
Kreu i qeverisë shqiptare ka bërë të ditur se draftligji përfshin edhe masa të tjera mbështetëse, përfshirë kredi me interes zero për çiftet e reja që synojnë të blejnë banesë, deri në një vlerë të caktuar, si dhe për profesionistët e rinj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali