Rexhbeçaj e nisi valën, Dalipi e vazhdoi – Kosova po ua fiton zemrat një nga një yjeve të diasporës

Rexhbeçaj e nisi valën, Dalipi e vazhdoi – Kosova po ua fiton zemrat një nga një yjeve të diasporës

Written by

in

Kombëtarja e Kosovës po përjeton një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së saj sa i përket afrimit të futbollistëve të rinj dhe cilësorë. Nga Elvis Rexhbeçaj te Lutfi Dalipi, Dardanët po fitojnë gjithnjë e më shumë beteja jashtë fushës, duke bindur talente të formuara në akademitë dhe kampionatet më të forta evropiane që ta zgjedhin fanellën e Kosovës.

Pas kësaj vale afrimesh qëndron një punë e vazhdueshme e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), me presidentin Agim Ademi dhe përzgjedhësin Franco Foda në krye të projektit.

Nga futbollistët që kanë përfaqësuar grupmoshat e Zvicrës, Gjermanisë e Kroacisë, deri te talentet që po zhvillohen në klube të mëdha evropiane, Kosova po ndërton një skuadër me më shumë cilësi, konkurrencë dhe perspektivë.

Madje, sipas të dhënave të paraqitura për grupin aktual, mosha mesatare e Kombëtares ka zbritur në rreth 26 vjeç, një tregues i rëndësishëm i procesit të rinovimit të skuadrës.

Elvis Rexhbeçaj, afrimi që i dha shtysë një gjenerate të re

Një nga momentet më të rëndësishme të këtij procesi ishte vendimi i Elvis Rexhbeçajt për ta përfaqësuar Kosovën.Mesfushori, me përvojë të gjatë në Bundesligën gjermane, ishte prej kohësh një objektiv i rëndësishëm i FFK-së.

Pas angazhimeve për ta bindur, Rexhbeçaj vendosi ta veshë fanellën dardane, duke debutuar më 6 shtator 2024, në përballjen ndaj Rumanisë.

Ardhja e tij nuk përfaqësonte vetëm një përforcim cilësor për mesfushën. Ajo ishte edhe një sinjal për futbollistët e tjerë të diasporës se Kosova po ndërtonte një projekt serioz dhe konkurrues.

Rexhbeçaj u shndërrua shpejt në një prej figurave të rëndësishme të skuadrës, ndërsa pas tij filloi një valë e re afrimesh.

Nga Demaku e Krasniqi te Avdullahu dhe Hajdari – Kosova fitoi beteja të mëdha në diasporë

FOTO: Vesel Demaku

Gjatë vitit 2025, Kosova vazhdoi të përforcohej me futbollistë që kishin zhvilluar karrierën e tyre jashtë vendit.

Në mars erdhi Vesel Demaku, ndërsa në qershor iu bashkua Bledian Krasniqi. Shtatori solli dy emra të tjerë të rëndësishëm, Leon Avdullahun dhe Veldin Hoxhën.

Avdullahu ishte një prej afrimeve më të bujshme, duke pasur parasysh zhvillimin e tij në futbollin zviceran dhe faktin se kishte qenë pjesë e përfaqësueseve të grupmoshave të Zvicrës.

FOTO: Bledian Krasniqi

Një tjetër sukses i madh ishte afrimi i Albian Hajdarit në tetor të vitit 2025, futbollist që kishte qenë gjithashtu pjesë e sistemit përfaqësues zviceran.

Ndërkohë, Veldin Hoxha, i formuar në Kroaci dhe pjesë e përfaqësueseve kroate deri në nivelin U21, vendosi që karrierën ndërkombëtare ta vazhdonte me Kosovën.

Në këtë proces, rëndësi të veçantë ka pasur edhe Fisnik Asllani, një futbollist që Kosova e kishte bindur më herët për ta përfaqësuar fanellën dardane.

Foda nuk e harron Superligën – hapësirë edhe për talentët nga Superliga e Kosovës

FOTO: Dion Gallapeni dhe Ron Raçi

Paralelisht me afrimet nga diaspora, Franco Foda ka ndjekur nga afër edhe futbollin vendor.

Përzgjedhësi ka qenë i pranishëm në ndeshje të Superligës së Kosovës dhe në paraqitjet e klubeve kosovare në garat evropiane, duke kërkuar futbollistë që mund ta ndihmojnë Kombëtaren.

Në këtë mënyrë, në skuadër kanë marrë hapësirë edhe emra si Dion Gallapeni dhe Ron Raci.

Po ashtu, Kombëtares A i janë bashkuar futbollistë që më herët kanë qenë pjesë e grupmoshave të Kosovës, përfshirë Kreshnik Hajrizin, Baton Zabërgjën, Milot Avdylin, Leard Sadriun dhe Muharrem Jasharin.

Kjo qasje ka ndihmuar që konkurrenca të mos kufizohet vetëm te futbollistët e diasporës, por të përfshijë edhe ata që zhvillohen në futbollin kosovar.

Viti 2026, një tjetër hap i madh drejt Kombëtares së së ardhmes

Në vitin 2026, puna për afrimin e futbollistëve të rinj ka marrë një dimension tjetër.

Gjatë qershorit, Kosovës iu bashkuan Dardan Shabanhaxhaj dhe Valmir Matoshi, ndërsa periudha shtator-tetor solli Erblin Osmanin dhe Dion Kaçurin.

FOTO: Erblin Osmani/ Dion Kaçuri/ Valmir Matoshi

Veçanërisht i rëndësishëm është afrimi i Osmanit, talentit 18-vjeçar që ka arritur të debutojë me ekipin e parë të Bayern Munichut.

Një futbollist i formuar në një prej akademive më të njohura të Evropës përfaqëson një investim të madh për të ardhmen e Kombëtares.

Edhe Dion Kaçuri, 22-vjeçar, i shton skuadrës alternativa dhe konkurrencë në repartet ku Foda kërkon më shumë zgjidhje.

Por, nëntori solli një tjetër valë afrimesh.

Lindrit Kamberi, Enis Rexhepi dhe Bleon Kurtulus morën ftesat e para për Kombëtaren A, duke u bërë pjesë e një grupi që po rinovohet vazhdimisht.

Kamberi, i cili luan te Zurichu, sjell përvojë nga futbolli zviceran, ndërsa Rexhepi i Stuttgartit dhe Kurtulus i Malmos, të dy 18-vjeçarë, konsiderohen investime afatgjata për Dardanët.

Lutfi Dalipi, goditja e radhës që mund ta ndryshojë të ardhmen e Kosovës

FOTO: Lutfi Dalipi

Pas afrimeve të shumta, lajmi më i madh erdhi të enjten mbrëma, me vendimin e Lutfi Dalipit për ta zgjedhur Kosovën.

Talenti, i cili ka tërhequr vëmendje të madhe në futbollin evropian, është një tjetër emër që i shtohet projektit afatgjatë të Dardanëve.

Për një Kombëtare që po kërkon të rrisë cilësinë dhe konkurrencën, ardhja e një talenti të tillë është një tjetër pjesë e rëndësishme e mozaikut.

Kosova nuk po pret më talentët, po shkon t’i marrë vetë

Sigurisht, afrimi i talenteve nuk garanton automatikisht rezultate. Suksesi i ardhshëm do të varet nga zhvillimi i tyre, konkurrenca brenda grupit dhe aftësia e stafit teknik për t’i kthyer aftësitë e tyre individuale në një skuadër të fortë.

Por, një gjë është e qartë: Kosova sot ka më shumë alternativa dhe një bazë më të gjerë futbollistësh sesa në fillim të këtij cikli.

Dardanët nuk po presin më vetëm që talentet e diasporës ta zgjedhin vetë Kosovën. Ata po shkojnë t’i kërkojnë, po punojnë për t’i bindur dhe po krijojnë kushtet që kjo fanellë e shenjtë të bëhet zgjedhja e tyre./Telegrafi/