Sot, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), iu dhurua roboti tokësor pa ekuipazh (UGV), me numër serik SR-4-001-KS, i prodhuar nga kompania kosovaro-amerikane STRIDAR.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ky është roboti i parë tokësor pa ekuipazh i prodhuar në Kosovë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes.
Por, si funksionon ky robot?
Ministria e Mbrojtjes njofton se UGV-të janë mjete robotike që lëvizin në tokë pa pasur nevojë për operator brenda tyre.
Ato mund të kontrollohen nga distanca ose të kryejnë detyra të caktuara në mënyrë autonome.
“Varësisht nga modeli dhe konfigurimi, mund të përdoren për vëzhgim, transport pajisjesh dhe mbështetje në zona me rrezik, disa mund të pajisen edhe me sisteme armatimi të kontrolluara nga distanca”, thuhet tutje.
Ministria e Mbrojtjes sqaron më tej se zhvillimi i sistemeve të tilla dëshmon potencialin e teknologjive me përdorim të dyfishtë, të cilat mund t’u shërbejnë nevojave të mbrojtjes dhe atyre civile.
Marrëveshja e donacionit u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe përfaqësuesi i kompanisë STRIDAR, Nils Alstad, ndërkaq ministri Maqedonci shprehu falënderimin për kompaninë STRIDAR për këtë kontribut dhe për angazhimin e saj në zhvillimin e kapaciteteve vendore. /Telegrafi/