Samsung përgatitet të prezantojë robotin e parë humanoid

Samsung përgatitet të prezantojë robotin e parë humanoid

Written by

in

Samsung Electronics po përgatitet të prezantojë robotin e saj të parë humanoid, pasi prototipi i tij iu prezantua javën e kaluar bordit drejtues të kompanisë.

Sipas Reuters, gjiganti koreano-jugor planifikon ta prezantojë publikisht robotin në janar, gjatë panairit të teknologjisë Consumer Electronics Show (CES), që mbahet në Las Vegas.

Prototipi është projektuar për të kryer lëvizje të koordinuara me të gjithë trupin, si dhe për të kapur dhe manipuluar objekte duke përdorur krahët dhe duart.

Një nga sfidat kryesore për Samsungun mbetet arritja e saktësisë së lartë në lëvizjet e duarve, veçanërisht për përdorimin e robotëve në linjat e prodhimit.

Kompania synon që në të ardhmen robotët humanoidë të kryejnë edhe punë shtëpiake dhe të ndihmojnë personat e moshuar.

Ndërkohë, Samsung ka bërë të ditur se synon t’i shndërrojë fabrikat e saj në qendra prodhimi të drejtuara nga inteligjenca artificiale deri në vitin 2030, duke përfshirë edhe robotët humanoidë në proceset e prodhimit.

Me këtë projekt, Samsung hyn në garë me kompani si Tesla, Unitree dhe Boston Dynamics, të cilat po zhvillojnë gjithashtu robotë humanoidë. /Telegrafi/